Skicë: NOSTALGJI, PËR VITET E STUDIMEVE UNIVERSITARE… / Nga: Murat Gecaj

Skicë:

NOSTALGJI, PËR VITET E STUDIMEVE UNIVERSITARE…

Nga: Murat Gecaj

 

mr 1

1.

 

Nuk është rasti i parë as nuk do të jetë i fundit, që nga koha e mbarimit të studimeve universitare, që ne takohemi e çmallemi me nëjri-tjetrin, për atë periudhë të bukur e të paharruar të jetës sonë…

E kam fjalën pikërisht për një takim të sotëm, në lokalin “1 Maji” të kryeqytetit. Aty qendruam dy orë e biseduam gjatë ne, një grup ish-studentësh, që u diplomuam në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji, në mbarim të vitit akademik 1962-1963. Pra, kaluan si pa u kuptuar mbi 53 vite, nga ajo kohë, kur ne u shpërndamë anembanë Atdheut, për t’iu përkushtuar detyrave të shumta, që na prisnin. Dikush punoi në fushën e arsimit ose kulturës, dikush në shtyp ose në shkencë. Por, të gjithë të aftë e gjurmëlënës, kudo që shkuam. Sigurisht, secili nga ne krijoi familjen e tij dhe u trashëguam me djem e vajza e, tashmë, përjetojmë gëzimin që jemi bërë gjyshër.

 

 

mr 1

Nga e majta: R.Koleci, L.Sota, M.Gecaj, Xh.Mëzezi, L.Saraçi e K. Kolec i (Tiranë,18 korrik 2016)

 

2.

 

Për ta shuar sadopak kureshjen e lexuesit të këtyre pak radhëve, po tregoj se sot u takuam, pas kaq vitesh: unë, Xhavit Mëzezi, Liri Saraçi, Robert Koleci me bashkëshorte Katin dhe Liri Sota. Pasi u përshëndetëm e u përqafuam me respekt, rreth një tavoline pimë kafe e biseduam përzemërsisht. Nuk patëm me vete ndonjë aparat incizimi. Por, megjithatë, në kujtesën tonë do të mbeten gjatë në kujtesë, ato çfarë i thamë njëri-tjetrit. Siç është e kuptueshme, vendin kryesor e zunë kujtimet e viteve të bukura të studimeve universitare. Pothuajse, nuk folëm për vete, po më shumë për bashkëstudentët tanë. Me dhimbje në zemër kujtuam ata, që janë ndarë nga jeta, si: Myfit Trepça, Josif Kole, Skënder Mullai e Ali Dhrimo.

 

 

mr 2

Polifoto e vitit 1963…

 

Por sot, sikur ishin të pranishëm  me ne, në bisedë edhe Jani Plasa (tani në Nju Jork, me familjen), Kiço Sholla, Riko Pema, Eleni Kotomelo e  Vaso Samsuri, nga Korça; Flora Prenushi e Paulin Shtjefni (që jeton në Shkodër e ka vite i sëmurë);  Marika Tole, Fatbardha Osmanlliu, Remzi Përnaska, Athina Miçe e të tjerë.

Në një takim të tillë, është e kuptueshme që ne kujtuam me nderim e respekt të veçantë edhe pedagogët tanë, të gjuhësisë e letërsisë, por dhe të historisë. Ndër ta janë: Akademikët e profesorët E.Çabej. A.Kostallari, Sh.Demiraj, M.Domi, Z.Sako, M.Xhaxhiu, S.Riza, J.Gjinari e të tjerë. Po tregoj këtu se, për 25  pedagogë tanë të Fakultetit, që njëkohësisht ishin shkencëtarë të njohur në fushat e tyre, kam shkruar e botuar librin “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002). Ndërsa për njërin nga ata, pedagog dhe akademik shumëplanësh,  kam përgatitur e botuar një antologji, me shkrime e kujtime (“Bedri Dedja, në kujtesën tonë”, Tiranë, 2010).

Me kënaqësi, por dhe me mall, ne folëm për djemtë e vajzat tona, që i kemi emigrantë në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë ose Kanada. Ja, nuk ka shumë ditë që miket tona, pra dy Liritë, sapo janë kthyer nga vizitat e tyre te vajzat e djemtë e tyre jashtë Atdheut. Por shpesh edhe vijnë të na takojnë, këtu në vendlindjen e tyre, në Shqipërinë e dashur. Me këto ndjenja atdhedashurie ata përpiqen t’i edukojnë edhe pasardhësit e tyre.

 

3.

 

Mund të shkruaja mjaft radhë të tjera, në këtë skicë të thjeshtë, kushtuar takimit, që përmenda më lart. Por le t’i lemë për takime të tjera të radhës, ku sigurisht do të jenë edhe bashkëstudentë të tjerë. Kështu, ne ndjehemi shumë mirë dhe na ngjan se vitet, që kemi mbi supe, nuk janë aq sa janë! Pra, na duket vetja se jemi më të rinj dhe më energjikë për jetën…(ha,ha)

Shënoj që, para se të ndaheshim, ne bëmë bashkë fotografi, të cilat do t’i kemi kujtim dhe do t’ua tregojmë fëmijëve tanë, por dhe mbesave e nipave. Për nostalgjinë e viteve të shkuara, po e publikojmë dhe polifoton e vitit 1963.

…Në mbyllje, ne i përshëndesim nga zemra të gjithë bashkëstudentët tanë, me familjet e tyre, kudo që ata ndodhen dhe e falënderojmë lexuesin e këtyre radhëve, për mirëkuptimin!

 

Tiranë, 18 korrik 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s