“Loja e rruazave prej qelqi” – Roman (në dy vëllime) – HERMAN HESE – *Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

“Loja e rruazave prej qelqi” – Roman (në dy vëllime)

HERMAN HESE – *Laureat i Çmimit Nobel

Ajo që nënkuptojmë ne sot me fjalën personalitet ndryshon dukshëm nga ajo që nënkuptonin me këtë fjalë biografët dhe historianët e kohërave të hershme. Për ata, dhe sidomos për ato epoka që kanë pasur një prirje të theksuar për biografinë, do të thoshim se duket që thelbi i një personaliteti kërkohej bash në tiparet e tij të kundërta, anormale dhe unike, madje shpesh edhe patologjike, ndërsa ne të sotmit flasim për personalitete të rëndësishme vetëm atëherë kur ndeshim njerëz që, duke lënë mënjanë gjithçka origjinale e të veçantë, kanë arritur të integrohen në mënyrë sa më të përkryer në rendin e përgjithshëm dhe t’i shërbejnë me një përsosuri sa më të madhe një ideali më të lartë se vetja e tyre.

Po ta shqyrtojmë më nga afër këtë çështje, do të zbulojmë se ky ideal njihej qysh në kohët e vjetra: për shembull, figura e “të diturit” ose e “të përsosurit” te kinezët e lashtë, ose ideali sokratik i virtytit, nuk dallohen thuajse fare nga ideali ynë i sotëm, dhe ndonjë institucion i madh shpirtëror, siç ishte, bie fjala, Kisha Romane në epokat e veta më të fuqishme, i ka njohur parime të tilla, dhe disa prej figurave të saj më të spikatura, si për shembull Shën Thoma d’Akuini, na duken, njësoj si skulpturat e lashta greke, sikur përfaqësojnë më fort shëmbëlltyra klasike tipash njerëzorë sesa persona të veçantë. Prapëseprapë, shihet haptazi se në periudhat që i paraprinë reformimit të jetës shpirtërore, reformim që filloi në shekullin e njëzetë dhe për të cilin ne e quajmë veten trashëgimtarë të tij, ai ideal i lashtë e i mirëfilltë qe zhdukur thuajse plotësisht.

Ne habitemi kur në biografitë e atyre kohërave gjejmë të përshkruar gjatë e gjerë, ta zëmë, se sa vëllezër e motra kishte heroi ose çfarë blanash e gjurmësh i patën lënë në shpirt shkëputja nga fëmijëria, puberteti, lufta për t’u bërë i njohur, përpjekjet për të fituar dashurinë. Për ne njerëzit e sotëm s’kanë rëndësi as patologjia e as historia e familjes, nuk na interesojnë as jeta seksuale dhe as tretja e ushqimit ose gjumi i një heroi; nuk na duken si ndonjë gjë kushedi se çfarë as sfondi i tij intelektual dhe as edukimi i tij nëpërmjet studimesh e leximesh të parapëlqyera, e kështu me radhë.

Sipas nesh, hero dhe njeri i denjë për vëmendje të veçantë quhet vetëm ai që natyra dhe edukimi i kanë dhënë mundësi të kridhet thuajse plotësisht në postin e vet hierarkik, por pa e humbur ndërkaq atë shtysën e fortë, të freskët e të admirueshme që përbën aromën dhe vlerën e individit. Dhe, kur lindin konflikte që ia kundërvënë individin hierarkisë, pikërisht këto konflikte i shohim si gur prove për madhështinë e një personaliteti. Sikurse nuk miratojmë rebelin, të cilin dëshirat e pasionet e shtyjnë të shkelë rendin, po ashtu nderojmë kujtimin e viktimave, kujtimin e fatit të tyre me të vërtetë tragjik.

(Hermann Hesse, Laureat i Çmimit Nobel:
“Loja e rruazave prej qelqi”, Titulli i origjinalit:
“Das Glasperlenspiel”, Roman në dy vëllime)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s