METAFORIKA E VDEKUR DHE GJUHA E PANDERSHME E POLITIKËS / Nga: Kadrush Radogoshi

METAFORIKA E VDEKUR DHE GJUHA E PANDERSHME E POLITIKËS

 

Nga: Kadrush Radogoshi

Shkrimtari Xhorxh Orvell (George Orwell) është i njohur jo vetëm me romanet, por edhe me esetë e tij. Duke e lexuar esenë e tij “Politika dhe gjuha angleze” (“Politics and the English Language”), të botuar në një antologji për studentët e shkrimit kreativ me titull “The Norton Reader”, në mendjen time fenomenet e deformimit të anglishtes në politikë dhe veprimtari tjera publike m’i përkujtuan të njëjtat fenomene edhe në realitetin shqiptar, por në formë edhe më të vrazhdë e më primitive, prandaj në këtë ese do të trajtojmë fenomenin e deformimit apo degradimit të gjuhës shqipe duke u kufizuar vetëm në jetën politike. Arsyeja është se politika me pushtetin e saj ndikon drejtpërdrejtë në rrjedhat gjuhësore dhe shkalla e negativitetit të saj shpreh shkallën e natyrës destruktive të politikës.
Esenë e tij, Xhorxh Orvelli e fillon me konstatimin se gjuha angleze është në një gjendje të keqe prandaj ai vë në spikamë disa prej shkaqeve. Duke bërë një gjë të tillë ai e lë të nënkuptohet mundësia e ndërprerjes së kësaj rrjedhe negative, që shpie kah kolapsi i gjuhës.
Në kontekstin e këtij konstatimi të Orvellit shtrohet pyetja: Po në gjuhën shqipe a ka rrjedhë negative dhe a ekzistojnë në të fenomenet rrënimtare, të cilat i vë në spikamë autori i esesë. Pa frikën se mund të gaboj mund të pohoj se të gjitha ato fenomene rrënimtare veprojnë edhe në gjuhën shqipe, bile në një formë edhe më të vrazhdë. Kuptohet ka edhe fenomene rrënimtare, që janë karakteristike vetëm për shqipen, e cila ka lind dhe është zhvilluar në rrethana të tjera historike në krahasim me anglishten. Gjithashtu edhe konteksti i sotëm shoqëror i shqipes është i ndryshëm nga ai Orvellit, prandaj shqipja s’ka se si të mos e shpreh këtë.
Kritika e Orvellit në radhë të parë u drejtohet faktorëve politikë dhe ekonomikë, të cilët luajnë rol vendimtar në jetën e folësve të gjuhës. Bile ai thekson qartazi se zgjidhja nuk mund të vjen vetëm nga ndonjë shkrimtar sado i madh qoftë ai.
Pos dy fenomeneve negative të vendosura në titullin e këtij shkrimi, Orvelli trajton edhe fenomenin e të “folurit pretendues” apo imponues do të thoshim ne.
