NEDUSHA E MARRË / Shkëputur nga libri  “Treni i stacioneve të braktisur” të autorit Mark Simoni 

NEDUSHA E MARRË

Nëpër lagjen e vjetër të fëmijërisë sime sillej vërdallë, duke bërë shamatë e duke sharë dynjanë, Nedusha.Qe një plakë zevzeke dhe e mbrapshtë, që i dilte punë me këdo. Të shante e të kërdiste, zihej e të turrej me shkop. Ne fëmijët e kishim frikë si dreqin. E gjeje rrugicë më rrugicë, me nallanet e vjetra që kërcisnin kalldrëmit. Pinte duhan të keq, flokët rrokopujë si të qe ngritur atë cast nga gjumi, një fustan të dalë boje dhe zërin e trashë si burrë. Madje thuhej se po t’i afroheshe pranë i dukeshin dhe pak mustaqe. Kishte një shtëpi të vogël, pa burrë e fëmijë, vetëm qyqe, vetëm një të afërme që jetonte jashtë. Nedusha mbante inatë me të gjithë, dhe shfrynte mbi ato që i dilnin përpara. Një mëngjes, krejt papritur, u hap fjala nëpër qytet se Nedusha do të shkonte në Itali, tek kushërira e vet. Prej tridhjetë e sa vitesh, qysh se qenë mbyllur kufinjtë, vetëm një zyrtarë pati qenë me një delegacion në Bashkimin Sovjetik, dhe një këngëtare kishte shkuar me Ansamblin e Shtetit në Kinë. Dhe e treta që do të gjezdiste botën qe Nedusha. Dhe ku? Në Itali. Akoma pa marrë fjala dhe habija dhenë, gratë e zyrave iu vunë punës për ta rregulluar e sjellë në fe Nedushën. I blenë teritalna kineze, rroba, canta, këpucë lustrafin, shalle me ngjyra, çadër me lule, rruaza me kokrra të mëdha. E çfarë nuk i grumbulluan për ta bërë zonjë. Do të përfaqësonte vendin tonë atje ku do shkonte. Dhe çhoqën për ta veshur. Ditën kur u nis doli tërë qyteti të bënte sehir. Nedusha qe denatyruar. Qe më e shëmtuar se c’kishte qenë.Rrobat nuk i rrinin për së mbari, dukej allosoj, qe hukubet. Këpucët nuk i binin mirë dhe nga takat herë pas here i ikte këmba shtrembër. Qe komike e qesharake njëkohësisht. Ishte bërë për të t’u dhimbsur.Brënda atyre rrobave Nedusha rrinte e habitur, e heshtur si e zënë rob, me sytë të zgurdulluar e të hapur jashtë mase. Dhe ashtu e nisën dhe shkoi.
Kur u kthye qe akoma më hukubet dhe e shëmtuar. Kushërirat e Italisë e kishin modeluar sipas mënyrës italiane. Qe bërë krejt qesharake. Zyrtarët e morën Nedushën e mjerë dhe e shëtitën ndërmarrje më ndërmarrje. Ajo mbante fjalime e recitonte kudo që vente se; “ atje njerëzit skishin çtë hanin, s’kishin me se të visheshin dhe jetonin nën ura”.
Pastaj se nga iku Nedusha, s’u pa më, nuk u mor vesht se nga shkoi dhe si e mbylli jetën. Eh Nedusha, një nga përsonazhet më të frikshëm dhe më të habitshëm për mua, që e doja edhe fort për marritë e saj prej plake.

 

Shkëputur nga libri  “Treni i stacioneve të braktisur” të autorit Mark Simoni 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s