Poezi nga Armenida Jolldashi
MBULOMË
Me cilat fjalë ta mbuloj natën,
Që gjumë të flerë në shtratin e ftohtë pa ty?
Me cilat fjalë do mund ta zgjoj ditën,
Që pa ty s’do as të më shohë në sy?
Ti eja, në natën time vidhu pa u ndjerë,
Se supet e zbuluara nga vetmia më ngrinë,
Me dritën e hënës, shkriji puthjet e buzëve,
Dhe mbulomë me ngrohtësi shpirti në gjumë.
ME PUTHJE TË TË NGRE
I rrëzuar erdhe sot tek unë,
Me brishtësinë që zërin
Zanoreve të dhimbjes dridhte,
Duart doja t’i zgjasja,
Hapësirës gojëshqyer, të përbindshme,
Lart të të ngrija sërisht,
Atje, në yje…
Jo, mos bjer në dëshpërim i dashur,
Buzëve të heshtjes, shpirtin mos e zbrit,
E rremë qetësia e gjumit të harrimit,
Dorëzimi humbje, vdekje e shumëfishtë.
I rrëzuar erdhi shpirti yt tek unë, i lodhur,
Me ëndrra të vrara, mbetur thellë në sy,
Sa doja me puthje të t’i ngjallja, mik i dashur,
Dhe një nga një t’i nisja prapë tek ty…
SONTE
E dua sonte patjetër fjalën tënde,
I dua, gjumin dhe ëndrrën që s’vijnë,
Tek unë t’i ndjellin, që përtej reve,
Që burgosur dritën e hënës mbajnë.
Sonte i dua përkëdheljet e heshtura,
Mbi trupin që dridhet nën dhimbje,
Nuk dua te flas, dua vetëm puthje,
S’dua të ketë koha, trajta të ndyshueshme.
E dua patjetër, sonte e dua patjetër,
Ngujimin, mbi gjoksin tënd të ngrohtë,
Aty në qetësi totale, të humb duke fjetur,
Të dëgjoj refrenin e shpirtit ëndrraplotë…