NJË LIBER POETIK ME NGARKESA EMOCIONALE ( Parathënie e vëllimit poetik “Portat e mbyllura me dyllë” të autorit Adem Zaplluzha) / Nga: Kostandin Vogli, shkrimtar

NJË LIBER POETIK ME NGARKESA EMOCIONALE

( Parathënie e vëllimit poetik “Portat e mbyllura me dyllë” të autorit Adem Zaplluzha)

 

Nga: Kostandin Vogli, shkrimtar

Kur fillova të bëj këtë shkrim, u mendova mirë se me kë kisha të bëja. Ademi e ka filluar poezinë që kur ishte pionier dhe ka rrugëtuar për dekada deri në ditët e sotme. Them u mendova mirë, sepse është një nga poetët më prodhimtarë që kam njohur. Kur lexova në biografinë e tij artistike titujt e librave pa mbarim, ngela i befasuar. E pa mundur thashë të ketë botuar kaq shumë. Dhe janë tituj librash, jo tituj poezish. Plotë 178 libra. Sa shumë dhe sa të arrira në stilin artistik, me metafora mjeshtërore, me bukurinë e rrallë natyrore e shpirtërore, me krahasime e shprehje alegorike. Poeti duket sikur i ka shkruar poezitë me anën  e mendjes, që prodhon dyfish dhe trefish në raport me të tjerët. Çfarë befasie dhe çfarë energjie krijuese!

Kur i kam lexuar në facebook poezitë e tij të hedhura një e një, të them të drejtën, kam ngelur i befasuar nga stili i tij i veçantë dhe metaforat e goditura. Poezia “çfarë do ngjaj me njeriun e së nesërmes”. Një poezi e fortë, e goditur. “Me kosën apokaliptike të vdekjes, i pastron xhadetë duke i fshehur kufomat” Autori flet për një kohë të trishtuar alegorike në anën tjetër të mendjes.

Poeti Zaplluzha i ka shkruar me aq shumë dashuri, me aq shumë pastërti, sepse është një njeri që ka parë e sheh brenda ndjenjave dhe shpirtit të njerëzve në mes të cilëve ka jetuar, ka parë e perceptuar gjithë thellësinë e ndjenjave të tyre. Duket sikur shpirti i tij është shkrirë për atdheun dhe popullin. Poezitë e tij jetojnë me forcën e tyre të madhe origjinale dhe me mjeshtëri artistike të përcjell tek lexuesi mbresa të pa shlyera. Ato duket sikur i bëjnë thirrje çdo kohe.

Me librin që kemi në dorë, të 178-in, “PORTAT E MBYLLURA ME DYLLË”, poeti duket sikur ka gjetur çelësin e hapjes së një poezie të stilit të tij. Një stil i veçantë, të cilin e ka gjetur si margaritar duke gërmuar në galeritë e mineraleve. Ademi flet me ndjenjë dhe me shkrepje vetëtimash për tokën e djegur dhe të vithisur që shkel. Ai i shikon hijet e zeza duke kaluar në malet lakuriq. I shikon si ndeshen ato me hijet e bardha dhe aty në ato ndeshje ecin vitet e mëdha me tinguj që nuk përfundojnë. Ngarendin meteorët dhe qielli për diku vrapon. Autori kalon në mitologji tek Helena, kali i Trojës, Uliksi, të cilin e fantazon në lagjen e tij të varfër. Mungojnë njerëzit, nuk bie as shi, as pemët nuk piqen në kohë. Kur mungojnë njerëzit, nuk dihet kur kalojnë dhe stinët. Edhe Dielli rrotullohet si një top i grisur. Lypsa, varfëri, dhunë, heshtje të mbyllura me dyllë. Mungojnë vogëlushët nga ikjet. Dhe ikjet kanë një ngjyrë të verdhë tragjike. Qytetit i kanë vdekur rrënjët, zambaku është fishkur, pemët i ndërrojnë këmishët nën hingëllimat e shiut”. Marrëzia ecën përkrah mençurisë, por marrëzia shtiret si e tillë, sepse ajo nuk ecën vetëm, por me një ushtri të tërë, prandaj shpërthen kundra këmishëve të bardha me dy lloj pasaportash. Njerëz me mendime të shthurura ku galoponin mjegullat.

