Poezi nga Kaltrina VB Hoti
Mos u zgjo
Koka ime pushon në gjoksin tënd
Mundohem të dëgjoj tingujt e zemrës tënde
I mbylli sytë dhe i shndrroj
Sekondat në shekuj
Pikat e vesës së parë të mëngjesit
Do ta ndajnë botën tonë.
Unë mundohem ta strehoj
Ndjenjën e papërjetuar përgjithmonë
Kërkoj mëshirë në diellin e kuq
Fjalët që mundohem mos t’i them
I pëshpërit errësirës që vetëm unë e shoh.
Dashuria është rrufeje e pa pritur
Të grabit kur nuk e pret
Dhe nuk e din kur qetësohet ose të ikë
Gjoksi yt pushon në zemrën time
Mos u zgjo ende, dashuri e pa pritur.
Kur harron si të qash
Është rrufeja e pa pritur
Që nuk din kur fillon
Nuk din kur qetësohet
Të grabit në momente kur nuk e pret.
Kur harron si të qash
Kur i humb ëndrrat e vjetra
Të afrohet ngadalë në qetësi
Dhe para se të mbyllësh sytë
E gjen veten duke luftuar për çdo lot të humbur.
Në brendësi të qetësisë
Gjethet valëzonin nëpër degët e hapura
Dhe në të njëjtën kohë pushonin në qetësi
Çdo lule mi dhuroi ngjyrat më të mira
Ajri përreth meje pëshpëriste
Çdo gjë ishte në lëvizje
Por ishte momenti më i qetë i heshtjes,
E gjeta veten në mes të shiut dhe diellit
Që vetëm unë e shoh
Ndjeva qetësinë e heshtjes,
Heshtja e ditës
Tërë bukurin e pashë nga zemra
E preka qetësin e heshtjes
Kurrë nuk do te jem e njejta.
E dëgjoj këngën time në melodinë e zogut
Trëndafili i kuq është fshehur në syrin tim
Guri është shkri në ngjyrën e fushës
Era e përkëdheli diellin
Derisa retë e thërrasin shiun
Sot është ndryshe
Jam duke qëndruar në majë të shkëmbit
Dhe shikoj lumin e jetës
Koha matet në shuplakën e dorës së TIJ
Sot e dëgjova tingullin e heshtjes
Kurrë s’do të jem e njëjtë.
S’më mungon
Më tha…
Jo gjithmonë ajo çka thuhet
Ka domethënien për çka është thënë
Mbeta si pikë e shiut që nuk din ku të derdhet
Çka u bë me fjalën e thënë
Që pushonte në puthjen e parë
Fuqia e fjalës zbehu fytyrën time
Perëndi!
Të kërkova hijen e tij
U shndërrova në gur që ai kurrë s’do ta shoh.
Tani të lus të kesh mëshirë për mua
Dhuroma fuqinë e fjalës të thënë
Më duhet për dhimbjen time
Nuk dua të derdhi lotin e mallit
Dua ta mbaj në bebëzën e syrit tim.
Të gjitha ëndrrat që i pata
I more me dy fjalë
S’më mungon!