QYTETI PA STATUJA / Nga: Mihal Gjergji

QYTETI PA STATUJA

 

Nga: Mihal Gjergji

Saranda, qyteti me shumë emëra. Në hyrje, një rrugë me emërtesë ere: onhezmi. Ndoshta, ky i fundit lidhet me atësinë e Eneas, i cili, mbasi u kthye nga lufta e Trojës, bëri shtatë ditë rrugë për të mbritur në Dodonēn dimërkeqe, në lartësitë e Tomorrit. Orakujt i thanë se ilirët duhet të shtriheshin edhe përtej detit. Enea u kthye, kështu shkruan Homeri, qëndroi një natë në Butrint, pastaj u nis me lundërtarët, kjo pra shënon themelimin e Romës…
Saranda – Santi Quaranti, qyteti i dyzetë shenjtorëve. Ata s’janë veçse dyzet ushtarë të sulltanit që u martirizuan për mbrojtjen e teritoreve të perandorisë së dikurshme, e ngaqë sulltani ishte edhe “Kalif” i shpalli shenjtorë. Në nderim të tyre ndërtoi manastirin. Jemi në fundin e shekullit të XIV, kur venecianët dorëzuan teritoret dhe popullatat e vendeve të pushtuara. Pafuqia për tu përballur me osmanët, bëri që, nga Peleponezi e deri në Dalmaci, ata që ne i quajmë -Arvanitas, të ndjeheshin të tradhëtuar…Janë gjaku dhe rraca jonë, mbetur si gurë pa mbishkrime brigjeve të mesdheut. Musolini dëshironte që, Sarandën t’ia bënte dhuratë vajzës së tij, Edës.
Qytetet ngjajnë me organizmat e gjallë; kanë mushkëri, zemër, krahë, por kanë edhe plagë.
Saranda ka det, por s’ka plazh, mbi krye rrjedh Bistrica, por s’ka ujë për të pirë, ka lokale pa fund, por ka edhe varfëri ekstreme, ndryshe, sarandiotët s’do largoheshin nga ky vend i bekuar. Edhe pulëbardhat kthehen të trembura në afërsi të brigjeve. Kontrollin e hapësirës detare dhe ajrore ia kemi besuar fqinjit jugor dhe atij perëndimor, sepse na mungon teknologjia, jemi të varfër. Unë di t’a lexoj dëshpërimin qytetar. Në buzën e çarë të një nëne (janë me mijëra të tilla!) -shikoj edhe një të çarê shteti.
Në kohën time të kursyer, bëra një vëzhgim rastësor. U ndala te shëtitorja që mban emërin e njërit prej kolosëve të iluminizmit shqiptar, Hasan Tahsinit. Provova një ndjesi drithëruese; turma, sigurisht që s’e njeh, por s’duhet të shkelë mbi dhimbjen e tij. Mes shëtitores është një përmendore (nëse mund ta quajmë kështu) e këtij mendjendrituri. Qytetin e fotografova në muzg, sepse në terr e kanë lënë. Edhe Hasan Tahsinin. Nëse ja dini varrin, më thoni, t’i vendos një lule!
Pas krahëve dëgjoja fjalët e njē gjuhe që më krijon gjendje shushame: -“Sarandi eqi poli kozmos “. Por kjo s’më shqetëson. Hasanin s’e merr dot greku, sepse është çam, ndërsa Çamërinē e mori, kurse turku është larg, për ta rivrarë përsëri. Këto zëra mund të jenë edhe të fêmijëve tanë, të cilët kanë lindur në Greqi, s’dinë ta shkruajnë e ta lexojnë gjuhën tonë të bukur…Ndoshta këtë rrugë ndiqte edhe Naim Frashëri, kur kthehej nga puna, për t’u ulur pastaj nën dritën e qiririt, e për t’i kënduar bukurisë shqiptare. Ky i fundit, është nxënësi i filozofit Tahsini, Rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Deri te Ura e Bosforit e mbante mbi krye festen e hoxhes, pastaj e hiqte, e vendoste në brezin e mesit, pra pushonte teologu dhe fliste shkencëtari. Ai tashmë ka fituar barazinë më të thellë, i është dorëzuar pushtetit të vdekjes, si gjithë të tjerët. Por edhe lirinë më të madhe. Ka mbritur në orbitën ku qendrojnë yjet. Indinfereca e mediokërve s’mund t’a lëndojë këtë gjigand. Brenda kësaj shëtitoreje janë tê gjithë; ato që duan të shiten dhe ata qê kêrkojne te blejnë, turistë të huaj, shqiptarë të ardhur nga viset veriore, qejflinj e meskëputur nga hallet, të cilët përpiqen te shesin ndonjë misër te pjekur. Diku më lart, një muzikë joshëse me fyell, motive spanjolle përzier me trishtimin aziatik. (Fyelli i Naimit-jo!). Pastaj, lëkurë qëngjash e delesh, mbi të cilat ishin stampuar portrete gjeneralësh, artistësh, këngëtarësh, etj. Aty e gjeni Tanganikën. Zanzibarin, Kongon, Zelandën…Portrete politikanësh s’më zuri syri. Ndoshta lëkurët e ujqërve ekspozohen gjetiu. Mes pallateve fantazmë, bizneseve fantazmē, pushteteve fantazmë, kêrkova më kot të veçoja bukuritë e qytetit. S’kisha kë pyesja: -sa gjimnazistë të shkelqyer u diplomuan këte vit? Sa studente vazhdojne jeten universitare? Sa vende pune janë hapur? A ka poetë, piktorë, kengetare, aktorë ky qytet? Sa mësues jetojnë në gjendje mjerimi? Sa do rritet buxheti i shtetit për arsimin vitet vijuese? Në cilat banka të botës mbrijnë lekët e biznesmenëve shqiptarë? Ky qytet, zgjohet tre muajt e verës dhe bie përsëri në gjumë. Kërkova me sy edhe kurveleshasit e mi, ata që, kur komisioni nderkombetar i kufijve hiqte vijat mbi harta, veshën fustanellat e qeleshet, ngjeshen jataganet dhe zbriten ketu, ne Sarandë. E dhanë mesazhin me kengën polifonike; këtu jetojnë shqiptarët, flasin shqip dhe këndojnë shqip. E dini kush janë ata?

“Pyet padishanë e bija
Janë ca gjinde, duan tyja
Janë ata, nga Labëria”

Ata janë përsëri aty, për të ruajtur sinoret, edhe pse të tradhetuar. Ndoshta një kohë, botën do t’a drejtojne gjenitë, shkencetarët dhe filozofët. Kjo mund të ndodhë edhe tek ne, ndryshe, xhindet mund të zgjohen dhe të përmbysin fronet e larta.

Sarandë, korrik 2017.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s