Poezi nga Luan Kurti
Dashuro…!
Dashuro!….
Sa shpejt fuget koha, si erë,
që fryn e s’di të ndalet,
dhe befas krejt pa u ndjerë,
vetvetja tjetër moshe i falet.
Nostalgjia të grish, të mban zgjuar,
dhe shtratit sillesh nemitur,
se rrudhat fytyrës janë shtuar,
dhe flokët rralluar, përhitur.
Psherëtin, përpiqesh të mbahesh,
një zë të kumbon ndër vesh:
Sa dita s’ka ardhur të ndahesh,
Dashuro pafund, buzëqesh!
Dashuro të thotë çdo lule,
çdo zog, fije bari, çdo bim’,
Dashuro të thonë pa pekule,
se mbi të asgjë tjetër s’ka çmim!
Dashuro të thotë flladi, çdo krua,
i magjishëm përreth teje krijimi,
varkëtar i ëndrrave të tua,
ti je vetë arsyeja, qëllimi!
Ju, ne dhe demokracia
Rrugëve u derdhëm kur na kërkoi koha,
të nxitur edhe nga thirrjet tuaja
si trumpetë kushtrimi:
O sot o kurrë!
I shëmbëm sinorët e së keqes
që mu si qelbi në plagë
na ishte mbledhur në porta e zemrës,
në portat e jetës.
I këputëm prangat e diktaturës
dhe pritëm më kot
që gjërat të ndryshonin,
të bënit realitet qoftë edhe një premtim
nga qindra, mijëra që lëshuat!
Folët për komb, për fe, për Atdhe,
për rilindje të shpirtit vllazëror,
për agimin e ri
që shtrihej pas vijës së muzgut
në horizont.
Ja ku jemi prapë
pas më shumë se dy dekadash:
Ju të pasur, në kufijtë e çmendurisë,
Ne të varfër, në kufijtë e çmendurisë!
Flasim për Europë,
për shtet të së drejtës,
për demokraci,
për liri, për ligje, konventa, traktate;
Flasim për shumëçka
dhe për asgjë;
në një qytet
që përditë e më tepër,
i përngjan një skeleti,
një rrënoje të braktisur,
një fantazme të gjymtuar,
të mbetur cung, pa këmbë e duar,
që e ulur në një qoshe të ndytë,
prej kur zbardh mëngjesi e deri në muzg,
pret lëmoshën
që do t’ lëshojë në prehër,
kalimtari i parë
që do kaloj asaj rruge…