Poezi nga Dije Lohaj
KRONIKË NGA QELEKULLA IME
Më duhet sonte një dhembje më shumë,
Nga era e shekujve fatalë,
Kanune e pushkë e pranga
qoftë
Të më përqafojë me nxitim
Ndjesi e frikës mitike tmerron,
Këtu në Qelekullën time
E shkrifëron pirgjet e legjendës sonë,
Tutje kafkat shekujve copë-copë u shqyen
Megjithatë kurrë nuk u thyen.
Dhe nëse më qortoni:
Pse? Dije nuk u ndahesh kafkave,
Përgjigjen ua thonë kafkat,
Kurse mua më lini të qaj për kafkat,
Kafkat të qajnë për mua,
Me ndryshkun e lotëve të mi…
E GJETA VETEN TIME
Kujtimet lahen në ëndrrat tona
e në mallin e lotëve të tyre.
Rojë e shpirtit bëhen
tek shterohen gurrat e shikimet.
Në bebzat e shkrumbuara të syve
për herë të parë groposen ëndrrat.
Muranat e mallkojnë dhe bekimin tim
Me një vaj më të trisht se çdo herë.
Me një grusht dhe e kërrusur t’kërkoj
Këkrova dhe gjeta veten time të sfilitur.
Eh, mbi kokën time e hodha
edhe atë çik dhe mbledhur në grushti tim.
SUFERINË TE RRËNJËT E NJË PEME
Sonte po shtrydh damarët e pemës,
Të shuaj një pikëz etje për sytë e shpirtit,
Të pi lëng molle me borë e suferinë,
Me rrënjë të përlotura, kur gjethet në degë më nuk rrinë.
Nuk dua t’i laj flokët e shprishur për dreq,
Nuk dua të heq atë lëkurë të zverdhur ëndrre,
As përkëdheljet dhe afshin e mallit për djalin e ri,
Pres detin me valët e prushta, ja erdhi tani.
Sonte le të më falin dhe yjet në qiell,
Që si kokrra molle po bien në prehrin tim
Le të marrin zjarr, nëse më tutje nuk rrinë,
Në këtë vatër, nën këtë pemë me borë e suferinë.
URATË NGA MESHA IME
Ja trupi, ja shpirti
Dhe gjethi lëkunden pa pushuar,
Do të kujtosh me mote
Freskinë që të kam dhuruar.
Të ëmblit sy që të shihnin,
Sa e sa bukuri të kanë dhënë,
Matur me tiktaket e zemrës,
Që fjala dot s’i ka thënë.
Duart e mia aq larg,
Drejt teje rrinë shtrirë,
Sot gjithkah pergamenave të tua,
Kambana po bie më të gdhirë.
Sot drejt teje është nisur këmbë
Shpirti im i etur,
Duart i shkojnë prapa,
Nga dheu brof zemra e tretur.
Të të gjejnë kudo që të jesh
E të marrin në meshën time të rrallë,
Qoftë vetëm edhe një herë
Të belbëzosh muzgjeve atë përrallë.
Të shoh në pikë të ditës,
Hënën të derdhur në dritën e diellit,
Thellë nga varri fus në gji
Të gjithë yjet e qiellit.
Të takoj vetëm edhe një herë,
Jo nuk do të jetë vonë,
E me ata gishtërinj zjarri e mallit
Të shpupuritim hirin tonë.
Në vatrën legjendë piqet
Vetëm molla e dashurisë,
Me vetëtimat e shiut të verës,
Me bekimin tonë e të Perëndisë.




























Leave a Reply