Aty ku mungon pavarësia e sistemit ligjor, nuk ka drejtësi. / Nga : Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

Aty ku mungon pavarësia e sistemit ligjor, nuk ka drejtësi.

 

 

“Drejtësia është e barabartë me lirinë e shpirtit,

të cilën mund ta vendosë vetëm i virtytshmi”

 

 Vivra

 

 

vilheme

   NgaVilhelme Vrana Haxhiraj

 

Çdo ditë e çdo orë, apo emision lajmesh buçasin ekranet e TV dhe debatohet  për Reformën në Drejtësi. Si mund të pretendojmë diçka të tillë  kur shohim se politikanët rrahin ujë në havan. Na vrasin veshin lëvizjet paralele, me ngritje apo me ulje, por gjithmonë brenda organeve të drejtëisë. Ç’mund të thotë i dënuari me burgim për një gabim që mund të shlyhet edhe në liri me kusht kur dëgjon se i korruptuari me qindra mijëra euro të përvetësuar, jo vetëm fiton pafajësinë, por i paguhet edhe dëmshpërblimi. Apo krimineli që ka merr jetë të pafajshme. Këtë liri të pamerituar ua japin organet e drejtësisë.  Kaq të pagabueshëm dhe zbatues të përpiktë të ligjit janë këta prokuror dhe gjykatës, sa dënojnë cironkat dhe u japin pafajsinë peshkaqenëve? Ka vetëm dy rrugë ose janë bashkëpunëtorë të tyre ,ose ende zhvillojnë luftën e klasave nën maskën e luftës kundër korrupsionit.

Është jashtëzakonisht e dhembshme , që sot pas gati mëse 26 vitesh tranzicion, të diskutohet për diferencim dhe denigrim klasor. Të barazosh ngjyrat , të kuqen me të bardhën, të vendosësh në të njëjtën peshore apo në barazpeshë xhelatin me viktimën, është jo vetëm mungesë realiteti, por hipokrizi dhe mashtrim. Si nuk mund të indinjohesh kur sheh hajdutin ose kriminelin që këlthet: “kapeni hajdutin”, duke i drejtuar gishtin dhe duke akuzuar të pafajshmin. Kjo është çudia më e madhe që ndodh vetëm ndër ne.  Është për të ardhur keq që viktima e djeshme ka po të njëjtin fat edhe sot në “demokraci”, pasi ai ishte,  është dhe do të ngelet fajtori. Për ta denigruar atë, e pabëra i shndërrohet në të bërë; e mira e tij shtjellohet e koklavitet në një të keqe të madhe; e pandodhura… bëhet fakt i kryer dhe rrëmohet e kërkohet si gjilpëra në kashtë, madje pa asnjë shkak, vetëm për ta diskriminuar, për ta shpallur fajtor… fajtorin e pafaj, me qëllim që bijtë e të vuojturve të mos ngrehin kokë. Shpirtligu , ciniku ose pjella e së keqes, i gatshëm për shkatërrim, nuk ia do të mirën të persekutuarit dhe të varfrit, madje i therin sytë kur e sheh që lëviz lirisht dhe di të jetojë edhe me qindarka. Ndaj që të qetësojë shpirtin e tij të vogël e të ndotur me poshtërsi, kërkon t’i gjejë një gabim sado të vogël, gjë që është mëse e natyrshme për cilindo që punon dhe më e keqja është se gëzohet nëse arrin t’i hedh prangat e ta rrasë në burg. Të tillët nuk e kanë për gjë të survejojnë njeriun e mirë që është për së mbari, ndërkohë që krimi vrapon nëpër rrugë, trafikanti të tund para fytyrës diplomën dhe doktoraturën, ai që punon në sferat e larta  të administratës shtetërore i nxjerr gjuhën atij që është pa punë, duke i përplasur derën e makinës luksoze dhe me një nënqeshje ironie i ngërdheshet: “ -Të të rrojnë aftësitë profesionale, intelektuale dhe gjuhët  e huaja, se koha punon për mua. Unë isha dje, unë jam sot dhe po unë do të jem edhe nesër.” Hesht vetëm atëherë kur nuk e sheh “armikun e klasës” që t’i dalë përpara syve në rrugë a gjetiu, atëhere gajaset nga lumturia që e ka arritur synimin për ta eliminuar, për të mos e pasur më nëpër këmbë, si pengesë në rrugën e tij abuzive.

