Ty, e imja PRANVERË / Cikël poetik nga Eva KACANJA

Cikël poetik nga Eva KACANJA
 
 
Ty, e imja PRANVERË
 
 
Hiret e burrit që dua
 
Balli yt shkëmb prej dhimbjes latuar,
Vetulla hark ylberit hijësuar,
Syri ulli, i plotë, i pjekur,
Buza musht që pikon nën pjergull,
Dora tokë ku fryhen rrënjë gjaku,
Lëkura ujë ku djersin zambaku.
Trupi i drejtë si Lisi në mal,
Zemra e ngrohtë si prushi në zjarr.
Digjem e lindem në hiret e tua,
Ma ruaj Zot njeriun që dua!
 
 
 
Rrugës për te Ty
 
Muzgu nis e bie,
qiellit pikëzojnë yj’
Rrugës për te ty
zemra pikon mall…
Asgjë mos më thuaj
veç më lër të hyj,
Aty ku askush
nuk mundi më parë…!
 
 
 
Pasthirrmë…
 
Mos u tremb,
Bajamet kanë çelur
e moti vjen më ngrohtë,
Lind hëna nëpër qiellin tënd,
E ngrënë vjen e largohet plot…
 
Mos u tremb,
Dimri mbeti në kohën e shkuar,
Ndize puthjen që fsheh nën magji,
Në buzen tënde rinoj yjëzuar,
Pasthirrmë e shpirtit më je vetëm Ti…
 
 
 
Ajër
 
Kur mendja ajrngrihet si mëndafsh nën fllad…
Kur nata hap sytë në mijëra xixëllime,
Kur trupi avullon në ujë e mëkat,
Kur n’puthje m’i zhvesh brenga e dyshime,
Kur si fëmi rënkon e mallin ma shëron,
Kur në vesh përshpërit
” Je balsami im!”
Si damar i tokës ndizet truri im…
……………………………
…Kthehet shpend i egër flatrarrahur larg,
Fshihet qiellit heshtur hëna e pagjumë,
Engjëllor i humbur ti s’ke njohur plagë…
Plagë e shpirtit tënd tani bëhem unë…!
 
 
 
Mall Burri
Nuk ngeca në dhimbjen e dashurisë sime
Jo!
Hënē-ngrēnē qiellit,
ajo dhemb e dhemb.
………………………………….
Nē bukurinë e dashurisë sate sonte u mallëngjeva…
Burrëror ky mall
që dhe malin shemb….!
 
 
 
Mos më pyet pse…
 
Kur qerpikët e tu si krahë dallëndyshesh mbyllen,
E ndër vete ndiej si valëzojnë mendimet,
Qiellit të freskët yjet zënë e ulen,
Prej parfumit puthjes dridhen jaseminet.
 
Ti zë e flet e unë heshtem krejt,
Mendjen s’e kam në ato që thua,
Në trurin e turbullt gjaku vjen i nxehtë,
Më këput kjo frymë,
M’bën më fort të dua.
 
Drithëron Nata nën lutjet e tua,
Në ballë më puth tek thua “Amin” ,
Gjithçka që ti ke m”bën të ndjehem grua,
Gjithçka që ti ke por se ç’ke s’e di…!
 
 
 
Mbi mollëza…
 
Mbi mollëzat e tua,
Aty ku qeshja jote feks magjinë e saj,
I ngul dhëmbët e mi dhe kafshoj diellin,
Shpirti mbushet dritë
e në kodrinat e mishta uji lëpihet si vaj.
E krahët,
krahët si zogj malesh
zgjaten të rrokin qiellin…
 
…pambarimisht e ngrënë në urinë tënde,
në etjen tënde e këputur si bimë!
Bota çdo të ish pa ndjerë këtë ëndje,
Perëndia çdo të ish pa ndjerë dashurinë?!
 
 
 
Ti nuk je si gjithë të tjerët
 
Ti nuk je si gjithë të tjerët.
Kur dielli perëndon
e mbyll qerpikun tënd,
gjithë bota zhytet
e rreth s’ka askënd.
Ti nuk je si gjithë të tjerët.
Kur zemra jote dridhet
E rreh nën gishtrinj,
gjithë bota shuhet,
e rreth s’ka njeri.
Ti nuk je si gjithë të tjerët.
Kur ti ma jep fjalën
E unë të ndiej nën të,
gjithë bota hesht
rreth s’ka asnjë.
Ti nuk je si gjithë të tjerët.
Je uji që trupin ma tret,
Je zjarri që më ndez në pasion,
Je arma që më shtron me respekt.
 
 
 
Dashnia s’ka men…
 
Mos meno pra,
Kur gjethet kërcasin
e druni dorzohet,
Kur qiella rrxohet
e toka naltohet,
Kur hana pik-pik
synit ban drit,
Kur krahu i puthjes
Mërthehet në shpirt,
Kur gjymtyrt si deg
harlisen me shend,
Harro pra t’menosh,
se menimi dhem,
Ti duhet ta dish,
Dashnia s’ka men…
 
 
 
Aroma jote
 
Në aromën tënde unë shtrihem,
Sherebel,
Lis,
Jasemin,
Në ujëra të shenjta përtërihem,
E trupi noton në amëshim.
 
E lirë si yll i përndezur,
Me mijëra yjësi kapërdij,
Me fjalën e frymën e dehur,
Si në endërr këputem në ty.
 
Në aromën tënde
unë zgjohem,
Sherebel,
Lis,
Jasemin,
Aty ku vdes e gjallohem,
I shpirtit tim,
Pelegrin…!
 
 
 
Plot…
 
Mbi trup mbushet vjeshta si një kupë plot vaj,
Gjethuar gjarpërohem damarëve të saj,
E kuqe si mollë,
Si ari e verdhë,
E shkrifët si tokë,
E hapur si qiell…
Çmenduri larushe që vjen prej thellësie,
Prej zjarrit që ndizet në buzë e në shpirt,
Ti dritë e bekuar derdhur Perëndie,
N’rreze dielli digju e m’i merr dy sytë…!
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s