Poezi nga Shkëlzen Halimi
PULLAZI
Do ta krijojmë pullazin tonë
Me mallin e harruar
Që e ndriçon zjarri i dhembjes sonë
Do ta mbulojmë me dashurinë
Që dergjet netëve të gjata
Dhe do ta shtrojmë shtratin
E ushtarit të panjohur që na ruan
Nga vrasësit e ëndrrave
Mbi kulm do ta shpalosim flamurin e bardhë
Për t’i frikësuar magjitë e zeza
Që na shitojnë pamjet
Përtej dritares së vogël.
STACIONI I PRITJES
Do ta ndezim fenerin
Dhe do ta ndriçojmë plagën
Tregimin pa fillim e pa fund
Që përhapet në hartën e vendlindjes
Së harruar
Fiket edhe drita e fundit e qytetit të padukshëm
Mëngjesi sërish do të ngatërrohet
Diku në stacionin e pritjes
Ku s’të vjen askush
Mos e nis dhembjen drejt vendlindjes.
HIJE ANKTHI
Përtej portës së dhembjes
Lumi i mallëngjimit na i vërshon ëndrrat
Që thuren në fëmijërinë e fshehur
Aty diku në librat e mbyllura,
Rafteve me pluhur
Hije ankthi na tremb të nesërmen
Që assesi të shpallet në mëngjesin e stinës
Pa emër
Përtej portës së jetës vetëm dhembje.
PALAÇO
Torzo në uniformë diktatori
Përpëlitet korridoreve të mbjella me plagë
Urrejtje, e neuroza
Ai fshihet pas impotencës
Dhe aktron heroin e imagjinuar
Që bëhet lodër qyqe
Palaço në kostum
Me zeje varrmihësi vret pamjet e qiellit
Është ai, vjedhësi i ngjyrave të errësirës
Është ai, thotë zogu i plagosur
Që e ndjek krrokama e Korbit të PO-es
Është ai që lundron në lumin e përgjakur
Dhe me zjarrin e Neronit djeg anijet e shpëtimit.
APOKALIPTIKE
Ditës ia ka vrarë diellin
Ia ka hapur rrugën acarit, trishtimit
Botës së errësirës i jep përmbajtje të re
Ja tek vjen me krahë engjëlli
Egërsirë në trup njeriu
Që ngrin fluturimet e zogjve
Që ngurtëson djepa foshnjash
Që shkatërron urën me tri harqe
Që ia shton edhe një plagë Gjergj Elez Alisë.