Poezi nga Sokrat Habilaj

Sokrat habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

 

TANI QË MËSOVA…

 

Tani që kam mësuar se poezia, më tepër,
Është grua e trishtë, e zhytur në mjegull.
Mos duhet të mendoj qoftë edhe në letër,
Se ikona pa fund grash më rrinë pezull!?

Tani që mësova se mua, gjithmonë vargu,
S’më shqitet nga vetja pa marrë një trofe.
Mos duhet të mendoj se më tutje, së paku,
Diçka do më mungoj, po ty do ta fsheh!?

Tani që mësova se kur unë hedh një rimë,
Sikur po kërkoj shtigje të tjera në rreshta.
Mos duhet ta mendoj vargun, pa kuptim,
Që s’më lë të vij tek ty, udhëve të vjetra!?

 

 

 

UNË DO TË HUMBAS

 

Do të humbas, në s’të kam humbur,
Sa kohë dashuroj si shumë të tjerë.
Dhe kur ndjej mall për të të puthur,
“Puç! Puç”, germëzoj mbi tastierë.

Unë do të humbas, pak e nga pak,
Sa kohë ne rrimë kurriz në kurriz.
E poret kërkoj të t’i prek me “taç”,
Kur duhet që mbi lëkurë të lajthis.

Unë do të humbas ty, herët a vonë,
Sa kohë s’guxoj të të them:-Ktheu!
Pa e kuptuar u bëmë krejt si ikonë,
Herë të blerta, a herë ngjyrë dheu.

Unë do të humbas, në s’të humba,
Sa kohë që nuk jam më, si isha dje.
Ku fjalë s’të thosha dhe të mundja,
Po tani me germa, dërdëllit pa fre.

Unë do të humbas, se s’di të ruaj,
Sa kohë në shpinë rrimë si në mort.
Ndërsa në ekran sheh një të huaj,
Se i huaj po të bëhem unë. Sa kot!

Unë do të humbas, edhe si heshtje,
E ti sërish, ke për të më gjetur mua.
Kur u enda në germa, pika e presje,
Si nuk e dija që malli është grua!?

 

 

 

DIKUR ISHTE KËSHTU

 

Në germa, i kam kthyer dikur gratë,
Dhe germat në gra i ktheja më herët.
Ndoshta doja që të fshihja çdo mëkat,
A shpikja flirte, ndryshe nga të tjerët.

Në germa, gratë dikur i mbaja pezull,
Më pas u bënë si gra, të gjitha germat.
Po erdhe ti dhe më prishe çdo rregull,
-Jam germa!Jam gruaja! Leri ëndrrat!

 

 

 

MË BËJË SIÇ ISHA!

 

Nga ngutja për të më bërë më të bukur,
Apo dhe ndoshta më të mirë se sa isha.
Ti nuk gjënë kohë, as për të më puthur,
Po nisë pastron tek mua gjërat e trishta.

Më heq grimca balte, në flokë e fytyrë,
Më heq pluhurin, që ka rënë mbi supe.
Sa filloj që unë, të ndrij si një pasqyrë,
Më thua të pres, është herët për puthje!

E hyn brenda meje, ku s’ka hyrë njeri,
Të më bësh të bukur, dua unë, a s’dua.
Gjithë vese dhe trillet, m’i vret në pusi
Po bashkë me to, shkulë pjesë nga mua.

Dhe pastaj fitoret me kaq bujë i shpallë,
Më thua:-Ja ku të bëra si të desha vetë!
Zgjatë dy buzët, të më puthësh me mall,
Po në vendin tim, të shfaqet një skelet!

Shfaqet një skelet, pa veset, a pa plagët,
Unë kafshoj buzët, i mbetur si gjysmak.
Si të përgjërohem, kur më mbyten fjalët,
Pjesët që m’i vrave, kanë dhe ty nga pak!

Ti do të më bësh të bukur, me çdo kusht,
Tani ndihesh mirë, që m’i hoqe të gjitha.
Po ç’djall të shkrepi që më zure ngushtë,
Kthemi çfarë më vrave, të bëhem si isha!

 

 

 

MALLE QË S’ NDAHEN PËRGJYSMË

 

Me mallet tona, ne luajmë si me grimca,
Herë i shtyjmë tej, herë i ftojmë përreth.
A dhe herë i ndajmë përgjysmë, të gjitha,
E ti pastaj më thua:- Më lër që të zgjedh!

Me mallet luajmë, ndërsa druhem të flas,
Po ti më pëshpëritë:-Ja u nda edhe malli.
Unë shoh dy djemtë, nga ty marrë shkas:
-Ja këtu s’të fal, do të zgjedh vetë i pari!

Po sa skicoj dy dyshe, ndihem krejt bosh,
Të tre, bashkë me mua, për tek ty më ikin.
Mbetur edhe pa veten, ti më klithë:-Mos!
Të fola për mallin, ti më ndanë shpirtin!?

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s