Poezi nga Vullnet Mato
SORKADHJA E VRESHTAVE
Kisha vendosur, i përbetuar,
të mos përdorja asnjë pije,
mendjen ta kisha burim të kulluar,
për vargje të kthjellët dashurie.
Por një sorkadhe qafëgjatë,
zbritur vreshtash mbi korije,
më erdhi në tryezë një natë,
shtroi orgji vere dhe rakie…
Në fillim nuk pranova të pi,
për të mbajtur betimin e burrit,
por ajo, me frymën e saj veri,
menjëherë ma dehu trurin;
Më rrethoi trupin, si mjegull,
me gjethe të ngrohta gushti,
m’u ngjit pas trupit, si pjergull,
më mbuloi me bistakë rrushi.
Më afroi si gotë, të sajën buzë,
dhe pikoi verë të bardhë gjiri,
ma përndezi trupin shpuzë,
më verboi me vetëtima syri.
Tani ma bën“bromp!”përherë
dhe më thotë: “Kështu të dua,
të zbrazësh gota plot me verë,
të më puthësh me zjarr, mua!;
Ç’të duhen vargjet që shkruan,
të hash me lugë floriri bosh,
ëndrrat, vera ime t’i shuan,
realitetin e ëmbël të jetosh!…”
Tani zemra e saj, fole e ngrohtë,
me pupla të buta kanarine,
ka marrë peng, thellë në gjoks,
ku s’e nxjerr dot, zemrën time;
E më drithëron, më pjek si prushi,
nga mbrëmja deri në mëngjes.
Oh, po nuk vdiqa nga pije rrushi,
nga drithërimat e saj do të vdes!…
GJUHA E URREJTJES
Pse flet fjalën e keqe, o njeri,
njësoj sikur të vrava babanë,
të gënjeva motrën në dashuri,
apo të preva në besë vëllanë?
Pse më shan me degë e rrënjë,
kudo ku ndodhesh mes njerëzve,
sikur të përgojova tët ëmë,
apo të kam rrahur për vdekje?
Pse harxhon aq shumë të holla
të më bësh, më të zi se blozë,
sikur të zhvata, disa miliona,
duke të bërë hile në bixhoz?
Pse më ndërsen, çdo lloj briri,
bën zagarë njerëzit e shkretë,
sikur zgjidha qenin nga zinxhiri,
dhe të copëtoi këmishë e brekë?
Pse më urren bre, kot së koti,
kur mund të jemi, miq për kokë,
kur mund të qeshim e të lozim,
pa të pimë dhe ndonjë gotë?
Gërmo pak, për etërit shekullarë,
mund të dalim, dy degë në lis,
mund të kemi një gjak në damarë,
me trimat e shpatave të Arbërisë.
Zgjidh në fjalor, fjalë dashurie,
goja e hidhur, të kullojë musht,
pastaj bijtë e tim biri dhe sat bije,
mund të na bëjnë edhe krushq.
Sikur gjuhën, të ëmbëlsojmë pak,
të gjithë sa jemi në këto brigje,
të na pikonte goja vetëm mjaltë,
do na kish bota, në krye të miqve!.
PEHLIVANI PA PËRVOJË MBI TEL
Pehlivani me shkop nisi të ngjitej
në shkallën e telit të tendosur.
Turma e priti me duartrokitje,
këtë tip ekuilibristi të krekosur.
Ndonëse, pa përvojë mbi tela,
iu duk vetja Ali Xhixha i moçëm,
kujtoi se në tel kohësh të reja,
do habiste njerëzit e sotshëm.
Filloi të bënte gjeste humori,
të luhatej te gjunjët, beli, koka,
qeshi e nga sheshi gjuhën nxori,
kërceu përpjetë dy herë hopa.
Por pa bërë, as gjashtë hapa,
zuri mbi tel t’i dridhej këmba,
shkopi i gjatë e tërhoqi prapa,
ndjeu goditje frike përbrenda.
Humbi ekuilibrin në njërin krah,
teksa në krahun tjetër, anoi fort.
teli u lëkund nga poshtë lart,
dhe ra si thes me krunde përtokë.
Njerëzit qeshën e njëkohësisht,
Thanë: si i hipën telit ky i çartur,
kur sot në cirk, ka ekuilibrist,
që të lënë me gojën hapur?!…
Po të ishte mbi një tel politikani,
ku trau është i gjerë e i shtruar,
edhe si kloun, karagjoz mejdani,
mbase dilte matanë, pa u rrëzuar…