KUR BËHET FJALË PËR TË JETUAR NË NJË SPIRALE TË RE TË JETËS… (Rreth novelës ‘‘Lisiana’’ me autor shkrimtarin Myrteza Mara) / Nga Robert Martiko

 

13730957_545295572345366_3269063880254707080_o

 

KUR BËHET FJALË PËR TË JETUAR NË NJË SPIRALE TË RE TË JETËS…

(Rreth novelës ‘‘Lisiana’’ me autor shkrimtarin Myrteza Mara)

 

Nga Robert Martiko

 

 

Më bëri veçanërisht përshtypje pozitive novela ‘‘Lisiana’’ me autor shkrimtarin Myrteza Mara ku, pasi mbylla me kënaqësi librin, një pyetje e shkruar me bold, në kopertinën e pasme, drejtuar gjithë lexuesve që do të kenë fatin të admirojnë historinë e një dashurie platonike, dallova të më intrigonte mendimin tim. Duke iu referuar emrave të dy heronjve kryesorë, apo të dashuruarve të novelës, pyetja e bërë në fund të librit, ishte kjo: ‘‘Ju si do të vepronit në vend të Lisianës dhe Filipit?’’ Ka shumë të drejtë Shtëpia Botuese që drejton një pyetje të tillë mendova, duke më rënë gjithashtu në mend një shprehje e poetit, shkrimtarit dhe filozofit të shquar francez, Pol Valeri: ‘‘Pyetja është njerëzore; ndërsa përgjigja shumë njerëzore.’’

 

 

Myrteza mara - 1

Myrteza Mara

 

Në këtë mënyrë, meqenëse një vepër arti konsiderohet e denjë vetëm mbasi arrin të emocionojë e preokupojë mendërisht lexuesin, novela e shkruar me mençuri nga autori i saj, nuk mund të mos më vinte edhe mua në mendim. Jo çdo libër na shtrëngon për të dhënë përgjigje. Ndërsa ‘‘Lisiana’’, përkthyer në gjuhën greke, prej një përkthyese të talentuar si Ana Balabani, më bëri të dalloj qysh në fillim mënyrën e veçantë të të shkruarit të kësaj novele të mrekullueshme. Shkurtimisht: trajtohet aty dashuria e një vajzë të re dhe e Filipit, një burri në moshën pesëdhjetedy vjeç, të cilit i ka vdekur gruaja. Bëhet fjalë në këtë rast për një hero kryesor mjaft të ekuilibruar shpirtërisht, i cili e ka dashur dhe ende vijon të dojë dhe respektojë kujtimin e gruas së tij të vdekur, ndërkohë që shkon të mbizotërohet gjithnjë e më shumë prej dashurisë së ngjallur në shpirt nga vajza e re, e porsashfaqur në jetën e tij, me emrin Lisiana. Kuptohet dilema që personazhi kryesor shtrëngohet të përballojë për shkak të dashurisë së tij të re, përderisa kemi të bëjmë me një tip besnik ndaj idealit të parë në dashuri. Dhe jo vetëm aq…

Novela ‘‘Lisiana’’ bën fjalë për Shqipërinë, një vend ende konservator në krahasim me vendet evropiane. Megjithatë, me gjithë stadin aktual modern që karakterizon vendet e Civilizimit Perëndimor, individë të caktuar, për hir të natyrës së lindur apo botëkuptimit të tyre, nuk mungojnë të gjejnë pengesa të natyrës fetare apo birnore, duke mos mundur tu përgjigjen thirrjeve eventuale, me karakter erotik. Në Shqipëri kryefamiljari konsiderohet ende një lloj arketipi, i shoqëruar jo vetëm me të drejta të caktuara mbi familjen por edhe me detyrën, apo misionin patriarkal, për të dhënë shembullin e tij të papërlyer ndaj bijve të tij, deri në vdekje. Krejt ndryshe, në Evropë, djemtë dhe vajzat e reja, e kanë përmbysur prej kohësh pushtetin e etërve të tyre.