Çdo ditë dëgjojmë të flitet për pranimin e Shqipërisë sonë në sofrën Europiane dhe pengesa kryesore për t’u realizuar kjo gjë është drejtësia e korruptuar.  Veçse drejtësia nuk janë vetëm gjyqtarët ,por janë edhe prokurorët , oficerët e policisë gjyqësore dhe e gjithë administrata që punon për ta. Po, si ka mundësi që shumë nga këta “zotërinj” kanë shumë pak vite të transferuar këtu prej qyteteve të tyre të humbura dhe kanë në zotërim shumë apartamente e prona të qyqarëve që u kanë rënë në dorë. Çuditërisht  askush nuk i kontrollon këto pasuri. Pavarësisht se ku punon ligji është i barabartë për të gjitha nivelet e shoqërisë dhe për cilindo shtetas duhet të zbatohet me të njëjtën korrektësi.A më thotë kush se si ja dalin në fund të muajit me rrogat që marrin ,kur ndërkohë bëjnë jetë luksi,përdorin makina me kosto mirëmbajtjeje shumë të lartë dhe i kanë gati të gjithë fëmijët në kolegje dhe shkolla perëndimore!? Pse këta do të zbatojnë ligjin?! Këta do të vënë drejtësi që të ecim me të njëjtin ritëm  në shinat europiane!?

Mos vallë kështu do të ndërtohet demokracia?  Kjo duhet të jetë fizionomia e presupozuar për shtetin e së drejtës? Ky ishte sistemi që kishim ëndërruar? Dhe të mohuarit, të etur për liri e zhvillim kombëtar,  të lodhur nga përçmimi apo mohimi gjysëmshekullor  nuk e kuptuan?!Ndoshta… harruan që ujku qime ndërron por zakonin s’e harron

Ish i përdjekuri ka ngelur i tillë, brezi i katërt i mohuar( realisht) se është ngopur me lugën e zbrazët të  elektoratit  se gjoja” s’ka më diferencime klasore ,është vendosur barazia, nuk ka më  të persekutuar dhe persekurtorë…të gjithë  janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit apo të emërohen në çdo nivel të pushtetit, si dhe kanë të drejtën  të zgjedhin dhe të zgjidhen”, që mjerisht  është hipokrizia më e madhe. Për këtë shtresë të mohuar bëhet shumë zhurmë për asgjë… Fisnikëria  ishte dhe ngeli e mënjanuar, e përbuzur, e shpërfillur, edhe pse flitet gjasma me dhembje për ta,  përsëri shihet shtrembër. Vetëm për t’i mbushur mendjen Botës se po bëjnë të pamundurën për integrimin e tyre.

Kurse persekutori i djeshëm ashtu si në diktaturë, edhe sot është fatlumi, është fitimtari…  dhe çuditërisht  është e drejta e tij legjitime,  të marrë trofetë e ndryshimeve demokratike në vend. Natyrisht..,pasi ligji është formuluar enkas për të  dhe zbatohet për të, pasi vetëm ai e ka me trashëgimi të drejtojë e të zgjidhet në organet më të larta të shtetit, legjislativit, ekzekutivit apo të drejtësisë. I njëjti trajtim  ndodh me sa e sa të  tjerë që merren me trafik droge, armësh, qeniesh njerëzore, apo me kontrabandë, që tashmë janë pasuruar. Ujku mjegull kërkon dhe dihet se në kohë të turbullta lëvrin paraja. Me para blen diplomën, blen karrigen dhe është paraja ajo që bën dhe zbaton ligjin. Mos vallë ky realitet i paskrupullt është drejtësia që na kishte munguar për 50 vite?!

Ndaj me keqardhje po ju drejtohem për kujtesë…

Të nderuar bijë të shqipes kudo që ndodheni në botë! Shqiptarë të vërtetë, të ndershëm dhe të  çdo ngjyre politike, apo të paangazhuar në politikë (po i specifikoj sepse jo të gjithë futen në një vathë apo ziejnë në të njëjtin kazan).