Autori vajton për atdheun e tij. Vetëm ikje dhe asnjë aeroplan në ardhje. Ngjyrë tragjike. Morfologjia e dhimbjes. Iluzione delikate, hënat xheloze, i prekim me ndjesi. Edhe yjet i kalojnë kufijtë. E kanë humbur mirësjelljen ashtu si njerëzit, prandaj edhe Dielli shtanget. Poetit i mungojnë miqtë. Ikën pa e kthyer kokën pas. Udhëtuan duke lënë nga një amanet, por pa gjurmë. Dhe letra nga mërgimi. Por,- thotë Ademi, “Ta ndezim zjarrin e dashurisë”. E mira është pa ëndrra dhe as gjysma ëndrrash. Pranë oxhakut është e shtrirë dashuria. Shtegu i mallit është zjarri i dashurisë. Ndërsa metafora e heshtjes është si hijet e ndryshkura. Oxhakët presin burrat të vuajnë si gjarpri nën gurë. Kullat kanë nevojë për bekimin e engjëjve. Poeti kërkon dorën e uruar. Dhe pastaj, le të bjerë kitara nëpër luginat e legjendave dhe të përzihet me lahutën e gajden, por nuk duhet të mungojnë njerëzit,sepse ata duhet të ecin dhe do ecin, duke kënduar këngë të pa kënduara.

Poetit i kujtohen trokitjet, sepse ka edhe rikthime në atdhe. Dhe lastarët e njomë rriten, dhe plakat e pleqtë thinjen e harrojnë bubullimat. Kolla e tyre oshtinë në male. Edhe zogjtë ishin sqep hapur nga bujaria e nënave. Por Zaplluzha merakoset për atdheun. E deshëm apo nuk e deshëm?! Vetëm këngë hiperbolike, ndërsa na gërryejnë sinorët dhe ne, “as të gjallë e as të vdekur”. Miku na kafshonte dhe ne kalorësit e mjegullave mjerisht këndonim. Dhe poeti e thërret kitarën të qajë në duet ndoshta me Zotin. Kur vdes shpresa, vdesin edhe iluzionet. Një grusht dëshirë për atdheun e pa çmuar. Poeti ka mallin e etjes dhe të mos fillojmë të harrojmë se kush jemi dhe nga vijmë. Por thotë: “mbase kishte vdekur Zoti!”, sepse nuk dëgjoheshin as kambanat, as engjëjt. Shekulli i kaluar kaloi me rrudha në duar, sepse ishte një shekull barbar. Shekull që shkuli zemra. Shekulli me njerëzit më të marrë. Dhe poeti kërkonte të lirohej zëri i tij dhe të dilte përtej portave të mbyllura me dyllë.

Adem Zaplluzha

“Ti je me të vërtetë njeri”, që u reziston vetëtimave dhe që kapton ylberin pa u shndërruar. Kështu thotë poeti. Është njeri kush mashtron vdekjen. E përbuz atë dhe “matrapazët e fateve njerëzore”. Dua të bëhem tërmet të godas padrejtësinë, të godas edhe rrufetë edhe njerëzit e ligj, mashtrues. Të pa ngopurit janë të uritur. Janë matrapazë të fateve njerëzorë, të njerëzve të varfër, por me shpirt të pasur. Larg nga qyteti mistereve, i njerëzve që ndërrojnë rolet, herë aktorë e herë spektatorë. Duartrokitjet bien si gjethet e vjeshtës, si mollët e kalbura kur tunden degët. Ky është teatri hermetik i kujtesës.

Në tokën e paçmuar kemi dashurinë. Atdheu, – thotë poeti, është gjaku dhe shpirti. Por kohëve të liga duhet t`u qëndrojmë në këmbë. “Të jesh një bishë alegorike”, do të thotë të jesh ushtar. Të jesh një vrasës. Turp për ushtarët vrasës! Njerëz pa fe thotë poeti. Paganë. Po a ishin ashtu edhe paganët, me dhëmballa bishash që lakmojnë trojet e huaja? Kishat janë tonat. Poeti i ka thirrur epitafet dhe hieroglifët e lashtë. Autori kujton kohën e shkuar të luftërave mbi pesëqind vjeçare me osmanllinjtë. Kujton arkivolet drejt Kostandinopojës. Për atë periudhë kur parakalonin në tepsi të argjendta për në kalanë e kokave të prera të Kostandinopojës.

