E fortë si vdekja (Roman) – MOPASAN / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

E fortë si vdekja (Roman) – MOPASAN

 

***

Drita e ditës hynte në atelienë e gjerë përmes xhamllëkut të hapur të tavanit – një katror i madh shkëlqimi kaltërosh, një copëz vezulluese qielli të largët e të pafund, ku fluturonin me shpejtësi zogjtë truma-truma.

Por ky shkëlqim gazmor i qiellit, me të hyrë në atë dhomë të lartë e hijerëndë, të mbyllur me perde, niste e dobësohej, bëhej më i butë, kotej tapicerive, mekej perdeve të trasha dhe venitej fare qosheve të errëta, ku vetëm kornizat e praruara vezullonin si flakërim zjarresh. Qetësia dhe gjumi ngjanin si të burgosur aty brenda, ajo qetësia karakteristike e shtëpive të artistëve, në të cilat shpirti njerëzor është drobitur së punuari. Midis atyre mureve ku strehohet mendimi, ku mendimi i shqetësuar është sfilitur mes përpjekjesh të furishme, gjithçka nis të duket si e topitur dhe e dërrmuar sapo mendimi fashitet.

Pas fazash të tilla kritike të jetës, çdo gjë ngjan si e përgjumur dhe gjithçka prehet në qetësi – mobiliet, tapiceritë, portretet e papërfunduara të njerëzve të shquar, thua se edhe tërë banesa është molisur nga kapitja e të zotit të shtëpisë, thua se edhe ajo ka vuajtur bashkë me të, duke marrë pjesë ditë për ditë në luftën e tij të pareshtur. Një duhmë e papërcaktuar e trallisëse bojërash, terpentine dhe duhani, e thithur nga qilimat e kolltukët, mbushte ajrin e asaj dhome; heshtjen e rëndë që mbretëronte aty e thyenin vetëm klithmat e mprehta e të shkurtra të dallëndysheve që kalonin fluturim mbi xhamllëkun e hapur, si dhe zhurmërima e pandërprerë e konfuze e Parisit, e cila arrinte e mbytur që sipër çative. Aty brenda nuk lëvizte asgjë përveç një reje të vockël tymi kaltërosh, që ngjitej drejt tavanit kur Olivje Berteni, shtrirë në divan, pasi thithte cigaren, e lëshonte përpjetë kohë më kohë përmes buzëve.

(Guy de Maupassant: “E fortë si vdekja”,
Titulli i origjinalit: “Fort comme la mort”,
Roman, 240 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s