VARGJE KUPTIMPLOTA DHE MBRESËLËNËSE – “Përballë hijes së mollës” të autorit Adem Zaplluzha. / Nga: Shahbaze Vishaj – Grajçevc, poete

VARGJE KUPTIMPLOTA DHE MBRESËLËNËSE

“Përballë hijes së mollës”  të autorit Adem Zaplluzha.

 

 

f 1

Nga:  Shahbaze Vishaj – Grajçevc, poete

 

 

Dekada e dekada emri i Adem Zaplluzhës është i pranishëm në periodikun letrar. Vargje të shumta që u ofron lexuesve me tema e motive të ndryshme s’ka se si ata të mos i bëjë për vete, pavarësisht shtresave që u takojnë. Se vërtetë ky poet është shumë i pranishëm në letrat shqipe dëshmojnë veprat e shumta letrare, numri i të cilave tashmë ka arritur në 130, i cili titullohet “Përballë hijes së mollës”, ku janë sistemuar 53 poezi. Nga viti 2000 e deri më tani 2015 autori i ka shkruar 175.000 vargje, gjithsej 9.400 poezi, pra kjo flet qartë se ky autor është shumë frytdhënës në krijimin e poezive. Poezitë e këtij vëllimi janë sistemuar në tri cikle të cilat brenda vetës përbëjnë mozaik mendimesh e ndjenjash të autorit, (pikëpamje poetike), duke mos u munguar as ato filozofike.

 

 

adem

Adem  Zaplluzha

 

Autori Zaplluzha me përkushtim të veçantë vështron realitetin jetësor të popullit, në kohë dhe rrethana të ndryshme, e që është nxitje për t’i shprehur ato në vargje duke ia bërë me dije lexuesit mospajtimin e tij me fatin e gjendjen e mjerueshme të popullit. Edhe cikli i parë i këtij vëllimi “Kur i dëgjuam të trokiturat” përbëhet nga poezi që shprehin dhembjen, gjendjen e rendë ekzistenciale të shtresës së varfër të popullit të cilët nuk mund të gjejnë derë të hapur për një të nesërme më të mirë, kur atyre sot u mungon edhe kafshata e bukës. Pra gjendje kjo që duhet të trokas në ndërgjegjen e atyre që janë në krye të vendit e që janë përgjegjësit kryesorë për situatën e këtillë. Ky cikël nis me poezinë “Bijtë më të denjë të Kosovës”, e cila ka 20 strofë (një lloj poeme), vargjet e së cilës tingëllojnë dhembshëm në mendje e zemër të çdo lexuesi. Kështu godasin edhe vargjet:

 

“S’ka mbetur më njeri të na trokas nëpër dyer të mbyllura

po largohen edhe lejlekët e fundit

dënesin si kalama

drynat prej dylli kush po i mbyll me leckat e vuajtjes

veshtë e ofshamave prej gjëme

oiii të mjerët na…”

 

Pra është kjo tablo reale e popullit që ka mbet nën mëshirën e atyre të pamëshirë që s’qajnë kokën për shtëpitë e boshatisura, për dënesjen e skamjen e popullit të tij. Se mjerimi e ka gojën e madhe dhe të përpinë në çdo çast jete, është dëshmia më e fuqishme kur mijëra qytetarë të Kosovës nga fshatra e qytete të saj nisen për në stacionin e dhembjes duke kërkuar hapërim me shpresën se rruga për në vendet e Evropës për ta është një dritë jeshile për jetën. Ndërsa ana tjetër e braktisjes së vendit është shqetësim parësor i poetit i cili me nota mjaft prekëse poetizon:

 

“Bijtë më të denjë të Kosovës ofshajnë nën dhe

kujt po ia lini atdheun

s’po mbetet kush në këto troje

që të mbjell zambakë mbi varre

që t’ia mbyll një ditë sytë e përlotur të kësaj toke…” (fq 11).

 

Me tej në këtë cikël autori flet për të sotmen jetime se në flakën e përditshmërisë po digjen faturat e një kohe tjetër; për syrgjynosjen e suflerit në teatrin e qytetit; për lehjen e fundit të qenit në stele, të cilën e kishte ndërprerë zëri shurdhues i plumbit; për trenin e çmendur në stacionin e të cilit nusen gjatë lindjes e kishin mbuluar me gazeta e foshnjën e bekuan me pikëllim, te poezia “ Po kush nuk derdhi lot atë natë”.

 

 

13624449_1165934560125658_1142652598_n

Përballë hijes së mollës

 

Cikli i dytë – “Përballë hijes së mollës” ngërthen në vete vargje të spikatura, ku lexuesi do të njihet me gjithë atë që na rrethon, e përjeton në  periudha të ndryshme kohore e që të rrëqethin mishtë e trupit ato përjetime.

