GOGOLI / Tregim nga Resmi OSMANI

 

Resmi Osmani - 1

Tregim nga Resmi  OSMANI      

 

 

GOGOLI

 

Astriti hyri në paradhomë dhe i tha sekretares, Eftës, se e kishte thirrur drejtori. Efta e ngrysur, e veshur në të zeza, ishte në zi nga vdekja e të shoqit, i tha se drejtori ishte duke biseduar në telefon. Sa të mbaronte mund të hynte. Kur nga zyra e drejtorit nuk u dëgjua më zëri i tij. Efta i tha se kishte ardhur agronom Astriti, pastaj i bëri me kokë që ai mund të hynte.

Drejtori ishte përqëndruar mbi një pirg shkresash dhe nuk e ngriti kokën të shihte të sapoardhurin. Ai nuk i ktheu as përshëndetjen dhe nuk e ftoi të ulej. Me një laps të kuq vijëzonte shkresën që kishte para vetes, si të hapte në të ca plagë të përgjakura, pastaj e mënjanoi atë dhe u kujtua që në zyrë ishte edhe dikush tjetër. Pa i dhënë sytë, i bëri shenjë me dorë që të ulej te karrikia në cep të tryezës.

Astriti priste. Drejtori autoritar e kishte hijen të rëndë. Fjala,shpesh e hidhur, kishte peshën e gurit. Askush nuk guxonte ta kundërshtonte, e ngado përhapte frikë e pasiguri. Mjerë kush i dilte ndesh. Heshtja ishte shtypëse dhe me shurdhërinë e saj s’premtonte gjë të mirë. Drejtori nisi të trokiste syprinën e tryezës me fundin e lapsit. Ishin si të shtëna automatiku, shenjë nervozizmi, një shkarkim i emocioneve dhe tensionit të brendshëm. Pastaj befas, pushoi së trokituri, foli me zë të plotë e të vendosur, me fjalë të shkoqura, si goditjet e çekiçit mbi gozhdë, që tjetrit t’i nguleshin në tru e t’i dhembnin, por pa e parë në sy.

-Të kam thirrur që nesër, në mbledhjen e kshillit teknik të mos  të duket e papritur ajo që do të dëgjosh. Do propozoj që të shkarkohesh nga detyra dhe të vihesh në dispozicion të seksionit të bujqësisë së rrethit. Mosrealizimet e sektorit tënd në prodhimin e qumështit dhe perimeve për eksport, janë bërë shkak që ne të mos jemi më në pararojë dhe kuadrot e punëtorët, të mos e marrin shpërblimin e fundvitit. Në analizë të fundit, përgjegjësia është e gjitha e jotja. Kjo nuk mund të falet.Ky turp nuk gëlltitet. Je specialist i aftë, por i pazoti për të organizuar e drejtuar.

Drejtori frymoi thellë. E kishte kaluar çastin e vështirë. Picërroi ata sytë e përhinjtë të akullt, të frikshëm si sy të vdekuri  dhe që të shijonte ligësinë e tij, nisi ta shihte me vërejtje  prenë, Astritin,  për të kuptuar ndjesinë  e vendimit tronditës , që kishte kumtuar.

Astriti ishte shtatlartë, me flokë të kuqërremtë, të dallgëzuar, që lëshonin ca reflekse si bakër. Hunda me samar,vetullat dhe qerpikët e verdhë bënin që sytë e kaltër t’i dukeshin si të shplarë. Tër fytyrën e kishte të mbushur me quka ngjyrë kafe. Dhëmbët e sipërm të rrallë bënin që fjalët ti delnin si me fërshëllimë.

Po heshtëte, por veçse në cepat e buzëve endej ajo buzëqeshja e zgjuar e shpotitëse  dhe në sy një dritëz e verdhëreme, përbuzëse dhe e ligë, si drita në sytë e tigrit, kur hidhet mbi prenë. Asnjë tronditje. “Ky torollak,drejtor teveqel,që ec e gjeje pse e mbanin ende, pandeh se mund të ma shkatërrojë jetën se ashtu i është tekur,por e gënjen mendja tuhafin,mendoi. Ka për ta parë seç do t’i punoj!”.

-E ke menduar mirë? – pyeti ai me  të folurën si vërshëllimë gjarpri.

-Po, shumë mirë. Është  gjë e mbyllur, ka marrë fund.

-Po Gogolin e ke menduar?

Drejtori nuk kuptoi se çfarë donte të thoshte tjetri, por e çuditi qetësia me të cilën u tha fjala dhe ajo shprehja djallëzore e syve dhe e gjithë pamjes së tij.

