Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
POETI I TOKËS
 
Ku s’më çoi rrjedha shkum’bardh’ e vargjeve!
Më zbriti arave me grurë ku larg më vegoi
Buzëqeshur e rrethuar me lule fushe,
Poeti i tokë, legjenda Dritëroi.
 
Torbën e mallit supesh kishte hedhur,
Gazetën në xhep e cigaren në gojë,
Mbështetur në gjurin e bregut të fushës
Nga torba e Devollit nxori penë e bojë.
 
I këndoi folesë ngritur mbi shkrepa
Fluturonin vargjet mbi fushat e arta,
Me zërin kadife përcillte metaforat
Çelnin kodrinash e pyjeve të larta.
 
Nga thesari i zemrës nxori “Nënën Shqipëri”,
U përlot nga loti i “Poçarit të Stambollit”,
Mbushur torbën me stinë Shqipërie
Dhe dy grushte balte nga arat e Devollit.
 
Pëllumba të bardhë mbi kokë i erdhën
Krahët i zgjatën legjendës sonë poet,
Ngjitet bashkë me to me kallëza në duar
Arave t’kuqërremta vështrimi i mbet.
 
Fluturoi gëzimi i vegimit dhe u bë erë
Me hirin e legjendës u tret nëpër re,
U bë shi pranvere mbi lulet e pemëve,
Syri i diellit pagjumë, qiellit mbi ne.
 
 
 
KËNGË MALESH
 
Nga Jezerca zbret lehtë agu nëpër pyje
Lëndina e blertë e pret me këngë bilbili,
Pika vese loton gjethi e zbret mbi petale
Vjen freski Razme, derdhet aromë tërfili.
 
Ësht’ dhimbje t’mos shkelësh tapetin e blert’
Ku hëna kreh flokët mbi maja lisash,
Rrethuar i rrijnë yjet, kurorë mbi kokë
Malet hedhin flladin livadhesh e pishash.
 
Majë alpesh tek yjet,Thethi si fosfor ndrin
Dy këngë në gjunjë malesh pushojnë,
Oshëtin jehona poshtë si përroi
Drejt tyre me nxitim dashurit’ shtegtojnë.
 
Erë nektari sjell Razma e Thethi në shkëmb,
Bujaria u ndrin në ballin hënor,
Nga larg Rozafa tret mallin në gur
Mbi Drinin e Bunën, liqenin valor.
 
 
 
MONOLOG
 
Në starte e zgjodha jetën me ritme agimesh
Sportive me atlete në korsitë e shpejta,
Zemrën e ushqeva me tërthore shtegtimesh
Gjuhën e fola në ligjërata të drejta.
 
Me shkulme tingujsh e ngjyra jeta rrëshqet
Si pajton me kuaj në mjegull e kaltërsi,
Dole nga korsia i humbur ke mbet
Ndaj zgjodha të vrapoj me të sajën shpejtësi
 
 
TINGUJ PARAJSE
 
Lart mbi Llogara
Dielli i shkel syrin detit,
Deti i dehur nga rrezet
Çmpin trupin dhe puth ngrohtësinë.
Shpateve
Gjarpëron rruga drejt qiellit
Si brez i gjatë malin mbështjell,
Lakohet e dredhohet
Me përkundje ninullash.
 
Ditës së nxehtë
Krahë pulëbardhash
Brigjeve u bëjnë hije.
 
Llogaraja!
Mandel mëndafshi i blertë mbi valē
Ballkoni i Perëndeshës Afërditë,
Sytë lanë me vesën e mëngjesit
Vështrimin larg e tret,
Përkthen gjuhën e dashurisë
Dhe bie në gjunjë para detit.
 
Vlugon gjelbërimi,
Reja borëbardhë
Mallshëm përqafon malin në gji.
 
Mbrëmjeve kënga e valëve
Gjumin e natës përkund.
Maja malit
Celebruar me unazë yjesh
Fjolla tingujsh derdh
Mbi supet e Llogarasë,
Sipër saj
Beatriçja harpës i bie.
 