Veçanërisht po u drejtohem gjithë familjeve të mirëfillta të persekutuara. Po e theksoj të mirëfillta, jo pseudo të persekutuara. Jo atyre që padrejtësisht kanë marrë statusin politik  e fatkeqësisht kanë fituar aq shumë, sa edhe strehim politik  në shtetet kapitalisto-impeialiste që urrenin.. Janë ata që deri dje prindërit e tyre bënë luftën e egër të klasave dhe sot janë më të persekutuar se ata që u tretën në qeli-varret e ftohta si vdekja, që u kalbën në llomi kanalesh apo kënetash. Madje as sot në shekullin e XXI nuk kanë një varr, por u trajtuan si pa atdhe, edhe pse ideali i tyre ishte shqiptarizmi.

Çudit më të mëdha kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri. A s’është paradoks…atdhetarë pa atdhe pa varre, pa identitet?!Oh, çfarë mëkati!Të mohuarit nuk kërkojnë mëshirë ,por vetëm të drejtën legjitime me kanun, me ligj dhe me zakon.

Ju drejtohem atyre nënave  dhe baballarëve që provuan tmerrin e vërtetë të luftës së egër klasore, të cilët i burgosën, i internuan, që u sekuestruan gjithçka deri te shtresat apo mbulesat e gjumit, që i nxorën në rrugën e madhe, duke iu mohuar çdo të drejtë humane.

Po u drejtohem atyre familjeve që ua rrëmbyen djemtë apo vajzat nga gjiri amësor, i burgosën dhe i vranë duke i hedhur nëpër kanale e këneta, për të plehëruar tokën e pashallarëve të kuq.

Ju pyes:”I dini ku janë varret e tyre vallë? U mbush Parajsa mesdhetare me varre pa emër.” A e vret ndërgjegja politikën ndopak për këtë mohim me dashje? Po nuk u bë asnjë forcë politike zemërgure dhe bujare e ta kërkonte këtë të drejtë humane. Aty ku ngrihen vilat luksoze të “aristokratëve të rinj”,  kushedi sa varre pa emër gjenden në themelet e tyre. Kurse të privilegjuarit që jetojnë në këto pallacina të “shtresës së lartë“ që çuditërsht mbinë si këpurdhat pas shiut, pa një të shkuar fisnike, apo pasuri të trashëguar, nuk kanë frikë nga tërmetet apo rrebeshet e kohës? Sepse e dinë që themelet e vilës janë mbrujtur si kështjella e Rozafës, me gjak të pastër shqiptari.

Ka rrezik që mendjet prej intelektuali të atyre të burgosurve apo të vrarëve të gjorë , u janë transplantuar gjithë injorantëve pa asnjë gram kulture dhe cinikëve dritëshkurtër. Gjithsesi ata janë të pandërgjegjësuar,edhe pse kanë huajtur tru të zhvilluar. Kushdo e di se ato  themele janë mbrujtur me palcën dhe me trurin e kombit, të cilin e varrosën për së gjalli, e mbytën në ujërat e lumenjëve, sepse ia kishin frikën inteligjencës së arsimuar në perëndimin kapitalis . Kjo ishte atrsyeja që zhdukën pronën private dhe pronarin legjitim e eliminuan. Mjerë shqiptarët që tradhtuan veten! Sot çuditërisht persekutorët, kriminelët e xhelatët  apo bijtë dhe nipat e tyre e lakmojnë aristokracinë që dikur përbuznin. Madje e kanë krijuar këtë shtresë dhe vetëquhen “aristokraci e re”.

Ndaj sot u drejtohem atyre nënave dhe baballarëve që i lanë me duar në gji, që ua mbyllën dyert, ku nuk u ndez më zjarr në vatër dhe në oxhak nuk doli më tym.

U drejtohem atyre vejushave që rritën jetimë me baballarë gjallë, ose veshën rrobat e zisë qysh në rini. Të mjerat nuse dhe vasha! Dukeshin sikur s’kishin qenë kurrë të reja, por sikur kishin lindur plaka.

U drejtohem bijëve dhe bijave që nuk u tha kurrë goja “baba”, që u rritën me lakra pa vaj, që ecën zbathur nëpër rrugët e përbaltura të vendit, vetëm për ta parë nënën apo babanë e prangosur. Ai shikim i malluar dhe i përvuajtur i fëmijëve të uritur, ishte e vetmja shpresë që i mbante gjallë dhe mernin frymë gjithë “Të vdekurit e gjallë” që i kishin kallur në qelitë e ftohta dhe në galeritë e vdekjes nëpër miniera, që Shqipëria të ishte “fanar ndriçues në Botë“.

