MOIKOM ZEQO,TAKIM ME VIZIONIN DHE KAOSIN ( ESSE OSE TREGIM PËR MOIKOMIN) / Shkruar nga : (Hamdi) ERJON MUCA*

MOIKOM ZEQO,TAKIM ME VIZIONIN DHE KAOSIN

( ESSE OSE TREGIM PËR MOIKOMIN)

 

 

-erjon_muca_549317221

Shkruar nga : (Hamdi) ERJON MUCA*

 

 

“Duhet të kesh kaos në brendësi për të çliruar një yll vallëzues”

 

 “Kështu foli Zarathustra.” e Nietzsches

 

 

Njohja me shkrimtarin Moikom Zeqo, nuk qe as e beftë e as përfundim i kërkimeve të mia për të gjetur kufij të ri të hapesirës letrare.

Si studiues letrar e njihja më herët, pasi në bibliotekën time prej kohësh ndodhet studimi i tij për jetën dhe veprën e Migjenit. Si arkeolog e njihja më parë akoma: që nga koha e shfaqies së atyre 7 filmave që tregonin për mrekullitë nënujore të gjirit të Durrësit dhe Karaburunit dhe që e mbushnin plot me zili dhe pasion, shpirtin tim prej fëmije kureshtar.

Përballjen e parë me figurën e shkrimtarit Moikom Zeqo e pata tre vjet të shkuara, gjatë një debati mbi letërsinë lë lëvrohet në Shqipëri me kushëririn tim poetin Vladimir Muça. Ai i ndezur nga këmbëngulja ime tha: Moikomi është shkrimtari më modernist në letërsinë shqipe të sotëshme. Përgjigjia ime qe e shpejtë dhe e zjarrtë, ndonëse pa lexuar asgjë nga shkrimtari Moikom Zeqo. Të jesh modern në periudhën postmoderrniste do të thotë të jesh i vonuar. Debati nuk zgjati më tej pasi dikush nga ata që na shoqëronin në tavolinë, nuk e di përse e hodhi debatin në një degë tjetër.

Më pas për Moikomin më foli me superlativa edhe miku dhe esseisti, ose siç e quaj unë, profesori im i esesë Ing. Fatmir Minguli. Shprehimisht ai më tha: tregimi i shkurtër i Moikom Zeqos është tronditës për nga hapesira e tejskajshme meditative.

Kurse Profesor Anton Nikë Berisha një tjetër mik fisnik e cilësoi si shkrimtarin me erudicion marramendës, madje janë të pakët eruditët e kalibrit të tij dhe jo vetëm në hapesirën shqipfolëse.

Kështuqë kur, për Krishtlindjet e vitit që lamë pas, miku im Fatmir Minguli më solli vëllimin me tregime, të sapo botuar nga shtëpia botuese bota shqiptare “Eunukët Engjëllorë” u gëzova shumë. Nuk kam përse ta fsheh, sedra ime u ndje u gudulisur, pasi librin ma dhuronte Moikom Zeqo me mbishkrim enkas për mua.

Për një njeri që adhuron letërsinë, një libër i dhuruar vlen më tepër se një brilant, kur ky është me dedikim ka akoma më vlerë.

Përballia me “Eunukët Engjëllore” qe “fatale”, pasi me të unë nuk zbulova shkrimtarin por vizionarin Moikom Zeqo.

Të gjitha tregimet e vëllim madje edhe sinopset në fund të tij nuk janë mendime po dritare të hapuar drejtë pafundësisë.

Vizionar!

Dua ta theksoj këtë pasi për mua një vinzionar është më shumë se një shkrimtar. Një vizionar është diçka mes gjeniut, profetit dhe dijetarit.

Vizioni është qendra e trekëndëshit që formohet nga gjenialiteti, profecia dhe erudicioni. Pra është krijesa profetike e një erudicioni gjenial. Po të përdoria gjuhen e astrofizikës, vizionarin do ta cilësoja me një diell të munguar. Nuk duhet të bini pre e kurthit negativ që ngre përemri i munguar. Pasi në sistemin tonë diellor rreth diellit rrotullohet edhe një i tillë dhe për jetën tonë tokësore ai është po aq i domosdoshëm sa edhe dielli. E kam fjalën për Jupiterin, gjigandin e gaztë, ai është një gllabërues kometash dhe asteroidësh që po të përplaseshin me tokën do ishin fatal për mbijetesën e jetës, të çfarëdolloji, që gjallon në planetthin tonë. Kometat përthithen nga ky gjigand duke pushuar së egzistuari.Ndoshta!

Po ta marrim për të mireqenë teorinë taosite, Jupiteri mund të jetë një portë magjike dhe kometat nuk shpërbëhen kur përplasen me të, ato thjeshtë kalojnë në një tjetër dimension. Pasi mbarova së lexuari vëllimin me tregime “Eunuket Engjellore” vështrova edhe një herë dedikimin dhe mu duk sikur në mes të shkronjave të tijë dallova një diagram të fshehur.” Crash test për Erjon Muçën”!

Tre miqtë e mi më lavdëruan shkrimtarin Moikom, kurse unë në një pasdite gushti po udhëtoja me mjetin tim drejtë Tiranës, për të takuar vizionarin Moikom Zeqo. Pasi për mendimin tim në librin “Enukët Engjellore” ai nuk shkruan mendime, por gërmëzon vizione.

Sigurisht ndihesha i elektrizuar nga idea se do ulesha të bisedoja më një njeri, nga i cili ke shumë për të mësuar. Me të u takova një nga kafenetë e shumta të Tiranës, u ulëm jashtë ndanë një shatërvani dhe pas dialogjeve fillestare unë i thashë:

– Për mua, të paktën në hapesirën shqipfolëse, ju jeni i vetmi shkrues të cilin pa frikë mund ta cilësoj me Borgesin.-

Ai buzëqeshi!