Togfjalëshin terminologjik “metaforë e vdekur” për herë të parë e ka përdorur Xhorxh Orvelli, i cili, më vonë, është pranuar edhe në kritikën letrare dhe në mësimin për letërsinë, në radhë të parë si term vlerësues, por pastaj edhe si term interpretues. “Një metaforë e krijuar (rishtas K.R.) e ndihmon mendimin duke evokuar një imazh vizual, ndërsa një metaforë teknikisht e vdekur e humb gjallërinë e saj, kur rikthehet në fjalë të zakonshme”, thotë Orvelli ndër të tjera. Ky mendim i autorit e krijon idenë e përgjithshme për domethënien e togfjalëshit “metaforë e vdekur”. Më tutje ky autor vazhdon se “ekziston një grumbull i madh mbeturinash prej nga dalin metafora, të cilat e kanë humbur tërë forcën evokuese dhe përdoren vetëm pse i lirojnë njerëzit nga krijimi i togfjalëshave (të rinj K.R.) për vetveten”. Sipas këtij autori njerëzit me formim të mirëfilltë intelektual dhe me prirje kreative i krijojnë togfjalëshat e tyre metaforik, të cilët na sjellin imazhe të freskëta vizuale. Në këtë kontekst lind vetvetiu pyetja: cili është raporti sasior në mes të individëve, që krijojnë identitetin e tyre shprehës dhe atyre që përdorin metafora të vdekura? Për ata, që e njohin realitetin kulturor e politik shqiptar sot, përgjigjja është pothuajse e njohur. Numri i krijuesve të metaforikës personale dhe të freskët është shumë më i vogël se i atyre, që shërbehen nga grumbulli i metaforave të vdekura. Mendojmë se i lidhur ngushtë me tipin e metaforës është edhe konteksti i vendosjes së fjalëve. Ata, që janë të zotët në aspektin e krijimit të togfjalëshave të ri metaforik, janë të zotët edhe për të krijuar kontekste të reja fjalësh, të cilat krijojnë mundësi të mëdha shprehëse, prandaj thellësia e mendimeve dhe vizionariteti i tyre, të shumtën e rasteve, nuk mirëpritet sepse nuk kuptohet sa duhet e si duhet ose krijon ndjenjën e rrezikut për përdoruesit e metaforave të vdekura dhe konteksteve të ngurtësuara. Këta individë kreativë janë të vetëdijshëm se gjuha është një instrument shoqëror, të cilin e formësojmë sipas nevojave tona. Formësimi kreativ i gjuhës është i domosdoshëm për regjenerimin e politikës.
Disa prej metaforave të vdekura në anglishte sipas Orvellit janë: “qëndron krah më krah”, “peshkim në ujëra të turbullta”, “sipas urdhrit të ditës”, “thembra e Akilit”, “kënga e mjellmës”. A përdoren këto metafora të vdekura në politikën shqiptare lind pyetja. Përgjigjja është pohuese. Politikanët shqiptarë përdorin edhe shumë metafora të vdekura të krijuara nga praktika e deformuar politike. Ashtu siç thotë edhe Orvelli, një pjesë e politikanëve nuk e dinë kuptimin fillestar të tyre, ndërsa pjesa tjetër e politikanëve i përdorin gabimisht. Zakonisht përdorin togfjalësha të tipit: “e bën joefektive”, “militon kundër”, “krijon kontakt me”, “t’i nënshtrohet” etj. në vend të fjalëve të thjeshta. Karakteristikë e këtij të foluri është përdorimi i fjalëve pa ndonjë funksion gramatikor dhe semantik. Një fenomen i tillë krijon proliksitetin e të folurit apo fjalamaninë.
Një tipar tjetër i të folurit të deformuar të politikanëve të paformuar intelektualisht është të folurit pretendues, i cili nënkupton deklaratat e thjeshta të maskuara me fjalë të huazuara nga fushat e ndryshme të diturisë siç janë: element, fenomen, koncept, objektiv, princip, kategorik, vizionar, efektiv, jo efektiv, kreativ, narrativ, virtual, primar, konstituim, utilizim, promovim, etj. Me këto fjalë të huazuara nga fushat shkencore përpiqen, që fjalimet e tyre të njëanshme t’i maskojnë me një objektivitet falsë.
Ndër format më karakteristike të deformimit gjuhësor në Kosovën e pasluftës do të veçojmë vetëm dy prej tyre: eufemizmi, satanizimi gjuhësor dhe superlativët përjashtues.
Eufemizimi i të shprehurit të politikanëve ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë në relacion me Serbinë, me serbët dhe krimet e shumëfishta të tyre ndaj shqiptarëve në Kosovë është përdorimi më i pandershëm i gjuhës, i cili bëhet për t’i minimizuar krimet makabre serbe dhe gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Eufemizmi i parë në Kosovën e pas luftës është emërtimi “të pagjeturit” në vend të emërtimit të vërtetë “të zhdukurit”. Mekanizmat ushtarakë dhe policorë serbë masakruan mbi 13.000 civilë shqiptarë pa dallim moshe apo gjinie, të cilët i morën nga shtëpitë e tyre apo nga kolonat e refugjatëve gjatë spastrimit etnik. Trupat e këtyre viktimave shqiptare i varrosën nëpër varrezat masive nëpër Serbi, i zhytën në Danub së bashku me kamionët frigoriferë, apo i dogjën në shkritoret e Surdulicës (qytet në Serbinë Jugore), të Trepçës etj. A nuk është cinizëm tmerrues, që këta njerëz të quhen “të pagjetur”? Të pagjetur mund të quhen njerëzit, që humbin për shkaqe të shëndetit të keq mendor, apo për shkaqe fatkeqësish natyrore e jo njerëzit, që i vret shteti dhe me qëllim ua zhduk varret dhe çdo gjurmë të tyre në funksion të fshehjes së krimeve shtetërore. Në këtë kontekst mund të pohojmë me plot gojën se ky eufemizëm është fshehja gjuhësore e krimit shtetëror serb.