Në novelë Filipi trajtohet i përshkuar prej një natyre të butë, të moderuar, serioze e romantike. Ai tregohet mjaft i sinqertë dhe i devotshëm ndaj kujtimit të gruas së tij të parë e cila, edhe pse e larguar nga jeta, vijon të rrethohet nga bashkëshorti i saj me dashuri e respekt. Në një farë mënyre, përveç natyrës së tij të veçantë, mund të bëhet fjalë se ky karakter i virtytshëm, i heroit kryesor të novelës, sipas ligjesh më të përgjithësuara, njerëzore e ambientale, nuk mund të mos gjendet i influencuar prej kodesh të pashkruara, të dukshme e të padukshme, të vendit ku jeton. Dhe kur bëjmë fjalë për gjëra të padukshme, sado e çuditshme të tingëllojë në veshët tona, një individ romantik apo konservator, me një jetë të caktuar shpirtërore, edhe pse mund të mos i kuptojë kurrë shkaqet e padukshme të gjendjes së tij, nuk mund të shpëtojë dot nga influenca e fesë, e rrymave filozofike të natyrës idealiste, e misticizmit, spiritizmit, meditacionit, e të mbinatyrshmes, ezoterizmit, etj. Dhe si për të intriguar gjithë këtë botë gjërash okulte, ja ku shfaqet autori Myrteza Mara i cili, në mënyrë artistike lartëson mbi gjithë këtë barrierë ajsbergësh të padukshëm e misteriozë, diellin rrezeartë të një dashurie të bukur rinore, të përfaqësuar në novelë nga vajza e re me emrin Lisiana. I takon Filipit për të vendosur se si të veprojë, për të zgjidhur dilemën në shpirtin e tij. Të vendosë nëse duhet të përballojë i pa ngushëlluar dimrin e vetmisë së tij shpirtërore apo të hidhet në krahët e Lisianës.

Paulo Koelho një shkrimtar i famshëm brazilian, te libri me titullin ‘‘Alkimisti’’, bën fjalë për ‘‘Legjendën Personale’’. Sipas tij, njerëzit janë mbajtësit e një fati të veçantë dhe të favorshëm. Përmbushja e këtij fati varet nga aftësia për të zbuluar dëshirat e tij të thella. Paulo Koelho shkruan: “Nëse ju dëgjoni zemrën tuaj, ju e dini saktësisht se çfarë duhet të bëni në tokë. Prej kohës kur ishim fëmijë ne të gjithë e dinim. Por ngaqë kemi frikë se mos zhgënjehemi, frikë se mos dështojmë për të arritur ëndrrën tonë, ne nuk dëgjojmë më zemrën tonë. Kjo do të thotë se është normale për tu larguar nga njëri çast në tjetrin prej ‘‘Legjendës tonë Personale’’. Kjo nuk është e vështirë sepse, në shumë përsëritje, jeta na jep mundësinë për tu futur në këtë trajektore ideale.’’

Novela mbyllet me largimin e papritur të Lisianës nga Filipi për shkak se dashnori i saj i parë, bashkëmoshatar, vendos të bashkëjetojë me të. Në këtë pikë, sado e ndritshme dhe rrezatuese paraqitet në novelë fjala dhe dashuria e Lisianës, falë penës së mrekullueshme të Myrteza Marës, unë besoj fare pak në këto lloj dashurish të përcipta. Bashkoj në këtë pikë edhe lakuriqësinë shpirtërore të burrit apo gruas, që vetë eksperienca jetësore ofroi me tepricë gjatë kushteve të diktaturës gjysmë shekullore në Shqipëri, kur gjykatat e kohës angazhoheshin në divorce të natyrës politike. Dashuri e vërtetë do të thotë sakrificë deri në vdekje.

Duke iu kthyer këtij libri të mrekullueshëm me titullin ‘‘Lisiana’’, në lidhje se çfarë drejtimi duhet të marrë individi në raste të tilla, duhet nënvizuar se kjo është një temë krejtësisht personale. Sipas një kodi superior edukate, askush nuk ka të drejtë në shoqëri të japë mendim se çfarë është mirë apo keq për të tjerët. Në një rast analog i takon secilit për të vendosur se në çfarë mënyre do të dëshironte, konkretisht, të udhëtonte në spiralen e fundit të jetës së tij.

Duke përfunduar, i uroj suksese të mëtejshme këtij niveli të admirueshëm mendor e artistik, shfaqur në novelën ‘‘Lisiana’’, nga ana e shkrimtarit të talentuar Myrteza Mara.

Ndërsa lexuesve të ardhshëm të librit një lexim të këndshëm…

 

 

Robert Martiko

Robert Martiko

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s