TOGFJALËSHAT “GANGSTERËT LETRARË” DHE “GANGSTERËT ILIRIANË” / Nga: Kadrush Radogoshi


TOGFJALËSHAT “GANGSTERËT LETRARË” DHE “GANGSTERËT ILIRIANË”

 

Nga: Kadrush Radogoshi

Njëri ndër shkrimtarët dhe intelektualët e më të mëdhenj amerikanë të gjysmës së dytë të shek.XX Eugene Luther Gore Vidal ( shkurt: Gore Vidal 1925-2012) njërin prej eseve të tij të shumtë e ka titulluar me togfjalëshin “Gangsterët letrarë”. Autori me këtë titullim na sugjeron këndvështrimin prej të cilit e sheh dhe e analizon një pjesë jo të vogël të letërsisë amerikane të kohës së tij, duke qenë observues aktiv për një çerek shekulli i skenës letrare amerikane me interesim të veçantë të krimit letrar. Sipas këtij shkrimtari dhe eseisti të shquar për pedantërinë aristokratike në të menduar dhe në të shkruar lexuesi amerikan i kohës së tij (Mars 1970) nuk ishte i interesuar për analizë, por për opinion me preferencë të theksuar që ky të ishte i ashpër dhe i paparashikuar. Në një atmosferë të tillë letrare kulturore, kur analiza dhe faktet meritore që dalin nga ajo injorohen dhe besohet opinioni shpeshherë qëllimkeq, shumëzohen gangsterët letrarë e kulturorë.
Duke polemizuar me disa prej gangsterëve më të njohur letrarë, Gore Vidal ndalet edhe te njëfarë jugosllavi John Simon (duhet të jetë emër i përshtatur apo i ndryshuar plotësisht) me një ton krekosës dhe jokoherent të stilit serb. Ky farë John Simoni anglishtja e të cilit nuk ishte gjuhë e parë, por ishte gjuha e tretë e tij, sipas Gore Vidalit, për njëzet vjet e çau rrugën e tij nëpër letërsi, teatër e film duke kaluar prej njërës gazetë në tjetrën, duke mos zënë vend askund për një kohë më të gjatë. Në këtë kontekst shtrohet pyetja se pse po ndalemi vetëm te ky gangster letrar me origjinë jugosllavo-serbe. Arsyeja mund të duket e rastit dhe e parëndësishme, por për mua dhe besoj edhe për të gjithë shqiptarët është fyese. Autori duke e sulmuar dhe fyer këtë gangster letrar me origjinë jugosllavo-serbe nuk ishte i vetëdijshëm se po e fyente popullin shqiptar: “Robert Brustein, nga ana tjetër, nuk është i pastër: ai ka ambicie për arritjen e cakut të tij. Z. Simon e di që ai është vetëm një gangster ilirian dhe i lirë në çdo pikëpamje; ai thjesht është në gjendje të torturojë dhe të vrasë vetëm që të jetë një Amerikan aq i mirë sa të themi Z. Charles Manson apo Lyndon Johnson” ( Gore Vidal: “United States Essays 1952-1992” Essay “Literary Gangsters”, Random House, New York, 1993, pg. 50). Nga fragmenti i lartëcituar kuptojmë se shkrimtari dhe eseisti i shquar amerikan e demaskon figurën e arrivistit të sëmurë jugosllavo-serb, i cili është në gjendje të bëjë çdo gjë vetëm që të dëshmohet se është poaq amerikan i mirë sa edhe vet kryetari i SHBA-ve Lyndon Jonson. Kur autori Gore Vidal e karakterizon gangsterin letrar John Simon me togfjalëshin “gangster ilirian”, kuptohet cilësorin “Ilirian” e përdor me konotacion negativ ashtu siç e shpjegojnë një numër fjalorësh të anglishtes dhe nënkupton njeriun primitiv (anglisht: “native”, i cili pos kuptimit të parë “vendas” ka edhe shtresën e kuptimit fyes “primitiv”), i cili ka jetuar në Ballkanin Perëndimor e sidomos në Dallmaci. Jam i sigurtë se Gore Vidal nuk e ka pasur të njohur faktin se serbët nuk janë trashëgimtarë të ilirëve, por janë ardhacak në tokat e tyre. Jam gjithashtu i sigurt se autori as që e ka pasur idenë se togfjalëshi i tij “Gangster ilirian” e fyen popullin shqiptar, pasardhës i drejtpërdrejtë i ilirëve të lashtë. Si duket stereotipi se ilirët ishin piratë të njohur në detra në anglishten e Gore Vidal ka dhënë togfjalëshin “Illyrian gangster”.
