Poezi nga Zamira Agalliu
Mos më zgjo
Mos më zgjo mëngjesin e kujtesës
Se më ka mbushur shpirtin plot
po shoh në ëndërr ditën e martesës
Ik, dhe sot më puth vetëm në flok!
Sot dua të fle, se e kam një shkak
dua që ëndrra ime të më rri në sy
ditët e lumtura janë fare pak
mos më pyet nëse të ënderrova ty!
Ti shko, më puth pra lehtë vetëm në flok
dhe mos më pyet, ëndrrën kam të lirë
kur fle unë, nuk jam më në këtë botë
Endrrat fluturojne pa pranga e zinxhirë!
Baba
Nuk flet shumë, por kaq shumë thua
E çdo fjale një proverbë i qep
Ballin e vrejtur, këshillat e tua
Bekuar në hënë, diellit amanet
Trashëgim baba, më le gjakun
Edhe këngën e bardhë, trashëgim
Oh! Sa për fatin më thuri Penelopa
E mbajta besën baba, më thirr Doruntinë!
Lulet e Pranverës
Mos këput lulet e Pranveres
Janë të brishta, janë të njoma
Ato i ruajta nga thëllima e erës
Nga Dimri i gjatë edhe nga ftoma.
Balsami i shpirtit
Një puthje lundroi bashkë me dallgë
Dhe ato u ngritën si mal mbi det
Pastaj u kthyen përsëri në valë
Dhe m’i lagën mua qerpikët leht’
E ndjeva puthjen që më lagu
Dy sytë e mi qerpikë tharë
Përgjumur zgjohem këtu së largu
Vegimin pyes çfarë ka ngjarë ?!
U zgjova dhe dorën ma more mua
Dhe larg më çove tek një burim
U derdh atje malli si krua
E rrugën mori pastaj në kthim
Kokën mbështeta në brengën tënde
Aromën e saj mbante akoma jeta
Kur jemi bashkë s’na shkon në mendje
Se balsam shpirti janë puthjet e vërteta.
***
Grua!
Kur të jeshë kujdesur për fëmijët,
familjen, burrin, punën
Kujdesu edhe për vehte
Vendos të kuqin mbi buzën e çarë!
Pastaj protesto dhunën!