Kolec Traboini, shkrimtari që dhuron libra! / Intervistoi për Tetova Press Albina Hoxhaj

Kolec Traboini, shkrimtari që dhuron libra!
 
Intervistoi për Tetova Press Albina Hoxhaj
 
 
Gjatë punës time nuk më kishte ndodhur të takoja një shkrimtar që dhuron libra derisa u prezantova me Kolec Traboinin. Kureshtja më bëri që ta pyes se përse e bën një gjë të tillë, ndërsa intuita më thoshte se për të është shumë më e rëndësishme të lexohen krijimet e tij sesa të fitojë para. Por, teksa e mendoja isha e bindur që Kolec Traboini kishte shumë për të thënë.
 
Për ata që ende nuk ju njohin, si do ta prezantonit veten?
 
Sa i përket lexuesve njohja varet nga mosha dhe interesat i tyre. Nga brezat e vjetër edhe sot ma kujtojnë librin e parë në prozë “Petalet e bajames se hidhur” i cili vitin 1974 mori çmim në konkurs kombëtar, lexuesit e rinjtë nuk kanë si ta dinë këtë. Gjithsesi paraqitja nuk është gjë tjetër veçse shfaqja i asaj çfarë e përfaqëson një krijues. Thënë shkurt; gazetar nga diplomimi, kineast nga puna, në këtë të fundit fitues i disa çmimeve ndër të cilët Kupën e Festivalit të Parë Filmit Shqiptar 1975 dhe atë të Tetë 1990 për filma dokumentare. Krijues në letërsi me 30 libra, nga të cilët gjysma poezi, shkrimet publicistike janë të panumërueshëm, mbi 20 vjet emigrant në Greqi dhe Amerikë dhe themelues i të parës gazetë shqipe në Greqi, “Egnatia”, Athinë 1993.
 
Një poet që shkruan libra, i boton dhe i dhuron? Përse kjo zgjedhje?
 
Përveç mundimit për t’i krijuar, librat kanë edhe një kosto për botimin e tyre. Para vitit 1990 librat i botonte shteti, privatizimi solli të mira por edhe të këqija. Sot botuesit shqiptar nuk janë botues të tipit klasik si ta zëmë si Ismail Mulosmani (1920-1983), të viteve 30-40 të shekullit të kaluar, por janë katandisur në shtypshkronjës që nuk financojnë e mbështesin autorët shqiptarë në botime, por u marrin parat e u rrasin librat në dorë e ti çojnë ku të duan. Kështu botimet janë në kaos, librat autorëve të lirë u mbetën në shtëpitë e tyre, libraritë nuk i marrin pa pasur NIPT pra një licencë për të shitur, në këto kushte libri nis e qarkullon duke u falur. Në panair lulëzon libri i huaj dhe të vjen turp te shkosh atje ku ku 80 % e librave të paraqitur janë të huaj, shto dhe botimet fetare. Letërsinë shqiptare po e vdesin. Libri botohet për t’u lexuar. Ca pseudo krijues që thonë se botojnë e fitojnë me libra, gënjejnë edhe veten edhe lexuesin.
 
 
Kolec P. Traboini
 
Për të thyer këtë izolim të librit shqip, për të cilin izolim japin ndihmesë negative si botuesit por edhe shteti, unë personalisht kam zgjedhur rrugën e dhurimit të librave. E kam bërë këtë nëpër vite. Po ju referohem vetëm viteve të fundit. Kam organizuar paraqitje( nuk më pëlqen fjala promovim) në Tiranë, Prizren, Tuz, në Traboin të Hotit dhe i kam dhuruar libra pjesëmarrësve. Por kam përdorur edhe forma të tjera si takime e biseda. Kështu bashkë me kolegë kemi shkuar në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë në Tiranë dhe në qendrën e fëmijëve në fshatin SOS, në Institutin të Miturve ne Kavajë, në shkollën “Betim Muço” Kombinat, Tiranë dhe bashkë me krijues të tjerë kemi dhuruar libra. Unë bëj kujdes të dërgoj libra në Bibliotekën e Prishtinës dhe në Bibliotekën “Marin Barleti” Shkodër për çdo botim të ri.
 
Çfarë doni të tregoni ju me këtë? Çfarë mesazhi synoni të përcillni?
 
Për krijuesin është fatkeqësi e madhe që të botojë libra dhe të mos i qarkullojë. Përpara alternativës që libri të rrijë stok, autori në këtë izolim të madh siç e thamë, duhet të gjejë mënyrën që libri të shkojë tek lexuesi. Kjo është më e rëndësishme se sa çdo lloj që mund të dalë prej shitjes tyre pak e nga pak apo pse jo dhe aspak. Në kushtet edhe të varfërisë së njerëzve, dihet pamundësia për të blerë libra, madje ka familje që e kanë problem edhe blerjen e librave të shkollës për fëmijët e tyre. Po a duhen përjashtuar nga leximi këta fëmijë apo dhe të rritur? Pra në këto kushte autorët duhet të luftojnë të shkojë te lexuesit produkti i tyre intelektual pa marrë parasysh koston. Kjo kohë apatike në të cilën krijimtaria artistike konsiderohet një handikap shoqëror, duhet përballuar duke mos i humbur lidhjet me lexuesit me çfarëdo çmimi që të jetë.
 
Në këndvështrimin tim për ju është më e rëndësishme të lexohen krijimet tuaja sesa ju të fitoni para. A kam të drejtë në këtë që them?
 
