Poezi nga Enertin Dheskali
Mësueses sime
Sa herë me trenin e kujtimeve
Vrapoj ngadalë nëpër kohë,
Më buzëqesh ëmbëlsisht përtej thinjave
Mësuesja ime e klasës së parë.
Më rrëmben si dikur zëri i saj,
Këshillat më kumbojnë në vesh
Si hajmali ato fjalë i mbaj
Edhe sot, tre dekada më pas.
Se vërtet vitet më thinjën edhe mua,
Dhe sot më thërrasin profesor,
Por si nënë të dytë vazhdoj ta dua,
Mësuesen e klasës së parë.
Çdo 7 Mars i trokas në portë,
Një tufë lule ia lë nëpër duar,
E ajo më përqafon e përlotur
Dhe flokët m’i shpupuris si dikur.
Faleminderit që më kujton biri im,
Më thotë dhe më puth në ballë,
Unë, “gëzuar 7 Marsin” – i them,
Mësueses sime të klasës së parë.