A ka ngelur më ndërgjegje dhe moral shqiptari ndër ne? Ju jeni fisnikë në breza. Nëse po, pse heshtni ndaj poshtërimit që po ju bëhet? Fisnikëria as shitet dhe as blihet. Nuk ka çmim për atë titull të lartë, i cili vetëm trashëgohet nga shekujt. Ku shkoi dinjiteti juaj, që ishte i vetmi cilësi viryti të cilin nuk ua çrrënjosën dot? Tjetërsuan pronën e mendjen, u  xhveshën prej çdo lloj pronësie dhe të drejte legjitime, por dinjitetin jo. Përse nuk shkruani dy rreshta kundër atyre laramanëve të pa denjë, pa dinjitet , pa moral qytetarie etë pandërgjegjësuar  që kërkojnë të fitojnë mbi gjakun dhe mohimin e gjysmës së shqiptarëve? Turp për ata “pseudo të persekutuar” që kanë dalë sot e mjerë për ata shurdhë-memecë nga fisnikëria dhe inteligjenca e persekutusar, që ende nuk kanë vrarë frikën. Shteti demokratik e njeh kartën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Si i tillë duhet të mbrojë lirinë e fjalës dhe të shtypit. Ndaj mos hezitoni. Druri i shtrembër e prish turrën e druve. Ndaj luftojini këta element të veçantë, këta mashtrues, këta gënjeshtarë, që s’ janë gjë tjetër veçse pjellë e së keqes, bijtë e komsomolit ! Nuk mund të ndërtohet demokracia, shteti i së drejtës, aty ku shkelet dhe shtrembërohet e vërteta, aty ku paraja dhe  padrejtësia e vret drejtësinë.

Jetojmë kohën e çudirave, kohën e paradokseve. Nuk e besoni? Atëherë jetokeni jashtë realitetit.

I përkëdheluri i diktaturës, ai që jetonte nën hijen e ombrelës së xhelatit, na hiqet i persekutuar? Nuk i keni lexuar ankesat dhe kërkesat e tyre për “drejtësinë e mohuar”?  Tashmë na del   “X” individ, që e kishte babanë anëtarin e Byrosë Politike të Partisë, sekretar  të komitetit të Partisë, anëtarë të Komitetit Qëndror dhe vetë kishte marrë bursë shtetërore, specializohej jashtë shtetit, ushtronte profesionin pedagog në një shkollë të mesme apo profesor në Universitet, i cili kishte të drejtën të bëhej artist, shkrimtar, doktor, studiues dhe shkencëtar . Sigurisht në Akademitë më të mira perëndimore. Pastaj përkthehej në gjuhë të huaja, nën kujdesin e diktatorit,” Peshkaqenit baba” dhe mëmës parti, kurse sot na deklarohet i persekutuar. Përse ky poshtërim, fyerje e denigrim ndaj asaj shtrese të leqendisur, por të nderuar? E dinë ata vallë që mbajnë mbi shpinat e tyre fajin e krimeve të komunizmit? Sepse janë bijtë e tyre. Ashtu si ju që mbajtët mbi shpinë,  shpaguat shumë shtrenjtë për “gabimet apo fajet “e paqena të baballarëve tuaj të “fajtorëve të pafaj”, edhe ata kanë përgjegjësitë e tyre. Në mos materiale, së paku morale. A nuk është turp që sot të kërkohet rihabilitimi i Diktatorit, i kriminelit që nga frika e persekucionit, zhduku shtresën e mesme dhe inteligjencën, palcën dhe trurin e kombit.

Nuk jam dakord që të përsëritet dhuna që u ndoq ndaj gjysmës së shqiptarëve, por të mos kërkojnë atë që s’u takon as me zakon dhe as me ligj. Paçka se ndokush nga rradhët e tyre u dënua nga diktatura, e cila ishte luftë për pushtet e kolltuk dhe jo për pëmbysjen e regjimit, apo si shtresë e inteligjencës.

Gjithsesi të dënuarit brenda gjirit të Partisë së Punës, kurrë nuk mund të quhen të persekuatuar të mirfilltë, kurrë.  Sepse ata vdiqën komunist nuk e ndërruan idealin as me vuajtjen e pashembullt, madje as me jetën. Por historia e luftës së klasave që dënohet sot nga medja, nis me burgosjen e pushtetarëve të niveleve të larta. Unë them se shënja e barazimit vihet vetëm mes jetës dhe lirisë, ashtu siç bënë të burgosurit dhe të vrarët nga komunizmi. Vetëm për atdheun jep jetën, por jo për një ideal të pa provuar më parë. Këtë e provuan më së miri 50 vjet diktaturë komuniste .

