Kulli dhe shumëdimensioni i poezisë (Mbi vëllimin poetik “Këpucët e Mjegullës” të Fatime Kullit) / Nga: Dr. Fatmir Terziu

Kulli dhe shumëdimensioni i poezisë

(Mbi vëllimin poetik “Këpucët e Mjegullës” të Fatime Kullit)

 

 

fatmir

Nga: Dr. Fatmir Terziu

 

Poezia ka fuqi. Ajo mund të na qetësojë ne, të na lërë në meditimin tonë, madje të na bëjë shpirtin të pasur. Ajo mund të luajë rolin e një kënge, që të na dhurojë të dyja kundërshtitë e jetës: gëzimin dhe hidhërimin. E njëjtë, gati në të gjitha kulturat, ashtu si dje edhe sot, poezia është gjuha e mendjes dhe e zemrave. Po, poezia është vërtetë një dhuratë nga Zoti. Që nga koha që bota e poetit, u pikëtakua në rrugëtimin e poezisë, historia dhe memoria kanë shënuar domethënien. Një domethënie që vjen në mendjet tona në fakt që nga koha kur ne jemi lindur, kur ninullat poetike na kanë zhbiruar ndjesinë tonë foshnjore, nën tinguj muzikal që vijnë nga buzë dashamirëse, që lexojnë ëndrrën e pikturuar kahera.

 

 

fatime 1

Fatime Kulli

 

Ëndrrën që poezia e rigjen tek rrugëtimi i saj. Në këtë rrugëtim ku pikturohet dhe trupëzohet një pjesë e kulturës dhe historisë së Atdheut. Në këtë indigjencë letrare është edhe poezia e Fatime Kullit. Prof. Dr. Jup KASTRATI (Mësues i Popullit, Mjeshtër i Madh i punës, Intelektual Ndërkombëtar) e cilëson poezinë e Kullit “një kryevepër në llojin e vet, në lirikën shqiptare”. Gazeta “Ballkan” thotë, “Është cilësuar si poete liriko-erotike, por është marrë edhe me letërsi serioze dhe studime hulumtuese. Fatime Kulli është një poeteshë, e cila poezinë dhe krijimtarinë i konsideron gjithçka. Më tepër se jetë”. Kjo e fundit duket edhe në poezitë e fundit të saj. Midis arsyeve të tjera, që përcaktojnë këtë konsideratë është edhe shkaku që kjo poezi identifikohet si një derivat inspirues i një kontigjence njerëzore, që për hir të ekzistencës së virtualitetit qëmton mbi fatin, të prek të nevojshmen, e të pasqyrojë të arsyeshmen si një mënyrë dhe pjesë realiteti, të cilin e lexojmë në kundërshtinë e argumentuar të saj:

“Më lerë të vdes, o lule gur

Ku s’më shqitet as aroma…

Unë lëngoj, vdes e ringjallem

Nën hijen e këmbëve Burrë…”

Gjetja e këtij derivati, ku kundërshtia si aspekt i metafizikës kërkon hapësirë dhe vend, gjen figuracionin e pasur të kursejë fjalët e të japë një poezi me fuqi sqarimi, nën një varg ku metafora dhe fjala ngjizen. Një ngjizje që fiton më shumë kuptim teksa vetë poezia në këtë pikë kombinon kuptimin, emocionin, gjuhën dhe imazhin. Ajo mban në këtë pikë madje ritmin e fuqishëm të tingullit me një ndërthurje të ideve anësore.

 

 

13775533_10208437848897395_1829185518913096715_n

Këpucët e mjegullës

 

Një poezi e tillë apelon përnjëherësh në shqisat tona për të shpërndarë ndjenjën dhe mendësinë e saj. Ajo shërben si një e tërë, edhe kur kontradiktorja e jetës “vdes e ringjallem”, duket si një e ndarë dhe e shprehur e veçuar. Së pari ne e ndjejmë atë si të thjeshtë dhe më pas kompleksiteti i saj na bën të thellohemi se si ajo punësohet si e tërë në shpërndarjen e ndjenjave dhe mendësive që mbart për tek lexuesi. Duke filluar me këtë poezi, që ngjan si një ankoruese në qindra poezitë e tjera të vëllimit poetik të Kullit, ne në fakt vetëm sa kemi filluar të bëjmë analizën e hipotezave që lidhen e përcillen në këtë kolazh poetik të ndjeshëm. Një kolazh që koncentrohet tek referencat jetike, shënimet ditësore, ndihma historike, filozofia e fjalës, aspekti ambient-rrethues, biografia njerëzore në tërë kompleksin e kundërshtisë, hapësira në tërë dimensionin e saj dhe mjaft informacione që sillen si pjesë e informacioneve anësore.

