Nga poli Nord, në polin Sud. / Nga Lida Lazaj

Nga poli Nord, në polin Sud.

 

 

Lida Lazaj

Nga Lida Lazaj

 

S`mu nda gjith ditën nga buzët buzëqeshja dhe shija e aroma e bukës së ngrohtë. Sa herë më del një pasqyrë përpara e shoh të varur në cep të buzës.Pas një shekulli si monument i ngrirë, po ndjehem si ugar i pluguar me humus të mirë. Ç`ndodhi do të thoni ju? Herët në mëngjes, ki-ki-ri-ki-ko-ve të këndesit të fqinjit, që ka shtëpinë dykatëshe me tjegulla të kuqe në mes të kopështit me portokalla, limona e të tjera pemë frutore, të cilat unë nga ballkoni i kati të tretë, iu shijoj gratis gjelbërimin, lulëzimin dhe pjekjen e frutave, ju shtua si zë i dytë gërhima e fqinjit tjetër, të cilit i njoh vetëm gjysmën e majtë të fytyrës ( qëlluam një ditë në ashensor ); apartamentet tona i ndan një mur i hollë kartoni. Shto edhe zhaurimën e qytetit, dhe kjo trio harmonike natyrshëm u bë fundi ëndërrës. U zgjova pra dhe nisi kështu një ditë të re. Kohët e dikurshme, që kafen e mengjesit e pinim së bashku me fqinjin përballë kanë mbetur nostalgji. Tashmë dita fillon ndryshe. I dhashë dritë dritares përmes së cilës takoj miqtë dhe nga këtu ku unë jetoj, që po e quaj poli Sud, me një klik përcolla te miku, me të cilin njihemi përmes fotove dhe nuk kemi takuar duart kurrë, përshëndetjen “Unë kam ngrirë, po ti si je?”.

Në hapësirën e pauzës së gërhimës së fqinjit, miku nga poli Sud u përgjigj“Unë…jam ndryshkur!”

Ndryshkur!? Rrudha buzët; ç`sugjerohet, kur ingranazhet rrapëllijnë nga ndryshkja? Hmm…gërryhet ndryshku. Shpejt e shpejt e shkrova në çerek minuti,

“Të duhet një dajak i mirë me një degë njëmetroshe prej gjembash ujku!”dhe e përcolla mbi oqeane e shkretëtira drejt mikut tim në polin Sud.

Duke pritur, si do ta priste miku rekomandimin për të shpëtuar nga ndryshkja, gërhima e intesifikuar e fqinjit po më shërbente si kolonë zanore e perfytyrimit të, të trupit të njeriut, trajtuar kësisoj.

“Makar” erdhi përgjigja së bashku me emrin latin të gjembaçit.

Ish e pamundur të mos e njihte miku im me atë diapazon të gjerë dijesh dhe përvojash jetësore që ka, dhe për rrjedhojë e pamundur të mos i përfytyronte edhe efektet e trajtimit me maja të prehta, të ofruar me dashamirësi prej meje. Keqkuptim, do mërzitet dhe do të më fshijë nga miqesia, do të thoni ju? As që bëhet fjalë. Më shumë mundësi mosmarrëveshje mund të kem me fqinjin, që na ndan fizikisht një mur i hollë kartoni. Përmbi oqeane e shkretëtira, ishte krijuar një linjë virtuale harmonie e kuptimi mbresëlënëse..

Me siguri po buzëqeshte, sikundër edhe unë, duke përfytyruar se si çelnin lulkëza të kuqe gjaku mbi lëkurë, identike si fruti i gjembaçit misionar dhe bashkë me gjakun dilte jashtë edhe mërzitja e këndellej shpirti.

“Po ç`ti bëj gjith ato lulka gjaku më pastaj?”mbërriti pyetja nga poli Sud.

E prisja dhe e kisha në mollzat e gishtërinjve dhe me një breshëri goditjesh mbi taste, ia dërgova zgjidhjen. “Mblidhi në fletët e romanit tënd të pashitur”!

“Ah po ke të drejtë, flm” ai, nga poli Sud.

“Më pas, të duhet një trajtim me qumësht&mjaltë, nga një vend shqiptar, brënda apo jashtë kufirit shtetëror, që shquhet për prodhime të padenatyralizuara, për muzgjet e përflakura dhe për rrënimin e shpirtrave të ndjeshëm”- unë nga poli Nord.

“Oh,sa mirë do ish, por më duhet ta zgjidh sipas kushteve dhe rrethanave. Dhe më pas do të shkoj ti sodis dhe ti prek për dhjetë minuta duart me kallo një mikut tim” – ai nga poli Sud.

Ah, duart me kallo! Paska ende njerëz, në këtë kohë të dalldisur për lavdi, për luks e konfort fituar lehtshëm, që cmojnë punën e ndershme e kallot? M`u përqasën duart me kallo të babait, i ndjeva në buzë. Më buisën lotët. Madje të gjitha poret e lëkurës m`u bënë sy, të lotuar sy. Ah, duart me kallo të babait; të rreshkura dhe në ngjyrën e kores së bukës së pjekur, aromë dheu, aromë djerse, aromë njeriu, aromë malli e dashurie. Ah, ç`ta zbuskan shpirtin një dallgë lotësh dërguar me dashamirësi miqësisht nga poli Sud në polin Nord.

Dhe thoni po deshët ,që s`kam të drejtë të kem një buzëqeshje të pandryshuar të varur në cep të buzës dhe të kem ndjesinë e bukës së ngrohtë të sapo dalë prej furrës?

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s