Togfjalëshi eufemistik i krijuar në Kosovën e pasluftës “diskriminim pozitiv” është shembull tjetër i përdorimit të pandershëm të gjuhës. Ky togfjalësh terminologjik dëshmon tërë padrejtësinë, që iu bë popullit shqiptar të Kosovës pas luftës. Fillimisht këtë eufemizëm e përdorën burokratet ndërkombëtarë dhe e përvetësuan politikanët gjysmanalfabetë dhe të korruptuar shqiptarë. Ky togfjalësh paradoksal në aspektin e formimit shpreh hipokrizinë e atyre, që e krijuan dhe të atyre që e përdorin. Fjala “diskriminim” është emër me kuptim negativ dhe nënkupton trajtimin e padrejtë apo paragjykimin e kategorive të ndryshme të njerëzve e veçanërisht në aspektin e racës, kombit, fesë, moshës apo gjinisë. Pra, fjala “diskriminim” në përdorimin e saj normal mund të pasohet apo të cilësohet nga mbiemri “negativ”, ndërsa fjala pozitiv është mbiemër dhe tregon një cilësi të mirë apo një vlerë. Formulimi i këtij togfjalëshi paradoksal është krijuar si eufemizëm për padrejtësinë, që po u bëhej shqiptarëve duke privilegjuar pakicën serbe me të drejta, të cilat nuk i ka asnjë pakicë kombëtare në cilindo shtet me demokraci të zhvilluar e të mos flasim për të drejtën bllokuese për shumicën shqiptare në Kosovë.
Lista e togfjalëshave eufemistikë në gjuhën e politikës diskriminuese të udhëhequr në Kosovë është e gjatë, por ne do të trajtojmë vetëm edhe dy togfjalësha të tillë. I pari është togfjalëshi i kryetarit të Kosovës Hashim Thaçit “korrigjim i lehtë kufijsh”. Autori i këtij togfjalëshi eufemistik sikur na kujton njeriun primitiv, i cili i ballafaquar me fuqitë e panjohura e rrënimtare të fenomeneve natyrore apo figurave të ndryshme mitologjike të së keqes dhe nga frika prej tyre i ka quajtur me emra të zbutur kuptimisht. Këtë togfjalësh autori e përdor për gogolin apo lugatin e ndarjes së Kosovës. Duke qenë bashkëpunëtorë të Thaçit në bisedimet me Vuçiqin, të cilat kanë prodhuar një projekt për copëtimin e Kosovës dhe humbjen e pjesëve me rëndësi të veçantë ekonomike dhe ekzistenciale për Kosovën Edi Rama dhe Baton Haxhiu e vendosën në një kontekst cinik dhe tërësisht të pamoralshëm togfjalëshin “bashkimi kombëtar”. I vendosur në një kontekst të tillë togfjalëshi “bashkimi kombëtar” nuk e ka kuptimin e vet të vërtetë të përcaktuar saktë nga lëvizja kombëtare shqiptare në këto njëqind vitet e fundit, i cili nënkupton bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet kombëtar. Në këtë kontekst të keqpërdorimit të këtij togfjalëshi nga kryeministri i Shqipërisë dhe agjenti serb Baton Haxhiu (ka më shumë se tre muaj që ka publikuar në televizionin e tij Klan-Kosova hartat për ndarjen e Kosovës, kuptohet në bazë të planit serb) shtrohen pyetjet: 1. Çka nënkuptojnë këta të dy me togfjalëshin “bashkim kombëtar”? dhe 2. A nënkuptojnë bashkëngjitjen Shqipërisë të një cope të mbetur të Kosovës pas copëtimit? Në esencë këta dy togfjalësha eufemistikë mundohen të maskojnë veprën penale të sanksionuar në kushtetutat e Kosovës dhe Shqipërisë.
