Letërsia shqipe / Nga: Hysen Kica

Letërsia shqipe

 

Nga: Hysen Kica

Letërsia shqipe mbart shpirtin dhe ndjenjat e popullit shqiptar, mbart luftën dhe përpjekjet e tij për mbijetesë në kushtet e krizave të mëdha historike, mbart punën heroike për ruajtjen e gjuhës dhe traditave më të bukura. Edhe sot ajo transmeton gjendjen shpirtërore aktuale të njerëzve tanë, problemet e mëdha me të cilat ndeshet psikologjia dhe ndërgjegjia e tij gjatë të ashtuquajturit proçes tranzicioni. Gjithmonë ajo shërben si ushqimi shpirtëror më i suksesëshëm për të ngjallur te njerëzit optimizmin dhe dëshirën për të jetuar e për të gëzuar. Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u lind dhe u rrit në një tokë të ashpër. Ajo herë mbinte e lulëzonte dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të shteteve fqinje. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne, në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar edhe lule të mahnitshme, disa prej të cilave e meritojnë vëmendjen e krijuesve dhe artdashësve të sotëm.
Në ditët tona kemi një zhvillim paksa jokoherent me rrjedhën e problemeve sociale dhe me ndryshimet botkuptimore. Letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë dhe ka në gjirin e saj emra të denjë artistësh, po vazhdon të vuaj mungesën e një komunikimi të lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe sharlatane, që i shërbejnë pak kulturës letrare, vazhdon të jetë pre e disa emrave që mund të jenë gjithçka tjetër veçse jo shkrimtar, vazhdon të jetë pre klanesh e grupesh të mbërthyera nëpër geto partiake. Psikologjia klasore nuk i lejon shkrimtarët tanë të çlirohen nga falsiteti demagogjik dhe dhe influence partiake, të cilët sot, realisht, janë gangrena më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer partive i shërbejnë vetëm antikulturës, unit, shthurjes, degjenerimit dhe jo vlerave; i shërbejnë fragmentimit të letërsisë shqipe, izolimit të saj nga problemet e kombit. Letërsia dhe politika janë sikur letërsia dhe jo vlerat. Konkretisht janë klanet e interesave ato që po e rrënojnë dhe e izolojnë vazhdimisht letërsinë shqipe.
Është pikërisht kjo gjendje e mjerë që e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe, si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin e natyrshëm e të nevojshëm dhe po e mban letërsinë të mbërthyer tek ca emra, shërbëtor ideologjish e autorë pa shije të kulturës artistike. Plot autorë të “mëdhenj” struken pas klaneve dhe grupeve të caktuara politike, vendosin kurora me lule dhe vajtojnë pranë varreve të udhëheqësve të tyre shpirtërorë për të suguruar simpatinë e popullit, duke harruar se arti i mirëfilltë dhe vlerat universale nuk kanë nevoje për mbështetje apo për mburoja të tilla false. Në kushte të tilla, autorë të shumtë shqiptar që vërtet përfaqësojnë vlera të vërteta, e kanë të vështirë t’i afrohen lexuesit shqiptar, i mbyt demagogjia dhe urrejtja klasore, i gropos politika antiartistike dhe u mungon plotësisht mbështetja ekonomike e sociale. Kjo gjendje padrejtësie i vë përballë sfidave të shumëfishta dhe shpeshherë të pakapërcyeshme.
Arti letrar duhet të udhëhiqet nga parimet e mëdha humane për të qenë ushqyes i botës shpirtërore të kombit tonë me ndjenjat më humane. Ai duhet të jetë gjithmonë në harmoni me gjendjen psikologjike dhe ekonomike dhe të punojë për ti bindur njerëzit se rruga e suksesit në jetë arrihet duke zhdukur armiqsitë midis tyre.
Shkrimtari duhet të ketë një zemër të madhe të mbushur me dashurinë e pakufishme për njerëzit. Arti i tij duhet të jetë gjithmonë këmbana e dashurisë dhe e paqës. Ai nuk duhet të harrojë kurrë se duhet të thotë e të mbrojë vetëm të vërtetën. Ka plot njerëz që e kuptojnë të vërtetën si një koncept relativ dhe abuzojnë me këtë parim, por shkrimtari nuk duhet të lëkundet midis injorancës dhe të vërtetës. Ai duhet tu mësojë njerëzve se ka një të vërtetë absolute që buron nga njohja e plotë e psikologjisë së popullit tone dhe që e shpreh ate më shpirtë dhe me art. Shkrimtari nuk duhet të harrojë kurrë se arti letrar është i bukur kur ka në themel ide të bukura. Nuk është vepër e bukur ajo vepër që sfidon psikologjinë e shqiptarit duke i servirur atij shthurjen morale, degjenerimin shpirtëror dhe një fjalor të mbushur me banalitete. Vepra letrare e ka emrin “ Art “ dhe si e tillë duhet të jetë e bukur, e pastër dhe plot ndjenja shqiptare. Shkrimtari mëshiron në veprën e tij një pjesë reale të jetës njerëzore duke e harmonizuar me atë të përfytyruar, por prezenca e tij shërben gjithmonë si udhërrëfyes. Kështu vepra letrare është produkt i një njohje të thellë shkencore të psikologjisë njerëzore, i emocioneve të thella, i gdhendjes së fjalës artistike dhe i transmetimit të një mesazhi shumë fisnik.
“ Ta duam, ta rrespektojmë dhe ta ndihmojmë njeritjetrin”.
Brezi i ri nuk duhet parë si një bashkësi që po ecën në një rrugë pa perspektivë dhe të trajtohet si një objekt ne dekadencë shpirtërore, por si një forcë e madhe progressive që ka nevojë të gjejë një rrugë plot dritë dhe të rendë përpara. Vepra letrare nuk ka të drejtë ta ofendojë popullin, se qenka me mbeturina, por ta trajtojë me dashuri, duhen respektuar traditat dhe kulturat e tij shekullore si perla të vërteta shqiptare. Vetëm ata shkrimtarë që nisin të shkruajnë me qëllimin për ta fisnikruar ndërgjegjien e popullit, vetëm ata që interpretojnë artistikisht shpirtin e këtij populli, kanë sukses.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s