Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

SHKRUAR NË ETER

Mos u trishto, pse s’shkruaj si të tjerët,
E si pa kuptim qesh, si pa kuptim qaj.
Shpesh vdekjen ofroj pranë, më herët,
Pastaj me jetën eci më tej, matanë saj.

Ngrihem nga varri e emrin vë mbi gur,
Dhe vdekjen e përshëndes si zbavitje.
Se ne që edhe kur jetuam, bëmë sikur,
Sikur, kemi për të bërë edhe në ikje.

Mos u trishto, ndërsa tek ai gur do vish,
Dhe nuk do t’i gjesh germat e thjeshta.
Nëse asnjëherë, jeta ime, imja nuk ish’,
Pse duhet vallë, të jetë e imja vdekja!?

 

KUSHTET E MIA

Ndoshta u nguta në mallin tim të parë,
Ja si tërë burrat që u pëlqen pak vetja.
Unë bëra një kërkesë, thjesht si zyrtar,
Ti do mbash mbiemrin tim në shkresa.

Gratë që do vijnë s’do e kuptojnë dot,
Po as ma ndjenë edhe sikur të kem faj.
Se malli për një burrë, është i paplotë,
Kur atij i mungon qoftë edhe ky detaj.

Ndoshta u nguta po më duhej një pakt,
Sa pashë në dy pjesë të ndarë zemrën.
Mendo po deshe:-Ke mbetur çunak!
Unë thash me shpirt:-Ma duaj nënën!

Gratë që do vijnë do të qeshin nën zë,
Me mua që ngatërroj gjërat në shpirt.
Kur të jenë mamkë do thonë tjetër gjë:
-Ikonat si shpikim, i bëjnë perënditë.

U nguta si në kontratë me laps e letër,
Në kohën time kur të shpalla dashuri.
Dhe sikur të të doja në një kohë tjetër,
Vetë do të të krijoja në s’gjeja një si ti!

 

PA KUSHTE

Të të dua , s’mund të jetë e njëjta gjë ,
Si të duash një imazh me mish e gjak .
E pasi të kesh puthur , poret një nga një ,
Të thuash se çdo dashuri e ka një cak .

Duhet të të dua , të të dua ty gjithçka ,
Të të dua kur qan , të të dua kur qesh .
Të të dua puthjet , a ndarjet e mëdha ,
A gjërat që kurrë s’do t’i marr vesh .

Të të dua fjalët që nuk i the asnjëherë ,
Ëndrrat që pa lindur i mbulon me dhè .
Të të dua dhe lotin pa nisur të të bjerë ,
Të të dua edhe për ato që ti m’i fsheh .

Të të dua tymin , që përhapet i lodhur ,
Duke lënë buzët , nëpër llava zjarresh .
Të të dua dashuritë që s’ti kam njohur ,
E brenda teje digjen , si bishta cigaresh .

Të të dua , pa dashur të të pyes më tutje ,
Në ato që s’shoh , kam as s’kam pjesë .
Të të dua , të të dua , thjesht pa kushte ,
E të mos kafshoj buzët që të zura besë .

 

UNË DO TË HUMBAS

Do të humbas, në s’të kam humbur,
Sa kohë dashuroj si shumë të tjerë.
Dhe kur ndjej mall për të të puthur,
“Puç! Puç”, germëzoj mbi tastierë.

Unë do të humbas, pak e nga pak,
Sa kohë ne rrimë kurriz në kurriz.
E poret kërkoj të t’i prek me “taç”,
Kur duhet që mbi lëkurë të lajthis.

Unë do të humbas ty, herët a vonë,
Sa kohë s’guxoj të të them:-Ktheu!
Pa e kuptuar u bëmë krejt si ikonë,
Herë të blerta, a herë ngjyrë dheu.

Unë do të humbas, në s’të humba,
Sa kohë që nuk jam më, si isha dje.
Ku fjalë s’të thosha dhe të mundja,
Po tani me germa, dërdëllit pa fre.

Unë do të humbas, se s’di të ruaj,
Sa kohë në shpinë rrimë si në mort.
Ndërsa në ekran sheh një të huaj,
Se i huaj po të bëhem unë. Sa kot!

Unë do të humbas, edhe si heshtje,
E ti sërish, ke për të më gjetur mua.
Kur u enda në germa, pika e presje,
Si nuk e dija që malli është grua!?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s