ILIR BELLIU (1971–2000) / 15 poezi dhe një prezantim nga Agron Tufa

ILIR BELLIU (1971–2000)

 

Brenda teje këndojnë gjithë zogjtë e botës

Fisnike je
Si një gjethe e kuqe dielli.
Brenda teje gjithë zogjtë e botës këndojnë
Dhe askujt nuk i shkon ndërmend
Se aty jepen koncerte.
Ndryshe me orë të tëra
Do të mbanin vesh
Dhe agimi i prirur
Për të qeshur me lot,
Dhe panciri i ndritshëm i shiut
Që duket shkoqur që qan
Dhe mëzi i pashtruar
Prej gjithkujt i harruar
Që me siguri kish për t’u madhëruar.

21 tetor 1989

 

Vajtim

Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…
Ah, ti ke lindur për të qeshur,
Me atë kafkë të vrejtur…
Ziej se më përzunë
Sikur s’kam qenë kurrë!
Jemi, por do të ndahemi
Me yjëzit në kurm,
Jemi për të qenë
Sterilë, mbetur mangut,
Me barelë për të përcjellë
Djalthin e vdekur të agut…

Jam pa fole dhe fle
Aty ku më le…

 

***

Ankthet pa pushim
valëvitin flamurkat
kope të gjalla vetmish
ngjeth Kitaristi i Tokës.
Dhe miu i verdhë i diellit
Qan në qiell i helmuar.

 

Këngë tjetër

Dihet
Keqësimi i Motit
Është punë e zotit
Eh, sa i bukur bubi
fle në tavan
te Cubi.
S’mbijnë dhëmbë në pëllëmbë
as borzilok në zorrë
pa një cent në korrent
Më afron një dorë
Eh, sa i bukur bubi
Fle në tavan
te Cubi…

 

S’di kush të ndjek pas

Thërrimet e thirrjeve
mbledh në agoni
zogu i strukur
në gjoksin e ndukur.

S’di kush të ndjek pas
deri larg te treni
e tinëz të ngjit
një sëmundje Qeni.

Oh, zgjohu edhe ti
Vetvetja është fuqi
e mbushur me fuqi.

 

Lirikë

U bënë fije-fije
pëllumbat prej mërzie
E një muzikë e përgjakur
të kujton se je plakur.

Më puthi për së dyti
E në lotë shpërtheu
përbindëshi fëminor
me një trishtim qorr.

U bënë fije-fije
pëllumbat prej mërzie
e një muzikë e përgjakur
Të kujton se je plakur.

 

Troket në derë një panterë

Gjarpri zhvirgjëron
një vaginë në greminë
Çupkë e vogël qan
Ka humbur shtëpinë.
Si prej një krateri
rrjedh nga goja vreri
e kuri bie terri
një panterë besëprerë
Troket tri herë në derë…

 

Cigani i vdekur

Ciganin lëndon
Fajtori instinktiv.
Cigani!
Ylberi që vdes
si zebër pa zemër!

Fytyra e shenjtit

Fytyra e shenjtit shfaqet
Te të tjera fytyra
Te pasqyra…
Syri im
Hiqet zvarrë
Në të shenjtit fytyrë
Duke qarë…

 

Rënie

Pup, që nga dritarja
në prehërin tënd rrëzohesh…

Ç’muzikë pikë-pikë!
Vallëzon pa një qenie
Tirani gri në Rënie
E popuj të pabesë
shndërrohen në vesë…

 

Shëmtirë e bukur

Ç’shëmtirë e bukur!
Zjarrngrënësi, mbresëlënëse,
negri, i egri!
Me dy kocka të kota
çmendisht i bie
xhazit të Hënës…

 

Arie e urryer arratie

Lehin e lehin
ata që të mjelin…
ti i ndjen e zjen
tempujsh të trishtë përvujtnish…
Oh, njerëz njëngjyrësh
shkrihen me djallin e vockël
të Dheut
Dhe në çast groposin
atë të pagojin…
I pagoji! I pagoji!
Zjarret e errët
të zorrëve të zemërimeve
ndjellin një arie të urryer
arratie…