Por në vitin 1990 e më pas ndodhi çudia më e madhe. Në mbrëmje u shtrinë në shtrat të kuq dhe në mëngjez u zgjuan blu.

Njerëzit nuk hanë bar. E dinë mirë se cili është njëri dhe cili është tjetri. Jo që janë ende gjallë dhe e kanë jetuar atë kohë që mos iu përmendtë emri kurrë, që të mos e di se cilët ishin ata që kanë firmosur në emër të popullit, arrestimin, burgimin, apo vdekjen e inteligjencës shqiptare dhe internimin e mijëra familjeve zhytur në mjerim dhe në mohim moral, profesional e fizik .

Ju mund të pyesni se përse iu duhet ky “luks” nga i cili ata kanë pasur neveri. Tani për çudi u pëlqen të jenë “të persekutuar dhe të përndjekur nga regjimi hoxhian.” E dini përse?

Të pangopur me stimuj material e moral, me çmime dhe tituj të paracaktuar nga juritë e ngritura mbi mbeturinat e realizmit socialist, brenda vendit, tashmë u duhet pasaporta e të persekutuarit politikë dhe e “disidentit” kriminel. Ata vdesin të jenë gjithmonë të parët, të jenë në krye, të dëgjohet vetëm emri dhe zëri i tyre. Nuk u mjafton vlerësimi këtu, u duhen edhe trofetë ndërkombëtarë. Oreksi u erdhi qysh kur morën çmimin “Nobel” shkrimtarët e përndjekur politikë: Orhan Pamuk dhe Herta Muler, të cilët përvojën e tyre të hidhur, të pasqyruar realisht, me detaje, deri në imtësi, e hodhën në letër, duke u ngritur në art  dhembjen dhe me penë akuzuan dhunën në tërësi dhe si individ në veçanti. Ata kishin se çfarë t’i tregonin botës dhe Nobelit. Po këta të përhkëdhelur, si do ta tregojnë vuajtjen e gjysmës së shqiptarëve nën luftën mizore të klasave, ku u bë hasëm vëllai me vëllanë, babai me djalin, ku spiunoi gruaja burrin…? Ndërsa përshkruajnë gënjeshtrën dhe hipokrizinë, pasi nuk e njohin vuajtjen dhe dhembjen e tyre,  a nuk do t’u dridhet dora kur vetë ata firmosën apo votuan burgosjen dhe pushkatimin e poetëve?!Aq më tepër  kur ata ishin shkakëtarë të persekucioneve, në mos ata vetë, prindërit e tyre. Ata shumë… shumë mund të shkruajnë për vuajtjet e byroistëve të dënuar nga regjimi i Demonit, gjë që e kanë treguar. Çudi, se janë ata që sot na hiqen si disident dhe të persekutuar. Ndaj po ju them me neveri këtyre shkrimtarëve të ulët, pa personalitet: “mjaft u bëtë të pafytyrë! Po shtoni rradhët e lypsarëve në botë…duke kërkuar vlera të pamerituara, kur nuk jeni “Njerëz” në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mos na bëni si veten tuaj cipëplasur, se do t’u nxjerrim me emra dhe krimet që keni bërë!” Vlerësoj e respektoj ata që janë besnik të idealit të tyre, që nuk i lëpihen askujt, nuk bëhet sa sahanlëpirës duke ndërruar flamur dhe duke kthyer faqen, por qëndron atje në bindjet e tij. Pikërisht kjo e rrit personalitetin e kujtdo. Veçse kur vinë puna te bindjet, cilido  e ka të qartë se ai është ekstremisht i kundërt me bindjet e të persekutuarëve. Po si mund ta pranojë një ish i/e persekutuar se shkrimtarët e soc-realizmit ,ata që vendosnin për jetën e shqiptarëve të shpallur kulakë, që firmosnin vdekjen e poetëve të cilët donin lirinë e mendimit, të shpirtit dhe të fjalës, janë të çiltër dhe përshkruajnë vuajtjen e dhembjen e të përndjekurve. Këta delirantë shkruajnë vetëm për bijtë dhe bijsat e byroistëve, por jo për aa të deklasuarit e vërtetë të cilët  kishin tri dekada që vriteshin, burgoseshin, internoheshin pa shkak, vetëm si shtresë. Atyre që ngrehin në piedestal vepra të tilla, duhet t’ vijë turp nga vetja, sepse mohojnë realitetin.Kësaj i thonë : “vetë i vranë dhe vetë i qan! Ose…I vranë natën dhe i qanë ditën!” Ti çfarë je  Ai/Ajo bashkë me autorin tënd idhull, po i rivret ata që nuk kanë një varr. Ndërkohë, tytën e pushkës e ke drejtuar nga vetja. Bukur. Autori- mashë e diktatorit, ia ka arritur qëllimit që ty të vuajturin të bindi se ai thotë të vërtetën. Nuk ka ku të vejë më mirë. Kjo është një nga format e denigrimit si klasë. Tani ka ngelur t’i përuleni në gjunjë e t’i këkoni ndjesë: “E drejta ishte dhe është me ju që na vratë e dënuat,..ne e meritojmë se jemi fajtorë…” Turp, një mijë herë turp për ata që harruan se cilët ishin.

