Makthi i delirit kriminal përballë vetëdijes së lirisë ( Rreth romanit “Vila misterioze” të shkrimtarit Hyqmet HASKO) / Nga: Dukagjin HATA

Rreth romanit “Vila misterioze” të shkrimtarit Hyqmet HASKO

Makthi i delirit kriminal përballë vetëdijes së lirisë

 

Nga: Dukagjin HATA

Pas romaneve “Kujtime të lagura”, “Një vrasje në hotel “Delir” dhe “Gruaja me shami jeshile”, Hyqmet Hasko vjen para lexuesit me romanin e tij më të fundit “Vila misterioze”, një rrëfim i ngjeshur dhe plot nerv, ku shpërfaqen raportet e individt me lirinë dhe të drejtën.
Romani trajton temën e njohur të raporteve të njeriut shqiptar me vetveten dhe të tjerët, nën këndvështrimin e kërkimit të së drejtës, e cila tenton të merret nëpër këmbë nga grupet kriminale të një shoqërie të sëmurë, që sapo ka dalë nga shtrati traumatik i një viti mizor, që ka shënuar devijimin më të egër e më të pariparueshëm të saj.
Proza e Haskos përcjell një botë të thyer rrëfimtare, ku kujtesa, e ndodhura, emocioni dhe kërkimi në botën e brendshme psikologjike të personazheve vjen pa filtra, nëpërmjet një rrëfimi pa kahje, pa ngarkesa referencash paragjykuese dhe inkuadruese, siç ndodh në krijimtarinë e mjaft prozatorëve, që e kanë të vështirë të shkëputen nga patericat e soc-realizmit.
Hasko pasqyron dramën polivalente të njeriut bashkëkohor, duke e vënë theksin tek shmangia e tij nga arkitipi social, nën presionin e botës së krimit dhe tiraninë e hapur apo të fshehtë të rrethanave nga më të çuditshmet. Ballëpërballë është një minibotë e trazuar dashurie, mirësie, humaniteti, përkushtimi qytetar dhe, në kahun tjetër, egoizmi i shfrenuar deri në patologji, që kërkon të ngrihet e të mbijetojë me çdo çmim e me çdo kusht, qoftë dhe duke lënë pas pirgje me kufoma.
Në faqet më të bukura të prozës së Hymqet Haskos lëvrojnë personazhe që luftojnë për të mirën dhe të drejtën; ai e vendos botën madhore të njeriut të vërtetë përballë dhunës dhe mizorisë së instinktit dhe tiranisë së krimit, si një tentativë për të pasqyruar luftën e shoqërisë demokratike për triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor.
Romani “Vila Misterioze” është një prozë e mbrujtur me vrulle dhe pasione jete, me përplasje dhe drama të forta shoqërore e politike, me një humanizëm të kulluar, që vë në lëvizje mekanizmin romanesk të Haskos dhe e bën atë të veçantë e të dallueshëm nga veprat e shkrimtarëve të tjerë, jo vetëm të brezit të tij, por dhe më gjërë.
Në qendër të rrëfimit romanesk është përballja e një dedektivi policie me një sërë vrasjesh që lidhen me trafikun e organeve jetësore, kërkimi i etshëm i tij për të zbuluar rrjetën mafioze të një krimi të përbindshëm.
Drejt “Doktorit”, autorit të këtyre vrasjeve, në bashkëpunim me një rrjet të egër kriminal, shtyhen në kërkime hetimore tre persona: dedektivi shqiptar, dedektivja e huaj, në shtetin e së cilës është fshehur Doktori për t’i shpëtuar hetimit policor dhe i biri i jashtëligjshëm, një student mjekësie, i cili dyshon se i ati i ka ekzekutuar me dorën e të tjerëve të ëmën, në një histori të trishtë erotike-dashurore-kriminale.

 

