Poezi nga Mark Simoni
TRUPI LAKURIQ I PEMËS
Rrufeja ra mbi trupin e bukur dhe lakuriq të pemës,
Dhe ndezi një flakë të kuqe, të ngrohtë,
Brenda trungut të saj,
Megjithëse karvani i reve shtegtoi për diku,
Dhe dimri e rrufetë ikën larg,
Përsëri trupi i pemës, akoma dhe sot e kësaj dite,
Vazhdon e përvëluar, të digjet ngadalë.
KUSH I MALLKOI?
U nisën peshkarexhat e përgjumura
Poshtë muzgut të kuq.
Klithin sirenat e tyre të çjerra, si britma drerësh
Plagosur në pyjet e largët,
Të gjata britmat e tyre, të mekura,
Dhe zëri shkon mbi ujë
I qetë, i lodhur dhe me përtesë.
Anija e parë është e violinistit plak,
Që e kërkoi të dashurën në të gjitha detet dhe s’e gjeti,
Më pas vjen lëvozhga e një anije të vogël
Që ka lidhur pas vetes, (si fëmijë festash), ca varka me ngjyra,
Dhe në fund,
Një tymtore, si e përgjumur.
Ikin detrash anijet, përtej muzgut të kuq.
Poshtë tyre,
Të fryra rrjetat, si gjinj të kolmë,
Që i fërkon e i përkdhel kripa dhe uji.
E ndjej se tani arrixhinjtë i ndezën zjarret e kuq,
Dhe ia nisën këngës për peshkun e tharë dhe marinarët e largët.
Dhe vetëm atëherë,
Kur në breg dallgët nxorën shishe të vjetëra,
Letra të zbehta, shkruar me pak fjalë,
Kandila të kaltër,
Dhe
Ca lot të mëdhenj e të zi,
Të gjithë e kuptuan
Se anijet patën shkuar më larg se duhej të shkonin,
Dhe nuk ktheheshin dot më.
***
Mëngjesi pa to është krejt bosh
Si kënga në buzët e një të pa goji.
Zjarret u shuan,
Ashklat e shpërndara mbi faqe të detit.
Cila perëndi i mallkoi?