Sytë plot mall të një mërgimtari – Libri “Më mbetën sytë” të FUAT MEMELLIT / Nga Përparim Hysi

Sytë plot mall të një mërgimtari

 

Libri “Më mbetën sytë” të FUAT  MEMELLIT

 

 

13528765_1808809196016752_2008645055005079203_n

Nga   Përparim    Hysi

 

 

Miku im, Profesor Murat Gecaj, më la takim tek Bar “Migena”. Të takohemi atje,- më tha,- se kam me të dhanë librin e Fuat Memellit. Natyrisht, ndjesia ime tani u bë e obligueshme dyfish: së pari, se do njihesha me poezitë e Fuat Memellit dhe, së dyti, as që bëhet fjalë që mos i dal në”beleg” të kudondodhurit, Murat Gecaj, që edhe shpirtin e bën fir për të tjerët.  U takova me BABUSHIN aliaz Murat Gecaj dhe si dëshmi që “amanetin” poe çonte në vend, më bëri dhe një fotografi me librin e Fuatit në dorë. Kuriozët të hyjnë në fcb time dhe do shikojnë “shkëmbimet tona kredenciale”.

Sa mbrrita në shtëpi, shfletova (sikur ta kisha ekstra si “detyrë shtëpie”) librin dhe, ndërsa lexoja nëpër faqe, zura e përjetova ndjesi që i kam hequr vet mbi kurriz jo pak, po plot për 12-vjet në emigrim. Nëse si në arithmetikë të gjeja një “emërues të përbashkët” në tërë librin me poezi, ky “emërues” ( padyshim: metaforik) quhet mall. Mall me një peshë relevante të rëndë dhe siç thotë autori: mall që ka lartësinë e një mali.

 

*       *       *

 

Murat memallaj

Murat Memallaj

 

Libri është si një vëllimth që, pa frikë, mund ta quash si një libërxhepi. Por, parë në tërësi, tek poeti, Fuat Memelli ka ndodhur ai fenomen që nuk është vetëm i tij. Pothuajse ndodh me të gjithë ata që lënë vendin  e tyre, për arsye nga më të ndryshme, dhe, tek vendosen përkohësisht apo përgjithmonë, zënë e brehen nga kujtimet dhe, pikërisht këto, kujtimet bëhen burim inspirimi për të treguar apo dhe për të shkruar poezi. Tek i shoh një nga një poezitë e Fuat Memellit, më vinë  ndërmend fjalët e Gorkit që shkruan: ”  Kujtimet, ky xhehnem i të pafatëve, janë kaq të forta, sa mund të ngjallin edhe gjurmët e së kaluarës, duke hedhur disa pika mjaltë apo helm që ke pirë dikur”. Jo më kot nuk e lakoj Gorkin. Se me kujtime plot mall fillon e mbaron ky libër me poezi.

Natyrisht, malli  poetik i Fuat  Memellit bëhet pak më i prekshëm, se muza e tij poetike, apo “fyelli poetik ” i tij sikur ka një brimë të vetme. E vërteta është që “fyelli i mallit” të Fuat  Memellit ka disa “brima” dhe, nëse këto “brima” i vëmë karshi njëra-tjetrës, padyshim që “brima” më e madhe është ajo e mallit për Atdhe. Por ky mall fillon, së pari, aty tek pragu i shtëpisë, në Sinicë të Devollit; së pari nga nëna (pa më thoni, cili poet nuk këndoi për nënat?), se,”ajo që të mundon më shumë, në kujtime, zë të prish gjumin dhe poetit, tek i shfaqet nëna,e sheh atë si të gjallë duke i endur me shtiza ato çorapet e leshta, që i biri ta ndjejë veten ngrohtë. Mandej, mbresa e përmallshme bëhet më e prekshme me poezi të tilla (po për nënën) si:”Ilaçet e nënës” apo “Një bastun për nënën” dhe ky mall kthehet në një obsesion të vërtetë (sikur arrin apogjeun e vetë) me poezitë” Si i zënë në faj” apo”Për herë të parë”. Tek këto poezi amplituda e mallit zë e rritet, deri sa  kthehet në plagë apo dhëmbje për çastet e fundit të nënës.

Natyrisht,  kjo dhëmbje që ndjen poeti për nënën, e lartëson atë edhe si njeri, por dhe si krijues. Por ajo  që të bie në sy tek Fuat Memelli, është padyshim, malli që ka edhe për babanë, edhe për gjyshin, edhe për gjithë trungun familjar: nga motrat, hallat dhe më tej edhe për  ndonjë sinicar të veçantë.

Po ta shohësh nga ky kënd vështrim, libri është si një almanak dashurie. Vlera e poezive merr atribute të tjera, kur poeti nuk mbetet tek “brima” e mallit familjar, por fyelli i tij, di të këndojë për poetë që i ka në “makazinën e tij poetike”. Dhe kjo “makazinë” ruan mall për POETË që e kanë zbardhur BALLIN E POEZISË SHQIPTARE dhe, pse janë të tillë, kanë një kapitull të veçantë në libër. Aty gjen BABAXHANIN e Poezisë që quhet Dritëro Agolli; gjen URTAKUN Vangjush Ziko; gjen xhevahirin e poezisë që quhet Xhevahir Spahiu; gjen lirikun e ndjerë, jorgo Bllaci; gjen lirikun epashok, Skënder Rusi.

*     *    *

Po ta njohësh mirë Fuat Memellin, menjëherë krijon përshtypjen se ke të bësh me një njeri me zemër të madhe, është nga më njerëzorët, do të thosha. Pse ka një zemër të madhe, ai jeton  dhe përjeton gjithë dinamikën e jetës në vend dhe kudo që shkel me këmbë. Pse pulson me “statu quon” e Atdheut, ai në poezi zë e rënkon; se “syri nuk i sheh mirë”, se i dhimbset Shqipëria; se i dhimbset Sinica; se i dhimbset ajo “kumbulla që u tha” në qoshe të shtëpisë. Por optika e tij poetike zë e rrit  atë”blicin” e saj dhe me ndodhi dhe ngjarje nëpër botë, si” masakra e Bostonit”,”Dhimbje për Francën”,”Emigrantët sirianë” e të tjera poezi. Nëse i mbledh poezitë e Fuat Memellit, libri del si një qilim me motive të ndryshme.

“Qershia mbi tortë” e poezive të Fuat Memellit, në shijen time, domosdo, janë ato të dy kapitujve të fundit, si: ” Për vete” dhe “Nga koha e rinisë”. Në bëj pak analogji, ashtu “babaxhanshe” me Fuatin, mund të them atë thuhet në një gëzim: bakllavaja hahet në fund. Dhe të tilla, të ëmbla dhe të dhimbshme apo si ballsam mbi “plagë që dhëmbin” janë ato poezi.

Dhe, tek i mbyll këto përshtypje për poezinë e FUAT MEMELLIT, nuk kam se si  bëj, “sikur mos e vë re”, atë parathënie aq të qëlluar të Namik Selmanit, të cilin, përfitoj nga rasti, që ta uroj për atë  punë aq të përkushtuar.

 

Tiranë, 1 korrik 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s