 

Nga mesazhi tek referencat jetike

 

Një poezi lirike është një pasqyrë emocionale e një ndodhie ose e nje rrethane, edhe pse ajo në fakt shtjellon dhe përshkruan momente pasioni. Në poezi të tilla si “Si frymë e diellit në perëndim”; “Kërkoj lotin e ëmbël”; “Kur një grua”; “Ndjej dhimbjen e luleve”; “… imazhi yt”; “Fjala e fundit”; “Dashuruar si në përralla”, kjo duket qartë. Duket qartë se mesazhi hyn në venat e jetës dhe nëpërmjet limfave jetike që simpatizohen nga fjala e zgjedhur përcjell referencat e jetës si një kompleks dhe jo siç ndodh rëndom në vargëzime të fjalës si një kronologji jete. Jetikja ose referenca jetike e përditëse kërkon një varg të qetë të pangarkuar dhe domethënës. Në këtë ndërmjetësim fuqia e poetes i ngjizet poezisë të ndërtojë në sinkron mesazhin. Një mesazh që në fakt tekanjozet në mesazh dhe lartësohet në figuracion. Kjo është e prekshme tek poezia “Dashuruar si në përralla”, ku stimuli nis me një metaforë, “flas me ëndrrën e errësirës” tërhiqet në krahasimin “si shoqeza më e mirë e dorës së diellit” dhe rikthehet shumë shpejt në botën e mesazhit të referencës jetike që shprehet me dëshirën e adhurimit dhe me viziven, të pamshmen, natyralen: “që bredhin muzgjeve të kristalta”. E parë në këtë analizë, poezia e cituar qëmton ndjesinë dhe përhumbet në referencën e magazinuar të jetës që autorja e prudentizon të vetës së parë. Herë të tjera, Kulli është më shumë reflektive, përcjell mesazhin të ushqyer tek referencat jetike të saj, duke u përpjekur të përcjellë sensin dhe eksperiencën dhe për ta aplikuar atë si të prekshëm për një fushë akoma më të madhe se eksperienca personale e përditësisë. Ndoshta kjo ngaqë në më të shumtën e rasteve poezia e Kullit vjen me pulsin e thellë të përditësisë, ku ndihet fuqishëm çdo kënd-rrahës i jetës së saj. Fakt është se një poezi e tillë si “Tingull zjarr-pritës”, që vjen mes “tingullit” jetik flet natyrshëm:

Lëshoje tingullin

E ëndrrës shpëtimtare

Në kryqëzim sirenash

Të çlirosh ankthin

E zërit zjarr-pritës”

Apo poezia “…adoleshente” që në tërë fuqinë e fjalës së saj është një promemorie jete, një referencë e fuqishme e jetikës:

“Dëgjoj zërit tim/Përmbi rërën e ëndrrës/Buzë frymëzimit ndjej njelmësinë/

E ringjalljes sime adoleshente

Duke folur për itinerarin e poezisë që endet nga mesazhi tek referencat jetike, vetë referencat analitike të poezisë pikëtakohen në rrjedhën e konkretes, që fiksohet në situata imagjinare të mbira nga përditësia e stacionuar në mendjen poetike. Riprodhimi i kësaj memorieje produktive, natyrshëm kërkon një shtrat njohurish dhe detajesh që lidhen e ndërlidhen jo vetëm me rrugën e poezisë, por edhe me depërtimin e saj tek normativat e saj. Normative poetike që në gjuhën e origjinës së saj është një ‘kondensim formash dhe marrëveshjesh për të tejzgjatur kuptimin e fjalëve që përdoren apo të prodhojë eksperienca emocionale ose seksuale”