Veçse theksoj se Shqipëria sot më shumë se kurrë, e provokuar nga shovinizmi greko-serb, ka nevojë për drejtësi dhe për të rrëfyer  të vërtetën e hidhur. Këta e vendosin vetëm njerëzit e virtytshëm, me të cilët duhet të përfaqësohet denjësisht vendi ynë në të gjitha fushat e jetës.

Nuk ka si bëhet ndryshe. Ka nga ata njerëz që të thonë: “Më jep atë që s’ma ke borxh! Madje e dua sonte dhe si tënden!”

Ju që keni qenë dhe jeni të fituar në çdo kohë, lërini të persekutuarit në  hallin e tyre! Ata të gjorë as pronën e morën, as dëmshpërblimin material për vuajtjet çnjerëzore nëpër burgje e kampe internimi, madje as vlerësimin e dijeve dhe aftësive profesionale të fëmijëve të tyre. Po ndiqet e njëjta metodë si me gjyshat dhe baballarët. Po ju kujtoj se po mbahet i njëjti qëndrim klasor edhe ndaj fëmijëve të të përndjekurve, të cilët  janë brezi i katërt që po persekutohet, kur ju që drejtoni në çdo forcë politike qofshi, i keni dyert e jetës të hapura. Ishit dje, jeni edhe sot, sepse nuk ju ka shpuar as një gjemb. Kurse fëmijët e të mohuarëve, të përndjekurve, që edhe pse janë të diplomuar, me gjuhë të huaja, të fituara me zotësi, të aftë profesionalisht, për vite të tëra  janë pa punë. Por dhe në këtë gjendje nuk i lanë rehat, por i përndjekin, gjoja në emër të ligjit, njëlloj si etërit dhe gjyshllarët? Mos vallë duan të mohojnë edhe ekzistencën e tyre? Apo i quajnë si pengesë në fitimet kolosale e të pallogaritura që u sjell korriupsioni. Ndaj duan t’i bëjnë kurban për të mbuluar krimin  e vërtetë që e nis vrapin nga zyrat e tyre. Ky brez i katërt i përndjekur, duke ecur në gjurmët e baballarëve, veç në emër të  aftësisë dhe të së vërtetës, nuk ka para që të kërkojë drejtësinë e munguar. Po ku ta gjejnë vallë,  kur vepron “drejtësia e padrejtësisë”.Vetëm paraja jep drejtësi, ajo shfajëson trafikantin, tutorin, kriminelin dhe tradhtarin e interesave të kombi dhe i shndërron në vlera.

Nuk di se ku po shkojmë?! Vramë frikën dhe luftuam për një demokraci të vërtetë, por pësuam zhgënjim. Gjithë sy e vesh shqiptari pret se ç’do të bëhet me Reformën në Drejtësi?

 

 Për aq kohë sa nuk funsionon si duhet shteti i së drejtës, nuk ka zbatim të ligjit, për sa kohë drejtësia do të jetë në vartësi të politikës, pa një përmbysje të sistemit ligjor, pa shkarkuar nomeklaturën komunistetë ligjzbatuesve, Reforma në drejtësi nuk do të ketë suksesin e pritshëm nga të gjithë shqiptarët që në Shqipëri do të sundojë  “Drejtësia e Padrejtësisë  që mbron antivlerën, vetëm se ai e blen farsitetin e vlerës me para.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s