Poezi nga Myrteza Mara
PO TË DUAM
Ne, po të duam, e ndryshojmë botën
Dhe diellin të lindi në perëndim
Për këtë e kemi bekimin e Zotit
Se kemi firmosur mbi një betim.
Ne, po të duam e rrëzojmë hënën,
Hëna e qiellit s’do lind më Trojë
Homerët e verbër do rindezin këngën
Legjenda e vjetër do bëhet me gojë.
Ne, po të duam bëhemi me krah,
Shtegëtimet s’do jenë më ëndërr
S’do ketë më “por”, as edhe “ah”
Por ditë dhe netët si notat e këngës.
Ne, po të duam… Oh, po të duam,
Çfarë s’mund të bëjmë ne të dy!
Mjafton të mbahet fjal’e premtuar
Mjafton të shihemi drejt e në sy.
Ndaj pak durim dhe shumë shpresë,
Siç presin stinët pa u ngutur
Kur hëna të jetë pesëmbëdhjetë
Para ikonës do jem duke u lutur!
Ikona ime është fati i munguar,
Janë vitet që s’i jetova kurrë
Ndaj ne të dy, po të duam
Flakën e zemrës e bëjmë flamur.
DUHEJ TË RRËSHQISJA
Kalova çaste buzë një gremine
Klithma rrënqethëse më tradhëtoi
S’kërkoi mëshirë, as lëmoshë ndihme
Dhe lutje të përlotur nuk kërkoi!
Duhej të rrëshqisja, duhej patjetër
Të shikoja dhe vdekjen nga afër
Të shikoja miqt e rinj e të vjetër
Edhe pasqyrën e shpirtit të pastër.
Vetëm një çast pashë gjithë botën
Pash dhëmbëverdhët e krimbur!
Pash urithët që thelluan gropën
Pash dhe plotë minj gjakhidhur!
Fërkonte duart shpirtligësia
Hijenat e ndjen erën nga larg!
Në fund të humnerës priste gostia
Mbushur gotat plotë me natë!
Pash nga afër dhe një dritë loti
E treti thëllimin si një pranverë
Zgjati dorën e bekuar të Zotit
Siç ma ka zgjatur dhe tjetër herë!…
Duhej të rrëshqisja, duhej patjetër
Të shikoja dhe vdekjen nga afër
Të shikoja miqt e rinj e të vjetër
Edhe pasqyrën e shpirtit të pastër.
DASHURIA E VËRTETË
NËNA
Nëse këngës i duhet një notë,
Dhe vargut një rimë e ëmbël;
Dhe syri ka nevojë për lotë,
Dhe zemra e do një zemër.
Nëse qiellit i duhet një yllësi
Që të ndriçojë gjithë hyjnitë,
Shpirti i Nënës buron aq mirësi
Sa pinë në gjunjë gjithë perënditë!
Nëse dhe jetës i duhen ëndrra,
Edhe ëndrrave u duhet jetë.
Më thoni o njerëz, veç nënave,
Kush është dashuria e vërtetë?!
PARA GRUAS
Para gruas dhe Çezari
Që kishte diellin kurorë,
Dridhej, skuqej si ushtari,
Kur në luftë e kapin rob!
Para gruas-pasqyrë shpirti,
Aty meket edhe zjarri.
Yjet si qirnjtë ndizen
Zemrat bëhen ura malli.
Para gruas-Perëndi
Gjithë zotat bien në gjunjë,
Në këtë botë me dashuri
Emri Grua nuk vdes kurrë!




























Leave a Reply