 

Filozofia e fjalës, asonancat dhe shumëdimensioni

 

Përdorimi i asonancave, aliteracioneve dhe ritmit në poezi është një metodë që poetët e mëdhenj të të gjitha kohërave i kanë vënë në shërbim të poezisë për të t’i dhënë asaj një fytyrë efektive që prodhon muzikalitet. Përdorimi i natyrshëm i këtyre formave sjell edhe normat e tjera që ndërmjetësohen në varg me simbolizmin, ironinë dhe elementë të tjerë të stilistikës për t’i dhënë poezisë dimensione të shumta kuptimore dhe interpretimi. Kjo në fakt është objekt i poezisë së Kullit. Është i tillë pasi poezia e saj e figuron tërësisht një anë dimensionale të tillë. Poezi si; “Testamenti i pritjes”;Dëshirës që lëngon…”; “Nën gjuhë të pasionit…”; “…laj ëndrrën hyjnore”; “Shpirtbardhë…”; “Muzgu dëshmitar…”; “… pres sytë e shuar”; “Veç unë…”; “Në varr të ëndrrës…”; “Do rrëzuar shkëmbi…”; “Këpucët e diellit”; “Ndër gishtërinjtë e gjilpërës”; Kambana e qelqtë”; “Nën ujërat e zjarrit” apo “…puthjet shpëtojnë njeriun…”, sillen si një model që pasojnë asonanca, aliteracione, ritëm dhe prodhojnë muzikalitet, po aq sa edhe sjellin një rrethnajë këndesh interpretimi shumëdimensional. Përshembull, në gjuhën e Stuart Hall, poezia “…puthjet shpëtojnë njeriun” parashihet si një kod më vete, ku poezia në fakt është një kod më vete, pasi vjen si një ‘glancë’ (pikëtakim, komunikim i shpejtë) dhe shumëzohet në mendjen tonë si burimndjellëse dhe inspirues. Kuptimi i “Testamenti i pritjes” mund të lexohet disa herë dhe të mbartet në stacione të ndryshme e kështu me disa dhjetëra poezi të tjera të kësaj poeteje që flet më shumë në çdo detaj e në çdo varg të saj. Në këtë këndvështrim analitik që shprehet poezia e Kullit merr përsipër të diamensionojë rrethndodhinë jetike jashtë analizës për moralin, jashtë përsosmërisë morale. Për poezinë e saj është më e rëndësishme ndjenja se sa këndi i kësaj përsosmërie. Ilinden Spasse në librin monografik “Im Atë, Sterjo” shprehet “thelbi i çështjes nuk qëndron në përasosmërinë morale, por në procesin e arritjes së saj”. Këtu merr kuptim poezia e Kullit, këtu poezia është poezi. Në fakt këtu është edhe pikasja e kritikës që vargun e Kullit tek “Trëndafili i djersitur” e quan afrim në “një kohë të joshjeve të jashtëzakonshme” (Pepa, 2006:101). Për Pepën, në poezinë e Kullit “i bëhet thirrje shpirtit të këndojë edhe kur ai e ndjen se duhet kënduar…” (2006:101). Ajo që duhet thënë më qartë është në fakt përtej kësaj thënieje. Poezia e Kullit është shumëdimensionale në prezencën e saj, jo vetëm në aspektin e muzikalitetit që prodhon, por në kompleksin e saj që e bën të gjej vend në pikat e lartësisë poetike. Është ajo që Eliot e quan domosdoshmëria e poezisë, përcaktohet tek ‘multidimensionaliteti’ i shprehjes. Është në fakt ajo që Valter Benjamin e thotë qartë se poezia është një proces kërkimi. Ky proces kërkimi që në gjuhën e poetit të mirënjohur Robert Frost do të thotë “shkrimi i poezisë është zbulimi” i ndjeshmërisë personale për interesa më të gjëra. Kjo është në fakt poezia që lexohet tek Kulli, kjo është poezia e zbuluar në rrugëtimin e saj.

 

 

(Korrik 2009)

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s