Recension: Ina GJATA për librin me poezi: ‘‘KOHË PËR VETEN’’ të autores Angjelina Marku

Recension: Ina GJATA për librin me poezi: ‘‘KOHË PËR VETEN’’ të autores Angjelina Marku

 

KOHË PËR VETEN

Dashuria si muzë e përjetësisë… Dashuria si marsh revolucionar kundër absencës emocionale, vetmisë, humbjes, vdekjes…

Libri i Angjelina Markut, ‘‘Kohë për veten’’ botuar në shqip hyn në realitetin e së përditshmes, si një thirrje për të zgjuar emocionet, kujtesën, e vetëdijen shpirtërore.

Në një epokë në të cilën vetë njeriu tenton të shkojë drejt perfeksionit kibernetik e jo atij shpirtëror, poezitë e stilit lirik të autores invokojnë një kohë tjetër. Një kohë ku vëmendja i përket ndjesive, emocioneve e asaj që ne nuk po përjetojmë.

Ashtu si Sapho poetja vjen si një jehonë mitike, për të tronditur realitetin e vagullt emocional të humanëve të këtij shekulli, të cilët ndryshe nga grekët e lashtë, e kanë kaluar në plan të dytë, rëndësinë perceptuale dhe shpirtërore të botës së trazuar të ndjenjave. E në kohë të tilla, ku njerëzit e kanë humbur fokusin apo kuptimin e dashurisë, në këtë vepër dashuria rivjen si qendër e ekzistencës së njeriut, nëpërmjet dhimbjes dhe madhështisë që mbart si emocion.

Tek poezia ‘‘Udhëkryqe Zjarresh’’ vihet re dyshimi, kërkimi dhe një lloj kënaqësie mbase e fshehur, jo vetëm mes rreshtave por dhe nga nënvetëdija e krijueses.
Pse jo?!………

“Perëndeshë e lumturisë
tregomë me kë ta këndoj
lirikën për një shpirt
me djallin apo engjëllin?

Me epshe dashurie
më mbajnë në duar
si dallgët e detit blu
trupin kanë kapluar

Më përvëlo sa të duash
çmenduri e ndjenjës lozonjare
se në këtë udhëkryq zjarresh
nuk dua të digjem fare…”

Libri më i ri i autores të jep mundësinë të reflektosh për detin e pafundëm të ndjenjave njerëzore, dallgët e të cilit të vërtisin në dimensione intense dashurie, trishtimi, malli, emërimi, kthjelltësie… pa të cilat universi i botës së brendshme humane nuk do të kishte kuptim. Dhe pikërisht këtu qëndron magjia e poezisë; Në sublimimin e realitetit ndjesor dhe atij filozofik.

Në vend të shkëputjes së vetëdijes autorja të lidh pikërisht me të.
– Cili je?!
– Ç’po ndjen?

Kthjelltësia qëndron tek të hedhurit dritë mbi përjetimet personale.

Poezia është si miku më i mirë i njeriut. Poezia mbetet si eksploruese e psikës humane. Poezia shfaqet si shprehëse magjike në kuptueshmërinë e këtij cikli jetësor.

Angjelina Marku

Poezia e Angjelina Markut vjen të na zgjojë nga gjumi letargjik i harresës. E pasuruar me personazhe mitike, si nimfat e malit, engjëjt e djajtë, gjuha e autores është filozofiko-romantike por e kthjellët dhe shumë afër lexuesit.

Fjalët e saj të bëjnë të udhëtosh në realitetin e novelave të Jane Austen duke i dhënë një vështrim kritik figurave jetësore dhë botëkuptimit të tyre.

Libri poetik përcjell një antologji “momentumesh” shprehur prej kontrastit e krahasimeve, herë metafizike e herë realistike. Një bashkim mes të shkuarës e të tashmes. Ajo që mund të kishte qenë e ajo që është. E mbi këtë qëndron kuptimi, e vërteta, mbi dashurinë si kryefjalë.
Komunikimi me lexuesin vjen transparent dhe i gjallë.

Struktura e poezisë është vargu i lirë, e organizuar kryesisht në poezi të përbëra prej tre ose katër strofave.

Titulli i veprës shpreh kuptimin e rrugëtimit poetik të saj.

Tematika është dashuria si epitomë e përjetimit të ndjenjës njerëzore. Lidhja e Dashurise me Zotin ngjitet jo si koncept religjioz por shpirtëror. Shkëputur nga poezia “Kë doja”:

“Unë që kurrë
s’e kuptova
nëse më shumë
e doja Zotin
shpirtin tim
apo ty?”

E ngjashme me poezinë Anakreontike, i këndohet dashurisë.Vepra në tërësi gëzon një formë interesante të krijimit të ritmit, pasuruar prej anaforash të cilat lidhen me idenë qenësore të poezisë. Ritmi është i natyrshëm e buron prej vetë tekstit.

Gjatë librit poezia e autores ridimensionohet në thirrje dhe kritikë mes të gjallëve dhe të vdekurve, për lirinë e një toke, që është e gjithë toka. Portreti i tragjizmit vjen përmes simbolikave njerëzore të së vërtetës. Të së vërtetës së një kombi të plagosur e përgjakur nga lufta, mërgimi… e nga:
“njerëz që popullit të vet
i vodhën ardhmërinë.”
(Shkëputur nga poezia “Ëndërr dhe Zhgjëndërr”)

Por ligjërimi është e vërteta e poetit, dhe e vërteta e autores mbi kombin Dardan që vjen e shprehur qartazi në vargjet poetike. Herë në formën e këngës e herë në linja atdhetarizmi portreti i Kosovës së prangosur nga humbja, damarët e së cilës këlthasin për liri, pasqyrohen vërtetësisht në fjalët e poetes. Thirrja mes të gjallëve dhe të vdekurve është aty, e prekshme, koherente, e pamundur të fshihet nga historia e kombeve.

Pas suksesit me romanin “Dimri i Shekullit”, të botuar dhe në gjuhën angleze, autorja këtë herë vjen me librin me poezi “Kohë për Veten”.
Libri është jo vetëm një reflektim filozofik, ndjesor, atdhetar e intelektual por dhe një ruajtës i mirë i vlerave shpirtërore e qenësore të humanitetit e qytetarizmit të vetëdijshëm.

Theksoj se, edhe pse poezitë të kujtojnë lirikat Anakreontike, ato ruajnë frymën e letërsisë moderne që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Oscar Wilde, Robert Browning, Guido Cavalcanti) etj.

Vepra është një angazhim kulturor modern, e përqëndruar në identitetin e qenies humane.
E aftë të dashurojë, të kritikojë e të njohë, përmes kujtesës kombëtare e botërore.

Ura mes “së mirës” e “së keqes” nuk jepet në rrafshin tradicional por qëndron në plotësinë e individit në marrëdhënie me jetën ,vdekjen dhe shoqërinë.

Duket sikur ka një thurje sa të thjeshtë po aq dhe mistike për të gjitha moshat, kategoritë shpirtërore, frekuencat e gjalla dhe ato të “vdekura”. Vala energjitike e mesazheve, emocioneve, fjalëve të thëna dhe të pathëna të rrëmben gjatë leximit të këtij libri. Je aty i vetëm në mendimin që u provokua prej një lumi mesazhesh që humbasin thellë nën tokë, thellë në vetëdijen e secilit prej nesh.

“Koha po ikën?
Ajo ka ikur?”

Por në fakt, ajo është gjithmonë këtu, aktuale.

 

Ina GJATA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s