-Mos u bëj karagjoz! Ç’është ky Gogol?

-Gogoli, që të ha, që të shkul zemrën! Nuk ta kanë thënë kur ishe i vogël kur donin të  trembnin?

Drejtori bëri të habiturin dhe deshi ta zbonte nga zyra, por Astriti i bëri një pyetje të beftë:

-Shoku Kristaq! Sa muaj keni shërbyer në milicinë Italiane, kur ishit i ri e i papunë në Leskovik? Po në Partinë Fashiste pse u anëtarësuat?

Ishte radha e Astritit të shihte sesi do të ndjehej dejtori.

Në zyrë kishte rënë rrufeja. I ndodhur para kësaj të papriture, atij një fytyrë i vinte, një i shkonte. U zbardh si gëlqere,u skuq si spec dhe u nxi e u err si nata.Nuk e mbajti dot veten. Brofi nga karrigeja , i ra me grusht tryezës dhe gërthiti:

-More i pafytyrë, si guxon? Ç’janë këto që thua? Shpifje, të gjitha shpifje! Nuk është e vërtetë! Gënjeshtar i pacipë!

Astriti po shijonte efektin trallisës të goditjes, që ishte si një thikë në brinjë dhe vazhdoi qetësisht të shqiptonte ato fishkëllima si të gjarprit:

-Mos u mundo të shfajësohesh! Kam dëshmitarë. Ç’është më e keqja  ja ke fshehur partisë.  Nuk i ke shkruar në dokumentat personale. Me të dalë këtej, do shkruaj një nga ato anonimet , siç e di vetë dhe do t’ia dërgoj Komitetit të Partisë.Ta dinë kush je, ta dinë se ç’drejtor kanë!

Drejtori u bë meit. S’i mbeti pikë gjaku në fytyrë. Zemra i rrihte si e çmendur dhe gati po i binte zali.

-Mua gjete të më bësh kokë turku, për paaftësinë dhe përgjegjësitë e tua? Dhe kush pa, ti që je zvarritur gjithë jetën si kërmilli dhe s’ke lënë bythë të dhier pa lëpirë, për një karrige dhe për ca dekorata teneqeje për t’u kapardisur. Gabove. Astriti është kockë e fortë, që të ngec në fyt. More fund! Kaq e pate! Do ta mbyllësh pleqërinë me turp! Pastaj është edhe ajo puna e sat shoqe, bijë kulaku e fajdexhiu, që i ka pirë gjakun fukarasë! Nuk do harroj edhe ato kurvëritë e tua me ca bushtra, që i ke bërë brigadiere.

Drejtorit  trupi iu bë akull. Ndjeu që iu mpi truri dhe e iu err shikimi , iu rënduan gjymtyrët dhe u plandos në kolltuk. Ky Astriti ishte vetë poshtërsia. E kuptoi që kishte ngacmuar folenë e grerëzave.

-Ke kohë të mendohesh. Mendohu mirë! Ki mëndjen Kiço ziu! Gogoli, ruhu nga Gogoli!- tha dhe u ngrit të dilte nga zyra.

-Prit,- i tha drejtori,- Nuk e dija që ishe kaq bir bushtre!

– Një qen e bir qeni si puna jote, vetëm  një bir bushtre mund t’ia dalë! Poshtërsisë ju përgjigja me poshtërsi!

Para se të dilte ,me dorën te doreza e derës, e kujtoi edhe një herë:

-Gogoli, Kiço, Gogoli! Thirri mendjes dhe  ruhu!

Ai doli, por helmin e la prapa. Drejtorit po i zihej fryma. Hapi dritaren e zyrës. Iu bë se nga të gjitha anët, ca fytyra si fantazma, e rrëfenin me gisht dhe të ngërdheshur e me përbuzje e quanin ”Milic! Fashist”. Mbylli veshët me duar,por thirrjet dëgjoheshin njësoj. Vinin ngado, dhe ishin si era që drithëron ajrin. Nuk duronte dot më. Dha porosi të vinte makina. I tha Eftit ta shtynte mbledhjen e nesërme të Këshillit Teknik dhe ndryshe nga sa e kishte zakon, shkoi në shtëpi parakohe.

Kur e pa ashtu të ngrysur,të dërrmuar,të zgërlaqur, që mezi i hidhte këmbët, e shoqja, Sofia,  e mbyti me pyetje se çfarë kishte, çfarë i kishte ndodhur.