 

NJË NJERI FLE MBI BAR

Një njeri
Fle mbi bar
Dhe as që i sheh
Dallëndyshet e zeza të gjakut
Që ngazëllimthi përmbytin
Pakëz botë…
Dhe sesi duket,
Si i vrarë ëndërrisht.
Dhe degë të shumta
Mbi kokë i gjenden.
Ato i blerojnë vetminë
Dhe e ngushëllojnë verbtazi
Për humbjen e ëmbël
Të bareshës
Së vëmendjes.

 

SHKRETËTIRË E MËNDAFSHËT

Shkretëtirë e mëndafshët,
Lebetia e përdalë…
U ndamë…
Zot,
Sa i hekurt ndihet
Krishti i këlthitjes!…
Lulebishëz,pa shih!
Prej teje në çark,
Qorrazi nusërojnë,
Doçkat e njoma të arratisë…

 

I VARUR NË ÇENGEL TË HËNËS

Pranguese prehja
Për atë të varur
Paudhësisht të mardhur…
I varur,i rrahur,
Sheqer i gajasur,
Gafore iluzore,
Erë e mjerë përbindshore…
I varur ndër dhëmbë,
Zebër e egër pa nënë.
I varur ngjyrë urie,
Vezë e zezë,
Pjergull
Në mjegull…
I varur ,varrngrënës
Në çengel të hënës!…

Shndritja dhe shuarja e një metori

 

(Mbi krijimtarinë e poetit avangardist Ilir Belliu, fragment)

I
Ilir Belliu hyn në rradhën e atyre poetëve, të cilët patën në jetë veçse një udhëzë të shkurtër flakërimi dhe shuarjeje, sikundër se është udha e djegies së një meteori gjer sa shuhet në gji të dheut. Letërsia në përgjithësi është e mbushur plot me raste të tilla të dhimbshme, aq sa vetë poetët sikur instinktivisht ngulmojnë të shkëndrijnë me dritat më lëbyrëse para shuarjes së tyre, por me një asi inkadishence që mbetet e pashlyeshme në kujtesë (kuptohet – në kujtesën letrare, pasi për atë është fjala). Të tilla janë vdekjet tragjike në moshë të re dhe në kulm të krijimtarisë së tyre, si vdekja e 22 vjeçarit Vsjevollod Knjazjev, e mendimtarit 23-vjeçar Otto Weiniger, e 24 vjeçar dhe Jacques Vache dhe Atila Jozhef , e 26- vjeçarit John Keats, e 27-vjeçarëve Mihaill Lermontov, Velimir Hljebnikov, Georg Trakl dhe e poetit shqiptar Migjeni, e 29 vjeçarit Novalis, e 30-vjeçarëve Sylvia Plath, Sergej Esenin, Hart Crane, e 37 vjeçarëve Rjunoske Akutagava, Aleksandër Pushkin, Vladimir Majkovski etj…
Vdekja e poetit shqiptar Ilir Belliu e ndërpreu krijimtarinë e tij në moshën 29-vjeçare kur ishte në kulmin e pjekurisë artistike, kur kishte krijuar një sistem poetik origjinal, të dallueshëm në intonacion, ekspresivitet dhe figuracion të shprehjes poetike. Për nga forca artistike, mjetet e ligjërimit dhe procedetë avangardiste, poezinë dhe prozat poetike të Ilir Belliut mund t’i përqasim me atë të surrealistëve René Char-it, Henri Michaux-it, kubofuturistit Velimir Hljebnikov apo avangardistevë ekcentrikë Danill Harms dhe Aleksandër Vjedenskij, anipse fati i Belliut tonë qe edhe më i trishtë. E gjithë krijimtaria e tij është botuar pas viteve nëntëdhjetë, pa llogaritur dy herë debutime të suksesshme me cikle poetike në faqet letrare të gazetës “Zëri i Rinisë” në vite 1989 dhe 1990.
Sa qe gjallë, Ilir Belliu la të botuar vetëm një përmbledhje poetike “Vetmi me njerëz” (1992). Vëllimet me poezi “Rrjedh një lumë në kafkën time” (2002) dhe “Murgu i muzgut” (2005) janë botime postmortum, të gjitha sipas dorëshkrimeve të mbetura dorëshkrim. Sidoqoftë, kjo nuk na pengon të gjykojmë mbi poezinë dhe profilin e tij poetik të krijuar, ajme, për një kohë relativisht të shkurtër, gjithësej, përgjatë 19 vjetëve.

