Poezi nga Arqile V. Gjata
PRANË SOFRËS I PANGRËNË
Noliane
I urituri
“Pranë sofrës i pangrënë” fytyrën ia shkund era…
Çdo mëngjes pranë furrit të bukës
si fëmijë jetim gjithë shpresë
në këtë jetë kaq të shkurtër
ëndërron për fletët e ardhme të jetës,
punë dhe bukë për të uriturin…
I urituri
vjenë e ikën duke mbajtur gjysmën e vetes
gjysmën tjetër tretur në dënesën e viteve,
me fytyrë kthyer nga dielli
qesh me fatin e tij të zverdhur shpejt, pret i heshtur të nesërmen.
Vështroni qytetin…
plakur nga uria, me duar pas shpine
të uriturit buzëqeshin si era e dimrit malor,
koha për ta është e rreme e si gjethe
këputen ngadalë të uritur
e një këngë shiu vajton për ta!