I tha se kishte shpeshtim të rrahjeve të zemrës dhe luhatje tensioni. Por do t’i kalonin. Nuk shtiu gjë në gojë. E shoqja i solli ilaçet dhe bizhamat. Ai u shtri të qetësohej.

Po kjo ç’ishte, nga na doli,- pyeti ai veten. Atij bir kurve si i kishte shkuaur mendja ta sulmonte kësisoj? Nuk ishin të vërteta! Nuk kishte qenë në milici, as në Partinë Fashiste! Nisi ta mendojë punën hollë. Pas letrës anonime do të ngjalleshin dyshimet e do  ta thërrisnin për të dëshmuar. Mandej do të dërgoheshin në vendlindje hetues, ku do të thirreshin dëshmitarë. Kishte dhe nga ata që nuk e donin, ambiciozët që një zot e di se çmund të thoshin nga smira. Emri i tij do të njollosej për muaj të tërë. Ju kujtua  fabula e lepurit që mori arratinë, kur tridheshin kuajt. Kur e pyetën pse vraponte se ai nuk ishte kalë, ai u përgjigj”Sa të merret vesh që unë nuk jam kalë, vajtën hallatet e mia!”. Si t’ia bënte me atë të poshtër?

E kishte zënë ngusht. Aq ngusht, sa s’ia kishte pritur mendja!

Në ndajnatë, kur kishte rënë muzgu, atë ishte duke e kapluar gjumi. Ndjeu një gjëmim të shurdhër e të largët, pastaj kanata e dritares u hap. Perden e fluturoi era dhe brenda në dhomë u shfaq një qenie e çuditshme. E madhe katana, kokë njeriu, mjekër cjapi, brirë demi, sy të kuq të përgjakur, që nxirnin flakë, krahë të gjatë leshtorë, duar me kthetra të mprehta, bisht luani dhe këmbë të holla njëthundrake. U afrua te shtrati. Thundrat kërcisnin në parket, sytë përvëlonin.Kur hapi gojën të fliste, u dukën çatallët e mprehtë shqyerës.

I tmerruar dhe i lemerisur, Kristaqi u mblodh grusht. Deshi të bërtiste por zëri nuk i dilte. Zemra po i plaste. Deshi ta mbulonte kryet me jorgan, por jorgani u flak tej si leckë dhe Kristaqi u drodh nga të ftohtit e akullt dhe nga llahtaria që po i shihnin sytë.

-Aman, k-k-ush je ti? Çfarë kërkon nga mua?

-Pse bën sikur s’më njeh?  Jam Gogoli!

Zëri ishte bubullues dhe dukej sikur dilte nga thellësitë e një shpelle.

-Kam ardhur të  shqyej gjoksin dhe të shkul zemrën, se ajo zemër është gurësuar. Nuk ka gjak, por farmak që helmon jetën e të tjerëve!

Gogoli zgjati panxhat,shqeu bizhamat dhe Kristaqi ndjeu në mish therjen e kthetrave të gjata, që iu ngulën në gjoks. Bërtiti aq fort, sa u drodhën muret. Sofia që sosi aty në çast e gjeti dyllë të verdhë. Sytë e kallkanosur i ishin ngulur zbrazëtirës. Ishte  larë në djersë. Dihaste e s’mbushej dot me frymë. I dha një gotë ujë të ftohtë. E piu si i zhuritur dhe i kërkoi edhe një tjetër. I vuri dorën në ballë: nuk kishte të nxehtë,biles ishte akull I ftohtë.

-Kiço, i dashur.  Ti nuk je mirë. Të thërrasim doktorin? Çfarë pate?

-Erdhi ai!

-Kush erdhi? Këtu s’ka njeri!

Sofia mbylli dritaren dhe rregulloi perden.

-Gjithë kjo erë. Do prishet moti, prandaj më dhembin eshtrat.

Kiçua e mblodhi veten. Krenaria e tij prej burri nuk e la t’i hapej të shoqes.

-Lere fare, s’është gjë. Pashë një ëndërr të frikshme. Mos e fik dritën! Lere hapur edhe abazhurin e komodinës  edhe ti eja gdhihu këtu me mua.

Ishte natë e frikshme,e lodhshme,me mundime, me makthe, hije dhe përfytyrime, por Ai nuk u shfaq më. Më në fund nata e zezë pruri ditën e bardhë. Rrezet e arta të diellit hynë nga dritarja, që binte në lindje. Kiçua ndihej i dërrmuar.

