Lawrence Ferlinghetti
Kalendari poetik: Lawrence Ferlinghetti 24 mars 1919
Sot, më 24 mars, mbush një shekull jetë L. Ferlinghetti, poet, botues dhe piktor amerikan. I ati, mërgimtar nga Breshia (Itali), vdiq aksidentalisht gjashtë muaj para se të lindej poeti; e ëma u shtrua në spital psikiatrik dhe e rriti tezja, nga Provence, Francë; dhe fjalët e para që mësoi qenë frëngjisht. Pas ca vitesh, tezja filloi punë si kujdestare fëmijësh në familjen Bislands, në Nju Jork. Kjo familje e birësoi dhe i dha mundësi të studionte për gazetari. Njihet edhe si pronar i shtëpisë botuese City Lights, ku botoi shkrimet e para Bukowski, Jack Kerouac e Allen Ginsberg. Përzgjodha këtë shqipërim në 100 vjetorin e poetit:
MËSHIRË PËR KOMBIN…
Mëshirë për kombin që ka popull dele
dhe udhëheqësit barij të këqij.
Mëshirë për kombin ku udhëheqësit gënjejnë
të mençurit s’flasin
dhe fanatikët gëlojnë në radio dhe TV.
Mëshirë për kombin që zërin s’ngre
veç për të lëvduar pushtuesit
rrugaçët i shpall heroj
dhe që shpreson me dhunë
botën të komandojë
Mëshirë për kombin që gjuhë tjetër s’njeh
veç gjuhës së vet
Asnjë kulturë tjetër veç të vetës
Mëshirë për kombin që shpirtin ka te paratë
dhe fle gjumin e atyre
që kanë plëncin gjithnjë plot
Mëshirë për kombin-oh, mëshirë për njerëzit
që lejojnë të drejtat t’u shkelen
dhe liritë t’u flaken tej
Adheu im, qaj për ty
o tokë e ëmbël lirie!
Shënimi im: kjo poezi është frymëzuar nga “Kopshti i Profetit” i Kahlil Gibran-it (e gjeni në botimet Toena, me titullin “Profeti dhe Kopshti i Profetit, me shqipërimin tim)
© shqipëroi Maksim Rakipaj





























Leave a Reply