 
 
METAMORFOZA E QYTETIT TIM
 
Një sirenë e gjatë fluturoi hapsirës blu.
Trageti hyri në kalatë.
 
Mirëmëngjesi, qyteti im!
Sapo këmba puthi dheun tënd
Përdore më more dhe ecëm të dy…
Të trishtuar të gjeta
Me ballin rrudhosur nga lëndimi!
 
U lotova në duart e tua
Që gdhendën fytyrën time
Kur pashë lotin në syrin tënd,
O bukuri e valëve
Ngritur statujë e bardhë mbi to!
E pikëlluar tu lëshova në prehër
Ku kokën mbështesja stinëve.
 
Trazuar qenka zemra jote e artë,
Në copëza ta paskan shqyer shallin e blertë
Hedhur supesh mbi kodrina!
Nuk i shikoj më gjurmët e mia brigjeve
Ku mëndafshi jeshiluar derdhej
Valëve me aromë pishash,
Hapsirat e nxehta rënore
Me trëndafila dashurishë mbjellur!
 
Nata t’i preu bredhat,
Blirët aromatikëkë
Ku çerdhonin dallëndyshet,
Si kurorë e blertë mbi krye të qëndronin.
Sytë të trembur ndiqnin pamjet…
 
Të paskan zhveshur, qyteti im!
Në kafaz betoni qenke futur!
Si xixëllonjë digjesh në heshtje!
 
 
 
LOT I HIDHUR
 
Na dhimbset vetja
Kur dallg’ e burimit
N’ujëvara zbret
E burimin s’e pijmë dot,
Me vlagën e fushës rritemi
E fusha s’na begaton,
Dritën afër e kemi
Dritën e vonojmë.
 
Në hapat e fundit të kulturës shkelim
Tirandat e prapësisë na tërheqin
Kontrapunt të vetes bëhemi,
Anije me trajektore
Në tymnajë mbetemi.
 
Dhimbje që pikon e trishton,
Lot i hidhur.
 
 
 
SILUETË PËRTEJ LULESH
 
Syri më vështron pa zor
Nëpërmjet poreve të muzgut
Strehën tënde,
Aq afër me shtëpinë time.
Përtej luleve të ballkonit
Nuk shquaj më forma të hapura,
Veç siluetës sime
Të qullur nga djersët
Duke shtrydhur me mundim
Lodhjen e virgjër të viteve.
 
Iu luta muzgut
Të ma sillte këtu Veten time.
Ma solli
Majë një skepi korbash.
 
Ngandonjëherë
Të folurit me vete
Të çliron për tu larguar
Nga ky karvan fatesh të nemura.
 
Tani ndjehem e skalitur
Me heshtjen e pashije
Si puthje fantazmash
Që më kafshon netët e pagjumëta.
 
 
ETJE
 
Etjen në tryezë Gopseku e vendos
Më e madhja, e vetmja për të gosti,
Arin dhe malet e fushat t’i ketë
Tryezën po të varfër e ka përsëri.
 
TEORIA E GJENIT
 
E pyetën të ligun në jetë kur erdhi:
— Pas lindjes vjen vdekja,
Ferrin a parajsën don?
— Ferrin — tha ai dhe syri gjak i rrodhi,
— fara e gjenit tim historinë s’e ndryshon.
 
 
 
MELODI ZEMRE
 
Le ta ruajmë zemrën që flatron aq lehtë
Brenda kapilarëve me lëng trëndafili,
Melodi e palodhur, pa natë e pa ditë
Portat hap e mbyll, petale zymbyli.
 
Ta shtërngojme në gji atë forcë hyjnore
Mos ta lëmë të shkojë vjeshtave me shi,
Sa më shumë ujëvarë e bardhë ajo të rrjedhë
Aq më shumë në shpirt do kemi madhështi.
 
Ajo është diell që jetës i jep jetë
Syri i burimit ku çel kaltërsia,
Mos lejojmë rrëket’ të hyjn’ në rrjedhë të saj
Që të ngulin rrënjët ferra e ligësia.
 
@seti pezaku vladi
19/07/2018
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s