Ndoshta nuk i pëlqeu krahasimi im! Ndoshta ju duk naiv, por nga vështrimi i tij nuk arrita ta kuptoj.

Pasi çliroi tymin e cigares në mënyrën më të qetë të mundëshme më tha:

– Unë jam pak i margjinuar si shkrimtar! –

Në tonin e zërit të tijë nuk vura re as shenja mllefi, as shenja keqrdhje.

Ai e tha aq natyrshëm kët frazë sa që mua më tingëlloi me një tjetër frazë: Ju jeni të lumtur, kurse unë ndihem më i palumturi ndër ju. Pasi unë njoh atë që kufizon rrethi im i diturisë, por nuk njoh atë që ndodhet jashtë këtij rrethi.

U ndamë me të pasi ai më dhuroi dy libra të tij. Sigurisht me dedikim të cilin e shkroi mbi tavolinë përballë meje.

Gushti mbaroi dhe unë ju riktheva rutinës time, larg pushimt dhe pranë punës. Larg kafeneve dhe bisedave dhe më pranë leximeve dhe shkrimeve.

Nuk u mora menjëherë me librat që më dhuroi tashmë miku im Moikom Zeqo, pasi duhet të ingranohesha në përditshmërinë time të çakorduar paska nga pushimi që të gjeja qetësinë e duhur për të shfletuar librat e vizionarit Moikom Zeqo.

Libra ishin dy, por mua më ngacmoi më shumë vëllimi me tregime “Abraxas, mbreti i botës “botuar nga shtëpia botuese Buzuku, libër që nxiti edhe këtë esse ose tregim. Më shumë se titulli më nxiti një shënim që ndodhet mbi kopertinë: ” një tregimtar i pashoq, tek kemi Zeqon mistik, herë historian, arkeolog, pasionant, estetin borgesian, por mbi të gjitha, eruditin e fshehtësive të mëdha.”-shkruar nga Abdullah Zeneli.

Si ka mundësi që askush nuk vë re vizionarin të cilin e zbulova unë?

E lashë kopertinën dhe palipsestin tim dhe u përballa me kaosin!

Kaos shpërthyes, çekuilibrues, tregues e fshehës në të njëjtën kohë. Kaosin nga i cili rrodhi jeta dhe pa të cilin nuk mund të ketë të tillë. Duhet të keshë Kaos brenda që të çlirosh një yll vallzues: kështu foli Zarathustra! Zarathustra vetëm sa hodhi idenë .Kurse vizionari Moikom Zeqo futet brënda tij, e zbërthen, e analizon, e rrotullon njëqind e tetëdhjetëgradë, që me anë të tij të na tregojë anën e errët të Hënës. E nuk është ai kaos, ajo fjalë me të cilën jemi mësuar të emërtojmë rrëmujën. Jo, kaosi i tij ka formën e një peme, që nis nga i njëjti trung dhe shpërthen në degezime të pamendueshme. Të gjitha drejtuar drejtë pafundësisë qiellore dhe çdo njera prej tyre tregon një yll, yllësi, apo univers më vete.

Kaos që të tregon defektin e vërtetë të genit human dhe të bindjeve të tij… kaos i përdorur si mikroskop për të vështruar më qartë rrugën evolutive të racës njerëzore. Është e vërtetë se udhëtimi evolutiv i humanëve nisi miljona vjet të shkuara, por nuk është aq gjatë dhe përkryer sa ç’e pandehim.

Për ta kuptuar këtë m’u desh kaosi i Moikom Zeqos.

Ajo që mua më dukej si një drejtëz e gjatë, nuk ishte tjetër veçse një bashkësi segmetesh jetësore, brezash njerëzore.

” Nuk ka shi të paparishkueshëm” !

Po është mëse e drejtë, ashtu si nuk ka vdekje të papritur. Pasi që në momentin që ngjizet një qenie e gjallë, atij ose asaj i është dhënë edhe dënimi me vdekje. Ashtu si që në momentin që ngre një ngrehinë ke shënuar edhe fillimin e rrënimit të saj.

Kaos!Ekzistent dhe i padukshëm. Aq sa më duket se edhe ajo legjenda e mundjes së tij nga Kronosi dhe më pas e Kronosit nga Zeusi nuk është gjë tjetër veçse një gjetje e të parit. Një shfaqie teatrale me burratinë dhe ai nga errësira kaotike që ka rreth vetes lëvis fijet e burratinëve të cilët mendojnë se e kanë mundur.

Ajo fraza e Moikom Zeqos në atë bar-kafe të Tiranës, vetëm pas leximit të librit ka marrë tingëllimin e duhur.

Me keqardhje e pranoj, madje me një bindje matematike se ai nuk ka se si të ndihej ndryshe. Në një shoqëri obeze dhe të alkolizuar, maratonisti, apo edhe maratona nuk kanë se si të mos ndihen të margjinuara. Obezi matematikishit nuk kërkon levizjen, por qetësinë e kolltukut apo divanit.

Në një shoqëri të thjeshtëzuar nga telenovelat Braziliane apo Turke, askush nuk do të arrinte të kuptonte thellësinë kaotike të vizioneve universale të Moikom Zeqos.

E si mund ta mbyll këtë tregim kaotik?

Ka vetëm një mënyrë. Do e mbyll duke i thënë atij shkrimtarit vizionar të “margjinuar”:

-I dashur Moikom. Ju jeni duke rrezikuar seriozisht të ndryshoni nga 5 në 6 numrin e idhujve të mi të letërsisë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s