II
Ligjërimi poetik i Ilir Belliut është tipik avanguardist dhe në fakt, ai nuk duhet parë i shkëputur nga fryma e një grupimi poetësh të mbledhur në fund të vitit 1990 dhe që në fillim të vitit 1991 shpallin shoqatën e parë artistike avanguardiste në Shqipëri. Ilir Belliu ishte pjesë e këtij grupimi poetësh, të cilët vëtëm duke u bazuar në frymën radikale të risisë, të përmbysjes së kanoneve dhe modeleve ekzistuese, kërkonin intuitivisht të mbylleshin brenda një rrethi të ngushtë elitar, me qëllim që të mos kishin të bënin me molepsjen e përgjithshme gjuhësore e klishete që kishte prodhuar realizmi socialist. Kjo ishte një karantinë vullnetare për të ruajtur “higjenën artistike” dhe njëkohësisht, strategjia e këtij grupimi të shpallur me statut “Shqoata RLA” (Rinia-Letërsia-Arti) ishin kërkimet e theksuara eksperimentale duke përpunaur një gjuhë që do të ishte e pastruar nga reminishencat parazitare të jetërave nën socrealizëm apo simbologjisë triviale. Alergjia e thellë ndaj klisheve, gjuhës që kishte humbur aftësitë për të kapërcyer referentin, alergjia ndaj ideve, didaktikës profane, tendencave aktualizuese sociale shoqërohej njekohësisht me dëshirën e zjarrtë për “t’ia thyer turinjtë” kësaj norme dhe vetëdijeje vulgare mbi gjuhën dhe thelbin artistik të një krijimi. Avangarda e viteve nëntëdhjetë ku bënte pjesë dhe Ilir Belliu ruajti një qëndrim ironik ndaj gjithçkaje, qëndrim i cili shkoi duke u thelluar edhe si formë arsyetimi dhe sjelljeje, duke i asocializuar personazhet e avngardës shqiptare në shmang të proceseve shoqërore, karierës politike e administrative, gjersa ata nuk fokusoheshin në kornizën e logjikshme, por mediokre të zyrtarit. Fakti që këta personazhe u grumbulluan thuajse të gjithë në Fakultetin Filologjik të Tiranës, ndihmoi edhe më fort në radikalizimin e pikëpamjeve dhe në një pozicionim puritan, tashmë publik e demonstrativ me daljen e antologjisë-manifest “O moj Shqipni dhe lirika të tjera” (1991) – me nëntë poetë – secili me nga shtatë poezi, pa përfshirë autorin e poezisë “O moj Shqipni, e mjera Shqipni” – Pashko Vasa, të cilin avangardistët e përfshinë në antologji në cilësinë e të vetmit paraardhës; një ekspozite të “poezisë konkretiste” dhe më në fund – me shpalosjen e gazetës-Manifest “E Për-7-shme”. Poetët-avangardistë përvijuan një ligjërim që, si në nivelin e shprehjes, ashtu dhe në përmbajtje (intencë e truke stilistikore) – krahasuar me rrafshin e gjithçkaje tjetër që shkruhej e botohej aso kohe, përftonin bindjen se ke të bësh me dy civilizime radikalisht të ndryshme. E rëndësishme për avangardën shqiptare të viteve nëntëdhjetë është fakti që të gjitha këto risi dhe eksperimente përqendroheshin në: refuzimin e traditës, refuzimin nga normat klasike të paraqitjes, refuzimi nga qëllimet e ndërgjegjshme, shpesh refuzimi nga krijimet e mbyllura, subjektivizmi i skajshëm, gjakimi për një formë të re me mjete të reja shprehjeje, përpjekja për të “shprehur të pashprehshmen”, pa ditur asnjëri sosh se një ngulmim i tillë kishte udhëhequr të gjitha avangardat artistike të fillim shekullit XX.
Ne në këtë përpjekje synojmë në mënyrë modeste të shpjegojmë poezinë e Iliri Belliut sipas një ndjeshmërie të regjistrave emocionalë dhe shkallën e përjetimit si të vetmin orientim të parandjenjës së vdekjes së afërt të tij (kujtojme mes analogjive tëshumta parandjenjen qe pati ne nje poezi Sezare Vajeho). Vargut të Ilirit i prin gjithëherë ajo shqisë e pagabueshme istinktive që e zhvendos taksën ligjërimore drejt majash sa më asketike, në shtresa të rralluara nga ajri i tokës, në sfera vrastare ozoni. E thënë edhe më ballas: poetika e Ilirit nis dhe mbaron me një diksion të qartë regjistri të lartë, nis e mbaronë nga “do”-ja e epërme.
Me gjithë shndërrimin e ngadaltë të intonacionit ligjërimor, shpërnguljen e përjetimit në zona të makthshme ku ntrashen e dendësohen hijet, – vargu i tij vazhdon të kumbojë me po atë jeh elegjiak, me po atë vezullim pikëllimtar, duke përftuar madje një strukturë e kompozicion të makthit: në poezitë e tij pëlcet nga vullneti i hekurt trajta eliptike dhe lakonizmi preciz, çka dukshëm identifikohet me njësinë e vjershimit – dominim kompakt e përmbyllur, si në monadat e Lajbnicit, përngjasim midis strofës safike dhe tankës japoneze.
Preludi i ndryshimit në ndjeshmërinë e poezisë së pjekur të Ilir Belliut është poezia “Befas na u fanit deti (1990) ku membrana drithëruese e profecisë së poetit parandjen:

