Poezi nga Josif Gegprifti

Poezi nga Josif Gegprifti

 

Eja si lule në çdo pranverë!

Vetëm vështrimi do më mbetet ,
ti do ikësh, s’do jesh më këtu,
s’do ketë më herë tjetër,
ku të kërkoj, s’di se ku!

S’do jesh më në vështrimin tim,
ndoshta s’do shihemi më,
i zbrazët shpirti dhe vështrimi im,
të flasë, të qeshë, s’do ketë me kë!

Do mbetesh vetëm një ëndërr,
një ëndërr që do ta shoh përherë,
ti je i vetmi gëzim në zemër,
ndaj të pres të vish në çdo pranverë!

 

Liqenit të dritës…

O liqen i bekuar,
Që shpirtin më ke trazuar!
Këtu në bregun tënd
Kam njohur një ndjenjë që s’është më.
Pashë valët e tua
Dhe dëgjova melodinë e tyre
Që aq fort e dua.
Këtu pashë diellin të lind si zjarr
Dhe për yjet e hënën pogradecare,
Kam kënduar ëmbël me kitarë.

O liqen i kaltërur,
Liqen I bekuar me emrin e dritës!
Sa vargje poetët për ty kanë shkruar,
Sepse ti me bukurinë tënde
Shpirtrat e tyre ke pushtuar.

O liqen i bekuar,
Me ujin e valëzuar!
Në bregun tënd,
Unë pashë ëndrrën më të bukur
Të jetë time,
Të veshur me dritë të kaltëruar
E plot shkëlqim,
Që iku larg, shumë larg
Në fluturim
Dhe mori me vete atë ndjenjë
Që lindi në shpirtin tim.

Është kjo ëndërr e bukur
Që më sjell këtu në bregun tënd
O liqen I bekuar
Dhe shpirtin tim e ndjej të dashuruar.

O liqen i bukur, i bekuar,
Në sytë e mi
Je si një letër e kaltër
Ku unë pafund kam shkruar
Dhe vargjet më kthehen në valë,
Ku lëkundet shpirti im
Si një mjelmë e bardhë.

Sgalemat rrëmbejnë vështrimin tim
Kur vetëtimthi ikin në fluturim.

 

Sot ëndërrova ëndrrat

Sot,në këtë mëngjes pranveror,
Duke pirë kafenë në një bar
Pranë liqenit artificial,
S’di pse rrashë në mendime,
Ose më mirë të them,
Po ëndërroja fëmijërinë time dhe
Përnjëherësh m’u shfaqën në sy
Rrugicat e fëmijërisë,
Ku loznim aq shumë
Ne fëmijët e lagjes së vjetër.

Vazhdoja të ëndërroja për ëndrrat
E rinisë dhe pashë veten
Në bangat e një shkolle.
Kryqëzime vështrimesh
E plot pasione të moshës.
Dhe më tej ëndrrat më hodhën
Në rugicat e jetës, të shumta
E plot me vështirësi.

Eh,
Sa shpejt e kalova në ëndërrim
Jetën time,
Sa e shkurtër m’u pa ajo,
Aq sa ish dhe koha për të pirë kafenë.

Dielli kish derdhur rrezet e tij mbi liqen
Dhe frynte një fllad i lehtë i këtij
Mëngjesi pranveror.

Të bukura ishin në këtë mëngjes
Ëndrrat që ëndërrova,
Por më e bukura ndër to,
Ishte ëndrra kur m’u shfaqe ti
Me sytë e zinj dhe ndjeva
Puthjen tënde plot dashuri.
Kur dëgjova zërin tënd,
Ëndrrat fluturuan bashkë me erën
Drejt thellësisë së pyllit
Të porsa gjelbëruar.
Ne u pamë në sy dhe buzëqeshëm.
Ajo, sikur kishe lexuar
Vargjet që kisha shkruar,
Më pyeti:-
U kënaqe me ëndrrat e jetës?
Hidhi në letër tani!
Po, po, ju përgjigja unë,
Është bukur të ëndërrosh.
Do shkruaj për ato ëndrra
Që nxituan të vinin në sytë e mi
E suallën gjithçka
Nga jeta jonë e shkurtër.
Ëndrrat më sollën një pasqyrë
Të ëndërruar, të kaltëruar
Ku unë pashë çdo gjë.

Tani,të gjitha rrugicat e fëmijërisë,
Të rinisë e të jetës,
I kam brenda
Në thellësi të shpirtit tim.,
Ato tashmë janë të heshtura
Dhe të rrethuara nga shtëpiza të heshtura.

Rrugicat nuk i shoh si dikur.
Edhe në vargjet që unë shkruaj,
Ato nuk kanë jetën e dikurshme
Dhe vijnë në lapsin tim,
Pa zhurmë,
Të qeta,
Të heshtura…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s