Poezi nga Odise Kote

Poezi nga Odise Kote

 

GJITHÇKA LËVIZ*

Gjithçka lëviz.

Rrjedhin në gulfa idetë
vrullit të lumit.

Nisur drejt pikave të pambërritura,
të heshturat zhurma përplasen, grinden, humbin.

E mbërritura e velur rrokulliset në zgrip,
jep shpirt.
Në vajin e humbjes zien platitja e hirtë.

Çahet si shegë hareja,
mëshiron plaga,
tokën e shpon dhembja,
mbin fara.

Shpleksen premtimet në vegja,
sa shpejt hollohen,
bëhen të vjetra,
rilindin prapë të rejat.

Një grumbull resh papritur bëhet shi,
ylberë të gjatë – zinxhir flori,
rrathë – rrathë si diell.

Më pas,
toka e lagur
ngre avuj në qiell.

Çfarë mbetet,
çfarë ikën,
zëëmbëltit u ngjirën,
prej errësirës në natën pus,
zbuluam dritën…

Lumi nxiton të derdhet nê det,
fryma një shpresë të re e ngjiz.

Gjithçka lëviz …

*Herakliti : Nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë.

 

BABAZOTI

Babazoti me titull fisnikërie Mjeshtrok,
nuk studioi filozofi dhe as e njohu Volterin.
I bindej veç Nolit si kryepeshkop,
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.

I falej peplumbces, këndores, perëndisë së pjellorisë,
qoshes, teoremës, brumit të gurit të zi e të bardhë.
Diturisë mjeshtëroke, xhindit të fantazisë,
gërqeles së pjekur, bukuranes me ajkë.

Qëndiste lulore me daltë e smiral të hollë,
në ura, kroje, pragje e shtëpi me harqe të lartë.
Në dritare dielli, prekte hapësirat me dorë,
frizitë vezulluese me orakuj drite në ballë.

Gjithë jetën ndërtoi, arkitekt e sevdalli i madh,
pranverë – vjeshtë, nga një vend Ballkani në tjetrin.
Babazoti njihte veç Nolin kryepeshkop,
adhuronte si zot, Pitagorën, Arkimedin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s