VARRIMI / Nga : Rrahim Sadiku

VARRIMI

 

 

rrahim sadiku

Nga :  Rrahim Sadiku

 

Kishte kohë qëkur nuk ishte shoqëruar me lindjen e diellit, andaj disi u ndje i befasuar kur e pa, nëpërmjet asaj dritarëze të vogël, atë mori rrezesh në dhomën e tij. U ndje disi i rrezikuar, sepse ato kishin hyrë aty tinëz, si shpeshherë. Amullia dhe plogështia i ikën nga trupi e i kaluan në mendje. Mëngjesin atë ditë, gjithnjë si shpeshherë, e filloi në mbrëmje. Këputshëm mendoi se pranvera, me ata shira të bujshëm, ishte disi padurueshëm e lagësht. Po treteshin rrezet kur e vendosi të dilte nga ato rroba gjumi e të niste jetën e gjallë, nëpër orët e tij të vdekshme. Nisi të mendonte për Të. Ajo kishte vdekur, po kishte vdekur dhe nuk do ta shihte më, Shtihej se habitej që ai e kuptonte këtë e po vazhdonte të merrte frymë.
Nuk kishte si të mos habitej, mëngjeseve në mbrëmje, kur shihte fytyrat e njerëzve që shkonin e vinin asaj rruge e cila, duke bashkëpunuar dreqnisht me pranverën, e kishin gllabëruar trupin e saj, pakrahasimisht të bukur, duke e futur nëm dheun plot ujë, në llucën që nuk shqitej nga këmbët e atyre kobëtarëve, të cilët shpejtonin e shpejtonin, që një orë e më parë, të tretej ajo bukuri e të thahej ajo madhështi nga shpirti i tij i dashuruar. Kujtonte e ikte nga ajo rrugë e nuk largohej dot. Ajo nuk i ndahej, ishte kudo me të. Edhe tashti, kur banonte në një lagje krejt tjetër, sa herë hedhte hapin, veten e gjente në atë rrugë e merrte pjesë në atë varrim. Kthehej e ikte dhe ajo rrugë e ndiqte deri në dhomë, madje sikur futej edhe brenda saj. Nga bashkëjetese e frikshme me atë rrugë nuk e shpëtonte as gjumi i gjatë, as largimi i kujtimeve e as librat, që sikur nuk kishin tjetër, posfjalë, rrëfime e dhembje për Të. Donte t`i largonte të gjitha ato shoqërime që e lidhnin me atë rrugë e ato i gjendeshin çdoherë e më pranë.
Kur ishte zgjuar, i bëhej se vazhdonte të flinte, pasi gjithnjë e më shpesh i humbëte kuptimi për kohën dhe jetën. Ndoshta nga ky shkak, gjithnjë e më shpesh bluante e stërblunate mendime për pakuptimësinë e jetës. Kur i bëhej se lodhje, besonte se po bëhej adhurues i flakët i vdekjes, madje edhe tregohej i gatshëm të vdiste dhe e mendonte veten duke përpirë gropa e errët, lagështia tmerruese dhe lluca ngulfatëse. Kështu i shkonin orët, derisa varrosej e ikte nga duart e varrtarëve dhe lodhej shumë. Mu kur po i dorëzohej lodhjes e po pajtohej me varrimin, kuptonte se po e mbisundonte uria. Atëherë i largohej nga mendja frika, varrimi, lodhja. Shkonte e blinte ushqime të shijshme e u vërsulej atyre si i babëzitur. Kur ngopej mirë e mirë, ndjente një therrje në tru dhe i kujtohej se gjatë asaj kohe nuk e kishte kujtuar fare atë. Por, ngopja ia largonte mendimet e këqija dhe një përgjumje e re niste e ia rëndonte kokën. Atëherë e kaplonte një epsh i paparë dhe niste e lodronte me duar nëpër trup, derisa vetëkënaqej e besonte se po kryente akte seksi bizare, të dhunshme, pa e ditur se kush me kend po bashkohej. Pas kësaj niste e qetësohej dhe në mendje i kthehej varrimi e dhembja për të. Nuk vononte dhe e mposhte gjumi e pastaj zgjohej shumë vonë. Gjithnjë i befasuar nëse rrezet e diellit arrinin t’ia këpusnin shlodhjen e mundimshme dhe ta kthenin te mendimet e mundimet për varrimin. Dhe besonte se shumë, tejet shumë e kishte dashur Atë.

 

 

13895595_1274664419217857_379843385792183873_n

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s