Lajmi i sëmundjes së drejtorit u mor vesh kur u shty mbledhja e Këshillit Teknik. I pari për vizitë shkoi Astriti. Ai la mbi komodinë një qeskë më fruta dhe u ul kundruall në karrige. Kristaqi vuri re se ai ngjante shumë me gogolin e mbrëmshëm.

-Të shkuara shoku drejtor! Si kështu papritur? Ta dish që jam lutur për shëndetin tënd.

-E di që më do të vdekur.

-Larg qoftë! Ne mezi të kemi. Çdo të bënim ne pa ty që je drejtuesi dhe krenaria e ndërmarrjes?

-Prandaj e dërgove mbrëm atë?

-Cilin?

-Atë de,që më the ti ruhesha. Erdhi dhe deshi të më shqyente zemrën.

Astriti u ngazëllye. Kiçua kishte patur makthe.

-Besomë, nuk e kam dërguar. Ka ardhur pa më pyetur.

Sofika i pruri mikut kafe dhe raki. Astriti nuk i preku. Druhej se mos ajo shtriga,e thatë si shkarpë, i kishte hedhur ndonjë çikë bar miu apo fostoksinë.E çfarë nuk pritej nga ajo fole gjarpërinjsh. Por më kot trembej. Ajo nuk dinte gjë.

Astriti futi dorën në xhepin e brendshëm dhe nxori një zarf. Kiçua e pa adresën. Ishte për Komitetin e Partisë. Astriti ja tundi para fytyrës:

-Gogoli është këtu. I mbyllur brenda, i lidhur me shkronja e fjalë. E ke në dorë vetë.  Ta zgjidh që të marrë rrugët dhe mjerë ti,  apo ta djeg në zjarr dhe të shpëtosh!

-Aman, folë e mos ma sfilit shpirtin. Çfarë kërkon nga mua o njeri?

Zëri vinte i lodhur, ankues e i zvargur.

Astriti po shijonte frytin e ligësisë së tij. Ku shkoi gjithë ajo qibër, gjithë  ajo sjellje fodulle, krenaria dhe ajo burrëria e shtirë? Kishte para vetes një të mbaruar, një leckë. Ky ishte i vërteti.

-Tashti po që the fjalë me mënd. Hiq dorë nga shkarkimi im! Nuk duhet as ta çosh nëpër mend. Kurrën e kurrës!

-Vetëm kaq?

-Ka edhe më. Në vjeshtë, ti e di që martohem. Në vend të ”dhutatës”, që deshe të më bësh, dua një apartament në qendër të qytetit. Lejen e zakonshme, do ta marr në gusht dhe dua të më sigurosh dy fletë kampi për në Sarandë. E fundit fare: dua të iki nga sektori. Më ka ardhur në majë të hundës. Do më marrësh zëvendësdrejtor, dhe pastaj vere kasketën mbi sy. Pas kësaj vetëm paqe midis nesh. Fare e thjeshtë. Asgjë s’ke për të nxjerë nga xhepi.

Kiçua s’kishte takat të kundërshtonte. Gogoli e përgjonte. Krenaria nuk hynte më në punë.

-Po me Çomen, zëvëndësdrejtorin, çdo të bëhet?

-Bëje kryetar të bashkimeve profesionale. Llapaqen më të mirë s’ke ku gjen për atë punë.

-Më ler të mendohem.

-S’ka ç’të mendohesh. Dhe boll ndejte në jatak! Çohu të të shohin njerëzia! Ilaçin ta prura. Je i shëruar. Nesër të pres ta pimë kafen në turizëm. Tregohu i mençur. Ndrysh –shtoi ai, pa e thën fjalën e fundit.

Të nesërmen, në turizëm, ulur në një vend të dukshëm, ata që pinin kafen e mëngjesit, panë të ulur drejtor Kristaqin dhe agronom Astritin, që po pinin kafe dhe fërnet dhe bisedonin shtruar e me përzemërsi. Kur dolën, Astriti i hodhi krahun dhe bënë një copë rrugë bashkë, që njerëzia ti shihnin sesa për zemër e kishin njeri-tjetrin.

Para se të ndaheshin, Kiçua i tha:

-Astrit, asgjë nuk ka ndodhur midis nesh! Askush nuk duhet ta dijë veç meje e teje.

-Pa merak,shoku drejtor.

Astriti i hipi biçikletës që të shkonte në sektor, kurse Kristaqi, i çliruar nga ajo peshë e rëndë që i ra mbi shpinë, i tha shoferit ta çonte në zyrë.

 

 

Maj 2013.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s