Togfjalëshi “Gangster ilirian” i legalizuar në gjuhën angleze i paragjykon shqiptarët. Fajtorët për këtë nuk janë hartuesit e fjalorëve të anglishtes, por Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik dhe katedrat e albanistikës kudo që ndodhen. Një gjë e tillë nuk do të ndodhte me popujt tjerë shtetformues e edhe po të ndodhte, menjëherë do të kishin reaguar në mënyrë adekuate. Edhe pse vetëm një togfjalësh nuk duhet lejuar këtë stereotip paragjykues gjuhësor e as ndonjë tjetër. Një çështje e tillë meriton të jetë pikënisje për një sesion shkencor të historianëve dhe gjuhëtarëve shqiptarë me pjesëmarrje edhe të albanologëve dhe linguistëve botërorë e sidomos atyre anglofonë. Mendoj se kompetentët për hartimin e fjalorëve të anglishtes duke filluar nga ai i Universitetit të Oxfordit, Universitetit të Kembrixhit e shumë e shumë të tjerëve do të ishin në gjendje të bënin korrigjimet e duhura.
Duke lexuar esenë e Gore Vidal “Gangsterët letrarë” m’u kujtuan dhjetëra për të mos thënë qindra gangsterë letrarë shqiptarë, të cilët duke qenë më së shumti mediokritete e më së paku gjysmanalfabetë e kanë helmuar dhe e helmojnë skenën letrare shqiptare në tërë hapsirën kombëtare. Paramendoni se sa fushatat zhvlerësuese, përjashtuese dhe linçuese janë organizuar për shkrimtarë dhe vepra të ndryshme letrare. Gangsterët letrarë duke qenë të paaftë për të qëndruar me këmbët e veta në skenën letrare, janë shndërruar në masha të pushteteve, të cilat, për fat të keq, te shqiptarët kanë qenë kundër lirisë së fjalës dhe krijimtarisë së lirë letrare qoftë për idetë qoftë për format e mbi të gjitha kanë qenë kundër vetëdijes kritike dhe mendësisë moderne. Shpeshherë redaksitë e gazetave, revistave apo të shtëpive botuese kanë qenë të mbushura me gangsterë ideologjikë, të cilët janë kujdesur për “shëndetin ideologjik” të letërsisë, e cila, sipas tyre duhej të ishte në shërbim të pushtetit.
Rasti i fundit i tendencës për të mos lejuar kthimin e shkrimtarëve të mohuar (Ernest Koliqi, Martin Camaj) në vendin e tyre të nderuar brenda hierarkisë letrare tregon se gangsterët letrarë janë të fortë në skenën tonë letrare brenda së cilës mbretëron anarkia e kritereve. Mendësia e mediokritetit nënkupton rahatllëkun brenda hierarkisë letrare të krijuar brenda dy tipave të socializmit (shqiptar dhe jugosllav). Letërsia shqiptare duhet ristudiuar dhe rivlerësuar dhe pse jo duhet krijuar hierarki e re e mbështetur mbi kriteret e objektivitetit shkencor.
Kur lexova togfjalëshin “Gangster ilirian” nuk u ndjeva i fyer vetëm për arsyet e cekura më lartë, por edhe për një fakt tjetër: m’u kujtua grushteti i Kosovës në të gjitha fazat e tij së bashku me autorët, duke filluar nga presidenti si kryeskenarist, Isa Mustafa si zbatues i zellshëm i skenarit antikombëtar e deri te Abdullah Koti e Agim Veliu. Të gjithë këta, duke u bazuar në logjikën e togfjalshave terminologjikë të Gore Vidal mund t’i quanim me togfjalëshin “Gangsterë politikë”. Gangsteri politik nuk ka brirë por është tipik si deputeti, që sulmoi fizikisht kryeparlamentaren e Kosovës Z. Vjosa Osmani në seancën e Parlamentit të Kosovës.
Po të ishte ende gjallë shkrimtari i madh amerikan ( 23 romane, 5 drama të luajtura në Broadway, 8 libra me ese, ky i fundit të cilit iu referova në këtë ese i ka 1300 faqe, 1 libër me tregime) dhe po t’ia shpjegoja se sa paragjykues për shqiptarët është togfjalëshi “Gangster ilir” me siguri do të kërkonte ndjesë e ndoshta edhe do të shkruante një ese të veçantë për këtë togfjalësh pas indormacionit të fituar. Mirëpo po të ishte ai gjallë dhe po t’i kishte mësuar veprimet e “Gangsterëve politikë” shqiptarë qoftë në Kosovë qoftë në Shqipëri me siguri do të thoshte: e po ju po e merituaki togfjalëshin “Gangsterë ilirian”, kuptohet me konotacionin e tij negativ.

Edmonton, Canada
July 12, 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s