Padyshim. Ka krijues që shkruajnë për para por ka edhe nga ata që shkrimin e kanë pasion të jetës. Nëse në mes krijuesit e veprës letrare është pasioni, aty nuk mund të flitet më për para. Nuk ka rëndësi fare paraja. Kjo nuk do të thotë se e nënvleftësojmë paranë sepse ato na duhet për të prodhuar libra të tjerë, por të tilla janë kushtet e tranzicionit të vonuar dhe të varfërisë së përgjithshme, shkrimtarët dhe artistët dalin humbësit më të mëdhenj. Në këtë mes duhej që si rregullator të hynte shteti për të stimuluar krijimtarinë letrare që para së gjithash është pjesë e kulturës kombëtare.
 
Për kë shkruani në librat tuaja?
 
Për krijues të lirë nuk ka receta. Krijimet shprehin ndjesitë dhe reflektimet ndaj realitetit që na rrethon. Nëse flasim për poezinë, krijimi është pjesë e jetës se krijuesit, mendimeve, ndjenjave, emocioneve dhe e veçanta e poezisë është se nuk rend autori pas temave e subjekteve siç bën ta zëmë gazetari, nuk i ndjek, ato vinë vetë sa në koshiencë apo subkoshiencë. Autori realizon krijimin e vet, përshtypjet e tij për jetën e marrëdhëniet njerëzore, botën, natyrën, historinë e gjithçka për të cilën ka interes si qenie njerëzore. Mbase proza e gjatë ka synime më të qëndrueshme por unë më shumë shkruaj poezi dhe eseistikë.
 
Keni jetuar në Greqi dhe SHBA, dua t’ju pyes, me aq sa keni parë ju, a e trashëgojnë gjuhën shqipe dhe zakonet emigrantët shqiptar te fëmijët e tyre?
 
Kemi humbje të mëdha jo vetëm të mendjeve intelektuale me këtë mërgim të madh pas viteve 1990, por edhe humbje brezash të vazhdimësisë. E vërteta është se shumica e familjeve shqiptare e ruajnë të folurën shqip në shtëpitë e tyre, përpiqen t’ua mësojnë fëmijëve, ka edhe qendra të ndryshme ku shqiptarët kanë krijuar klasa që fëmijët të mësojnë shqip. Por duhet pranuar se ka edhe shumë familje që nuk i lënë fëmijët të flasin shqip për shkak të bëmave të zeza të një pjese të vogël të mërgimtarëve shqiptarë. Kështu në Greqi, Itali, Angli por edhe në Amerikë, madje vetë Hillari Klinton në një takim me shqiptarët në Neë York tha se duhet të bëni shumë kujdes u ka dalë nami ju shqiptarëve. Dalja e emrit të keq i bën shumë familje shqiptare të thonë që sa me larg shqiptarëve aq më mirë është, e kur e themi kështu vetë çfarë pritet të thonë të tjerët. Pra faktorët më dëmtues janë shpesh brenda komunitetit shqiptar, ndaj gjen shqiptar në Amerikë, në Boston e Filadelfia këtë e kam konstatuar vetë, që shqiptarët lidhen me grekët, shkojnë në kisha greke dhe një ditë ndjehen grek. Nisin dhe krushqit dhe fillon humbja e identitetit. Flas për mërgimtarët nga Shqipëria. Kemi shumë bjerrje në diaspore.
 
A është e vështirë të jesh shqiptar larg kufijve të Shqipërisë?
 
Është relative. Për brezin e vjetër, kur shkon në mërgim në një moshë të pjekur është e vështirë të përshtatesh e të gjesh veten. Por fëmijët e shqiptarëve të shpalosin një pamje tjetër optimiste, jo vetëm që përshtaten por edhe kanë ecuri. Dhe vihet re se fëmijët shqiptarë për shkak të inteligjencës natyrore por edhe vullnetit kanë sukses. Po marr shembull veten. Të dy fëmijët e mi kanë mbaruar universitetet, djali inxhinier kompjuterik dhe vajza art-komunikim, djali punon në Boston e vajza sapo është ngarkuar me detyrë në një institucion të shtetit amerikan në Ëashington DC. Unë kur gjendem atje e u mësoj nipave të mi të folurën shqip dhe vjersha që i përshtaten moshës. Tomi është 4 vjeç dhe unë me të flas shqip, ani pse ai nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri. Këtë mendoj se e bëjnë shumë familje shqiptare të Amerikës.
 
Teksa gërmoja në internet për ju dhe punën tuaj pashë se profesioni juaj është gazetar. Më lejoni t’ju pyes si e vlerësoni gazetarinë në Shqipëri?
 
Më vjen keq se kuptimi i fjalës gazetar ka edhe pakëz grotesk. Dikur në monizëm e quante veten gazetar edhe ai që shpërndante gazetat në fshat. Tani quajnë gazetare një vajze të re që veç artikulon dy pyetje dhe mban mikrofonin në dorë nëpër ca intervista në lëvizje. Mirëpo nuk shkruajnë qoftë edhe një artikull serioz në jetën e tyre. Aq me tepër gazetaria ka humbur shumë sepse nuk njeh llojshmërinë brenda zhanrit të gazetarisë. Askush nuk shkruan fejtone, nuk dinë çfarë është reportazhi, ku dallon nga përshkrimi, apo çfarë është skica, vëzhgimi, pamfleti, grotesku. Kësisoj konstatohet se gazetaria ka humbur shumëçka nga pikëpamja cilësore. Ndoshta ndikon edhe përzgjedhja jo e mirë e studentëve apo dhe niveli i dobët i mësimdhënies, por gjithsesi gazetaria sot lë për të dëshiruar.
 
TetovaPress
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s