Vila misterioze

Përshkrimet e tablove jetësore të kryeqytetit shqiptar, pas mënxyrës së vitit zezan ’97, ku shoqëria ndihej e presuar nën peshën e delirit kriminal të pjesës së saj më të keqe, përbëjnë faqet më realiste dhe të shkruara më bukur të romanit.
Fati i personazheve i përngjet fatit të një kohe të trazuar, ku e keqja e përbindshme duket se ka dalë nga “Kutia e Pandorës” dhe endet poshtë e përpjetë në kërkim të viktimave të saj.
Duket sikur një shpirt i ligë dhe përndjekës ka dalë nga mitra e përgjakur e delirit kolektiv dhe synon të mbajë nën peshën e frikës, makthit dhe terrorit psikik një shoqëri të tërë, e cila bën përpjekje sizifiane për t’i ikur këtyre “erenive”, që thurin metastazat e një fati të mbrapshtë.
Ky roman është një hymn i lirisë së munguar, një apoteozë e dashurisë dhe humanitetit përballë ingranazheve të vdekjes dhe tjetërsimit. Është një narracion i goditur, ku përzihet lufta dhe erotika, plagët dhe puthjet, ëndrrat njerëzore dhe vulgariteti e dhuna, një sagë mbresëlënëse për fatin e njeriut në luftë me forcat e errëta të shoqërisë, në një kohë të vështirë, plot kthesa e befasime.
Gjithë peizazhi narrativ i shkrimtarit Hyqmet Hasko është një peizazh i përndezur nga sharmi vezullues i të papriturës, i befjes, i të panjohurës, i kundërvënies së forcave progresive, që përfaqësojnë dritën dhe dashurinë në shoqërinë njerëzore, me forcat e errëta, që përfaqësojnë delirin, krimin, dhunën, brutalitein dhe vulgaritetin njerëzor.
Faqet e prozës së Haskos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon protagonisti në rrëfimin e tij, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës, që e rrethojnë me një mur trysnishë dhe paragjykimesh. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet e vizatuar me penel të hollë, këtë shkëlqim human reflekton Hyqmet Hasko në këtë roman të tij.
E thënë ndryshe, proza e këtij autori sjell një rrëfim origjinal, me një diapazon të thyer narrativ dhe filozofik, me një stil të ngjeshur e dinamik, plot poetikë e muzikalitet, me një botë të madhe përjetimesh, mbresash, kujtesash, emocionesh, të përpunuara me një gjuhë të pasur, në një labarator krijues befasues.
Kamera e tij vëzhguese rrok një gamë të gjërë ngjarjesh, dukurishë, tabloshë jetësore, duke përzgjedhur në tipat dhe ngjarjet jetësore ato që sjellin më shumë mesazhe, sigurisht të transfiguruara e të pasuruara me anë të një estetike narrative të beftë dhe emocionale.
Proza e Haskos të bën për vete me magjinë e rrëfimit, me fuqinë e fjalës dhe përshkrimit, me stilin e ngjeshur e dinamik, me larminë e tipave dhe karaktereve, me gjuhën e gjallë dhe plot kolorit të brendshëm, plot trajta e figura të freskëta, që ai i vë në funksion të botës emoocionale të personazheve dhe rrëfimit.
Ajo që e bën të veçantë rrëfimin e autorit Hyqmet Hasko në këtë roman është stili i tij befasues, ku fragmentarja në formë mozaiku plotëson të tërën, të plotën dhe ku endjet e personazheve në kërkim të vevetes dhe të tjerëve bartin e rikrijojnë metaforikisht kohën e bëmave shqiptare në një mot të vështirë të postkomunizmit.
Romani “Vila misterioze ” i shkrimtarit Hyqmet Hasko është një depërtim në thagmën e shpirtit kolektiv të kohës shqiptare, duke e vështruar realitetin nga pika më e lartë e horizontit depërtues, që është pika e një narracioni të shpenguar, pa kahje dhe paragjykime.
Ky roman sjell një këndvështrim të tij për realitetin që bën objekt pasqyrimi estetik, për shkak të magjisë së faktit autentik dhe trillit befasues të ngritura në estetikë të mirëfilltë, me anë të një tregimi tërheqës. Hasko duket se është një kërkues realist në psikologjinë dhe shpirtin shqiptar, me një stil të ngjeshur e konciz, por njëherësh të ngrohtë e plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe depërtimi psikologjik e psiko-analitik, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ai na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin e individt shqiptar në përballje me delirin kriminal të elementëve më agresivë të shoqërisë.
Një ankth ekzistecial endet në këtë roman, ku përzihet e shkrihen në një vektor estetik dramatika dhe poetika e përkujdesit njerëzor, mizoria e barbaria e instinkteve të errëta dhe kulti i dashurisë e humanizmit, si vlerë e botës shqiptare.
Ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë e Haskos, si dhe në këtë roman të tij, është vokali shumëgjyrësh përshkrues dhe meditativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të freskëta, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit.

 

Hyqmet Hasko

Aventura e tij shkrimore është një udhëtim në thelbin e vetë kohës shqiptare, në ankthin dhe dyzimin kolektiv, në rrekjen e saj për t’u iluminuar dhe pasuruar shpirëtrisht e psikologjikisht.
Shkrimtari konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, personazhe në zhvillim psiko-emocional, tablo jetësore të gdhendura me daltën e një stili dinamik dhe tërheqës.
Kur mbaron së lexuari romanin “Vila misterioze” të shkrimtarit Hymqet Hasko ndjen se sapo ke dalë nga një cipë errësire e dendur dhe e ëmbël, pas së cilës vjen drita, magjijimi, kthjellimi, zgjimi, reflektimi dhe ti shkëputesh nga mbresat e përjetuara nga një lexim intensiv, teksa ndjen një nevojë urgjente për të shkruar diçka, si një jehonë të asaj çfarë ke lexuar dhe përjetuar në këtë aventurë të guximshme shkrimore.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s