Poezi nga Dije LOHAJ

Poezi nga Dije LOHAJ

 

ZGJOHET HIRI I JETËS SIME

Për ta mësuar udhën e bërjes së lirisë,
Ftova deri në rizgjim tërë shekujt,
Që palosur ishin në sirtarë mijëvjeçarësh,
Doja aq shumë në këtë ballkon brengash ku jam,
Jehonat e kumteve të më shoqëronin
U zgjua dhe hiri i jetës sime
Si polen mbushi tërë sfondet e mbamendjes.

Në bujtinat e shpirtit iu bëra vend betejave e lavdive
Përgatita edhe lapidarët dhe obeliskun e përnditjes,
Erdhën edhe ata që i lamë pa varre,
Edhe ata të molisurit nga myshqet e përçmimit,
Pa një vend për prehje,
Që të bulojnë lulëkuqet mbi kokë,
Erdhën që t’i rehatojnë eshtrat në ëndrrat e tyre
Dhe në dedikimin tonë të stolisur.

Po zgjohen udhët nga kjo amulli e shpifur
Kur nga predikimi i shekujve dëgjon:
Shihni, o ju të çmendurit e kohës sime,
Ca kocka të thyra po prehen?!
Jo nuk po prehen,
Ata po rrënkojnë
Tek ëndrrat që shpirti ua mori lart
Dhe gjëma e engjëjve si feniks i ringjall të mirët.

Eh, po zgjohen antetë e gjeografisë sonë,
Tej po shtegton rrënkimi,
Tek yllësitë e dhembjes,
Do t’i ribëjnë gjysmat tona,
Të lëna shtatit të shekujve.

 

KRONIKË NGA KOZMOSI I DASHURISË

Kam jetuar në grimcat e pluhurit,
Në tokën e etur,
Jam bërë elipsë
Dhe me thërrmijat e dheut
Kam shpërlarë fytyrë e duar,
Syve u kam thënë:
Vazhdoni ju rrutullimin rreth boshtit hënor
E merrni thellë frymë
Nëpër mjegulla mëngjesore
Dhe përballuni me erëra shkëmbinjve,
Se një shtëllungë mjellmash
Ka fluturur shtigjeve
Për të shpalosur palat e një dheu
Lisi, përroi, fushe,
Gjithashtu rrënjët e ahishteve që i mbyste thatësia.

Kam jetuar me fluturimin e lejlekut,
Që ishin munduar t’ia zinin me grila,
Por ai ishte mësuar të kthehej
Çdo pranverë në folenë e tij.
Jam zgjuar me uturima avionësh,
Me melaninë e djegur të kohës,
Me flakën e ditës së vajgurit,
Lidhur me fijet e fluturave,
Tek fluturonin rreth errësirës
Në ato net të marrosura.

Bie një erë trëndafili,
Për një zë bilbili orbitës së përhumbur,
Në qenësinë elipsode të kosmosit,
Në zhdukje e sipër
Të një thërrime të vetvetes,
Gjithçka më përflak pafundësisë,
Tek shtirem se nuk të dua,
Në kosmosin e përzjarrur të dashurisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s