NJË LETËR PRAPË PËR BABAIN / Nga: Petrit Ruka

NJË LETËR PRAPË PËR BABAIN

 

Nga: Petrit Ruka

I dashur baba,
ti e kishe emrin Novruz dhe kishe lindur në ekuinoksin pranveror. Ditën e pranverës, në 22 marsin që erdhi prapë. Në ekuilibrin e përkryer të natës dhe të ditës. “Ditën” tënde e jetuam bashkë. “Natën” tënde po e jetoj vetëm. Përmes një malli që të “ha” zemrën dhe që të bën mirë, sepse ajo do të çahej tek brinjët nga enjtja e përvitshme. Kështu shpëtoi dhe Prometeu duke ia ngrënë pak nga pak mëlçinë shkaba e zezë e Skithisë. Miti i lashtë paska të drejtë.
Sa herë vjen datëlindja jote kujtoj poezitë që kam shkruar për ty. Më vijnë (a i kërkoj vetë?) si ngushëllim shpëtimtar këtë nuk them se e di mirë. Mbaj mend që të parën e shkrova kur isha rinosh diku nëpër vitet e gjimnazit. Erdha me një frymë të ta tregoja atë revistë “Nëntori” dhe ti më the; ku është?
E hapa aty ku ajo nusëronte dhe ti nuk e lexove. U gëlltite, po nuk fole. As kërkove ta dëgjoje prej meje. Veç shtrive atë dorë të madhe prej muratori të përzbardhur nga gëlqerja dhe e vure pëllëmbën e gjerë mbi faqen e shkruar të librit. Pashë se si dora jote u drodh ato dy tri sekonda mbi të.
Kaq ishte. Po unë kam një jetë të tërë që vras mendjen se çfarë do të thoshte e gjitha ajo që bëre e nuk i jap dot shpjegim këtij misteri.
Çfarë ishte?
Do të vdes pa një përgjigje të plotë e ndoshta më mirë, Madhëria Ime!
Dhe ja, nga që e kam bërë zakon, po risjell si një mall të ri për ty një nga poezitë “e tua!”
Është botuar e ribotuar qindra herë në faqe gazetash, blogjesh, profile njerëzish të mirë e ka mijëra e mijëra komente dhembshuruese.
Sa do të doja që ti t’i lexoje, po jam sërish i bindur që nuk do ta bëje.
Sërish do të shtrije dorën e stërmadhe mbi to, muratori im dhe nuk do të flisje.
Uh, unë nga e para do bëja të njëjtën pyetje me vete: çfarë ishte?

BABA, NE IKËM

(shkruar kur nga fshati iku dhe i fundit…)

Baba, ne ikëm,… shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)

U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gjithçka është gati në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën…

Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole,… botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri..

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot tërë bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s