Kështu flasin vargjet në vijim:

 

“Mbi qepenat e shekullit të kaluar

buzëqeshin afishet e të gjitha llojeve

pasqyrat e modifikuara

premtojnë punësim marramendës… për të vazhduar më tej me vargjet me të cilat mbyllet poezia si:

 

“Edhe nëpër muret e  mëhallëve

askush s’guxon me i lënduar afishet

po qe se e zënë duke fshirë pluhurin

shtatë ditë e net lajnë lesh në kurrizin e tij”, te

poezia “I mbulonte të gjitha fasadat e mureve”.

 

Ndërkaq vargjet e mëposhtme:

 

“Siç e vodhën zjarrin e shenjtë

dhe hirin prej nesh

po ashtu na vodhën edhe kryqin

si dhe ritet tona pagane

vodhën çdo gjë që patën nevojë…” e cytin autorin që ai të shpalos te lexuesi gjërat tona të çmueshme e të lashta që na i morën (vodhën) të tjerët, kur kishin nevojë, edhe pse denbabaden ishin tonat. Se trishtimi nuk i përket kësaj gjenerate dhe asaj të së nesërmes e paraqesin vargjet si më poshtë:

 

“Janë fëmijët e yjeve që fluturojnë nëpër qiej

të tillët s’ndalen në asnjë liman

ata në çdo kohë i tejkalojnë kufijtë e mundësisë, te poezia “Tjetër pasnesër”, ku sipas autorit ecja e tyre e tejkalon shpejtësinë e dritës dhe këta nuk i mbyllin sytë para së vërtetës.

Cikli i tretë “Më dukej si flutura e verbët”, ngërthen në vete 27 poezi.

 

“E pashë se si përdridhej

në flakë çatinë e shtëpisë sime

nën të cilën për herë të parë u zgjova

shtëpia ime e mbuluar me rrasa

më dukej si flutura e verbët

nuk mund të fluturonte askund…”

 

Sa e rëndësishme është shtëpia e lindjes për njeriun, kur dihet se aty ka bërë vajin e parë, belbëzimet, lojërat fëmijërore etj., flasin vargjet e sipërpërmendura, të cilat autorin e rikthejnë në të kaluarën e largët (plot jetë), por pamja e sotme e asaj shtëpie ngjanë me fluturën e verbër që nuk mund të fluturojë askund. Ky fakt është një pasqyrim i shumë shtëpive të tilla në Kosovë që rrisin edhe më dhembje e pikëllim në popull. Dhe fare në fund poezia me titull: “Të mos digjet nga heshtja jote” e këtij cikli, me të cilën mbyllet edhe vëllimi, janë lirikat më të veçanta të kësaj vepre letrare, ku autori me mjeshtëri thurë vargje për ndjenjën më të pastër në botë (më të pastër të njeriut), për dashurinë. Ndjenjë kjo e cila duhet të ruhet dhe në asnjë mënyrë të lëndohet. Si shumë krijues të tjerë që i kanë kënduar dashurisë, asaj më hyjnores në jetë, edhe A. Zaplluzha ka përkushtimin e tij për mbretëreshën e zemrës siç i drejtohet:

 

“Prekma sonte ballin e rrudhosur

aq shumë po më dhemb koka

sa që po më bien thinjat e kresë … (pra kërkon përkëdheljen e së dashurës që t’i lehtësohen dhimbjet e kokës). Më tej vazhdon poeti:

 

“Prekmi plagët të lutem

jo ato të plumbave

që u ngjajnë atyre të Gjergjit

por ato plagë që u krijuan prej heshtjes dhe fjalëve memece …” (pra vargje këto që tronditin shpirtin e dashuruar të poetit, e që na rikujtojnë se në dashuri edhe heshtja hap plagë zemre. Dhe se përgjërimi i së cilit prej nesh para dashurisë duhet të kuptohet drejt siç flasin edhe vargjet në vijimësi:

 

“Shkel me këmbët e tua të buta

mbi lëkurën time, kjo lëkurë e zeshkët

u ngjan letrave të dikurshme të dashurisë

të përgjëroj preke butësisht hartën e shpirtit tim

të mos digjet nga heshtja jote…”

 

Siç shihet nga 27 strofat e kësaj poezie (poeme) dashuria është shtylla qenësore e jetës e cila në përballje me batica e zbatica të ndryshme e të

shumta, ndjenja për te dhe mendimi i drejtë na bëjnë të fuqishëm dhe na mbushin me shpresë për një të ardhme të ndritur. Ndaj edhe lodhjen, varfërinë, padrejtësinë, dimrat e egër e shumë vështirësi tjera në jetë mund të përballohen më lehtë kur mbi të gjitha këto triumfon dashuria. Prandaj me të drejtë thotë poeti:

 

“Ky dimër ishte tepër i gjatë

po mos të ishe ti e dashura – grua,

mund të më ngrihej gjaku, pa ty

ti  ndeze zjarrin e pa ndezur në mua

më bëre t’i harroj dimrat e acartë dhe stinët me shtrëngatë

gjithmonë në sytë e tu ishte pranverë …”.

 

Urojmë që të gjitha stinët e autorit të kenë pamjen e pranverës! Ai të ketë shëndet dhe të na dhurojë ende vargje të ngrohta jete!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s