Përkundër eufemizmave dedikuar politikës gjenocidale të shtetit serb ndaj shqiptarëve, pushtetarët shqiptarë të Kosovës dhe një pjesë e madhe e ndërkombëtarëve opozitën konsekuente dhe parimore në të bërit politikë e ka karakterizuar me një gjuhë diametralisht të kundërt me eufemizmin, e cila me sigurinë më të madhe mund të quhet gjuhë satanizuese. Gjuha satanizuese ka qenë dhe është akoma kulmi i keqpërdorimit të gjuhës dhe zakonisht iu ka paraprirë arrestimeve, burgosjeve, vrasjeve në sheshe, “vetëvrasjeve” nëpër qelitë e burgjeve (Astrit Dehari …) etj. Shembulli më domethënës i gjuhës satanizuese është ai i Gebelsit.
“Liria ime përfundon aty ku fillon cenimi i lirisë së tjetrit” është maksimë e njohur dhe e respektuar në botën me demokraci të zhvilluar apo autentike. Sa herë që e dëgjojmë apo lexojmë këtë formulë të rëndësishme leksikore është e preferueshme të pyesim: A e respektojmë ne shqipfolësit lirinë e tjetrit apo me lirinë tonë personale nënkuptojmë të drejtën tonë për ta cenuar lirinë e tjetrit? Për fat të keq, të shumtën e rasteve, me padashje apo pa të ndodhë kjo e dyta. Këtë fenomen kufizues apo cenues të lirisë së tjetrit e shpreh mënyra se si ne i përdorim kategoritë gjuhësore në komunikimin tonë me të tjerët. Në këtë rast do të vë në spikamë keqpërdorimin e vetëm një kategorie gjuhësore. Kjo kategori e keqpërdorur është shkalla sipërore apo superlativi i mbiemrave. “Ky është më i miri për këtë post (arsyetimi i nënkuptuarës: është djali ose nipi i filan fistekut)” apo “kjo është më e mira për sekretareshë ( arsyetimi i nënkuptuar: është shumë seksi) Duke i mbivlerësuar të preferuarit të tyre politikë me mbiemrat e shkallës sipërore apo me superlativët absolutë propaganda politike i nënçmon apo përjashton padrejtësisht subjektet e së njëjtës kategori. Shkaqet kryesore të këtij fenomeni janë niveli primitiv i folësit, nepotizmi dhe logjika korruptive. Subjekti i vlerësimeve të tilla ose nuk sjellë provë apo argument ose edhe kur përpiqet ta bëjë një gjë të tillë është i pabesueshëm dhe aspak bindës. Shembulli më eklatant i keqpërdorimit të shkallës së mbiemrit si kategori gramatikore në të folurit publik është rasti, kur njëra ndër figurat më të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, në një studio televizive kosovare e pat mbrojtur nga sulmet publike një figurë të dyshimtë politike: ”nuk kemi njeri më të mirë për kryeministër se X.Y.”
Si përfundim mund të themi se deformimet gjuhësore të politikanëve shqiptarë janë të shumta dhe dëshmojnë se sa i ultë është niveli i politikës shqiptare në aspektin profesional e të mos flasim në aspektin moral. Edhe në rastet, kur ndonjëri nga politikanët krijon përshtypjen te njerëzit naivë se është orator i mirë, kemi të bëjë me format më të rrezikshme të keqpërdorimit gjuhësor që nënkuptojnë demagogjinë dhe spekulimin, sepse të folurit e bukur përdoret për të mbuluar veprimet e dëmshme ndaj atdheut. S’na mbetet tjetër pos të tërheqim vërejtjen se metaforat e vdekura, të folurit pretendues dhe përdorimi i pamoralshëm i gjuhës nga politika është shenjë alarmi për rrezikimin e së sotmes dhe së ardhmes së pronarëve të vërtetë të gjuhës shqipe dhe për tkurrjen e gjeografisë saj mijëra vjeçare.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s