Ti fërgëllove…
Në një nga vatrat e mia të malleve
përqasej vdekja.

Diçka po ngjet mikesha ime:
Jo gjithçka
Thëngjij të vdekshëm jemi –
Pjesëza të së tërës.

Në një qoshe të errët
Befas na u fanit Deti
Ky instrument virtuoz
Që mendjet i shpërndan
Si grumbuj puplash.

Në këtë periudhë endet tisi i trishtë që mvesh krijimtarinë e Ilirit. Këtu fjala dhe përfytyra poetike shkojnë drejt një përputhjeje të ankthshme, të qartë dhe surreale, një ngërçi elektrik në kurm, ndjesia e një kombi në grykë. Në vargjet e mësipërme që janë “kyçet” e Lamtumirës së madhe nga dehjet dhe ngazëllimet para bukurive magjike, vështrimi hidhet Përtej. Janë vargjet të një transhendence të frikshme për natyrën e poezinë shqipe. Deti këtu duhet marrë si metaforë e shkonotizuar nga lidhjet referenciale me shkallën simbolike që ka shenjuar vetëdija jonë kolektive. Deti këtu nuk ka të bëjë simbolikisht me Jetën, Dashurinë, Lirinë etj, por me konceptin dhe përmasën e së Përtejmes, më pushtetin e fundëm kufizues të Mbarimit të së Këtushmes. Deti këtu është këqyrja si me tejqyrë nga Olimpi, i asaj zone të vagullt, para së cilës arsyeja njerëzore shkërmoqet në “grumbuj puplash”.

 

15 poezi dhe një prezantim nga Agron Tufa

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s