Hyri në shtyp libri i tretë me poezi “ I pyeta retë” të poeteshës Mimoza Leskaj, me redaktim dhe kopertinë nga shkrimtari Vullnet Mato.
Në vend të parathënies
Për shkak, se në dy librat e parë të poeteshës se talentuar Mimoza Leskaj është folur gjerësisht për veçoritë dhe karakteristikat dalluese të krijimtarisë së saj poetike, mendoj në këtë libër të tretë, duhet shprehur edhe thelbi njerëzor i kësaj gruaje, me pasion të madh, për të shpalosur në dritën e botimit, ndjesitë e brendshme shpirtërore.
Mimoza Leskaj
Në përfytyrim anatomik, kjo poeteshë ka në organizmin e saj dy zemra të mëdha, të cilat rrahin njëherësh, njëra për Shqipërinë, ku ka lënë vendlindjen me njerëzit e dashur dhe tjetra, për Italinë, ku ka familjen e shtrenjtë… Në mes të këtyre dy zemrave,
Asaj i funksionon një mushkëri barometër, me frymëmarrje tepër të ndjeshme për oksigjenin shqiptar dhe për ndryshimet klimatike të motit, që përshkruan shpesh në stinët e veta poetike.
Mimoza Leskaj, gjatë aspirimit të frymës së saj, ndjen çdo lëvizje të ajrit, me ozonin e Tatzatit, Sarandës e Shijakut, dhe gjatë respirimit, nxjerr me keqardhje, karbonin e atmosferës së rëndë që gjen këtu, kur vjen shpesh e përmalluar për vendin e origjinës. Të gjitha këto luhatje të klimës shoqërore bashkë me temperaturën e dashurisë së vet, për njerëzit dhe natyrën shqiptare, ndjehen qartë, pothuajse në të gjitha temat e poezive të këtij libri, i cili, është, si të thuash, një ballkon, ku ajo ka qëndruar, duke ngjitur shkallët e mermerta, të nivelin të saj artistik.
Vullnet Mato – Shkrimtar, redaktor i librit.