Poeti shikon përtej pasqyrës në thellësi. Shikonte edhe hënën si një gjysmë drapri mes mjegullave të turbullta. Edhe detin e do të këndoj si njeriu. Të mos kafshojë! Një metaforë e bukur. “Duke gërmuar nëpër të kaluarën pastronte shpirtin e erës”. Autori ankohet për shekullin e kaluar ku asgjë nuk kishte ngelur. As njerëz, bile as zogj. Sepse edhe qielli egërsohet dhe nxihet dhe njeriun e gjunjëzon. Ademi kërkon rrugën e ekzistencës. “Shikon diellin në metastazë”. Dhe huazon kujtesën përtej shtatë bjeshkëve. “Atë shteg të pa kalueshëm të ëndrrës, mes gishtave të vetëtimave”. Dhe kërkon të zgjohet nga gjumi i thellë.

“Ti do të kthehesh një ditë” – thotë poeti, do të kthehesh në krahët e lokes. Aty ku e pret një nënë e molisur nga dhimbjet me plagë të pa shëruara. Ajo qëndron duke pritur tek pragu për të ndier aromën. Dhe ai të ndiejë aromën e tokës mëmë dhe të lokes. Ajo nuk pret letër, por të birin. Të kthehet në atdheun e lindur nga legjendat, i përballur kundër stuhive. Atdheun, “që në pa durim të pret”. Autori thotë se vitet tona po rrëshqasin “nëpër ingranazhet e ndryshkura”. Vitet e lodhura rrëshqasin si imazhe të një kohe pa ekzistencë. Por, “do të qëndrojë si statuja”, – thotë poeti,për të mos humbur gjurmët e kohës nëpër mjegulla. Të mos mbetemi pa kohë në ikje misterioze në mes dy epokave. Tani autori mendon të mos arratiset askund, por të zgjohet në një tjetër diell dhe të qëndroj si statujë. Dhe nuk do të tutet as nga rënia e meteorëve mbi kokë. Më kurrë nuk do të arratisem,- vendos poeti.

Portat ishin mbyllur me dyllë. Trokitja në ato porta bëhej pa vetëdije. Trokitje në zbrazëti. “Çfarë nuk rastisa në jetën time”, eh, “Bota do të kishte qenë pakëz më ndryshe, se sa që duket sot në pasqyrën e pa larë.”Poeti proteston, sepse ne jemi më armik me vetveten, se sa me armikun. Dhe ai ankohet për luftën midis partive. Ankohet për atë që nuk duhet të ekzistonte.

Adem Zaplluzha është një poet i mirëfilltë,një përfaqësues i denjë i poezisë shqiptare. Ai me artin e vargjeve dhe metaforat e fuqishme, si mjeshtër i fjalës, nuk e lë zërin në heshtje, nuk fërfërinë si gjethet, as rri ta marr nostalgjinë me grushte, por shpërthen. Egër zërin përtej portave të mbyllura, për një ideal, për atdheun e pa çmuar. Retë e dendura të kujtesës,që i qëndronin diku në zbrazëtinë e ndërgjegjes, i shpërndan nëpër humbëtira. Me ato metafora poeti godet dobësitë e njerëzve. Kërkon të hap portat e dyllosura. Të hap portat e shpresës. Por po të mos ishte fjala, as poeti nuk mund të shpërthente. Dhe ai e di se si duhet përdorur fjala. I jep pak e nga pak Diell që të dal e ngrohtë.

Çdo poezi është e qartë për mesazhin që transmeton. Vargjet janë të plota dhe kanë ngarkesën emocionale pa teprime. Janë të shkruara aq bukur dhe plot dhimbje e nostalgji, ashtu si jetoi gjithë brezi i tij. Autori i ka harmonizuar ato me mjeshtëri, prandaj dhe vepra është e fortë dhe e fuqishme, ndaj do t’i rezistojë kohës e do të jetojë gjatë, me gjithë fluksin e dendur të botimeve. Emblema kryesore e poezive të Adem Zaplluzhës është dashuria për atdheun. Ndaj ato janë kurorë dafinash.

Me botimin e këtij libri poetik, “Portat e mbyllura me dyllë”, Adem Zaplluzha i shton fondit të letërsisë shqipe, në veçanti asaj të Kosovës, një vepër me shumë vlera artistike.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s