Cikël poetik nga Fatbardha Myslimaj Xhani
Nëse nuk rritem…
NE NUK E DIMË…
Ne nuk e dimë
Ç’ vjen pas një puthje
Pas një shtrëngimi
Ndoshta vjen vdekja e ëmbël…,
A ndoshta harrimi!
Ne nuk e dimë
Ç’ vjen pas fjalëve flakë
Të thëna mekur magji premtimi,
Ndoshta vdekje e ëmbël…,
A ndoshta harrimi!
Ne vërtet nuk e dimë
Ç’ do t’ ndodhë më pas
Me këtë prekje perëndie…,
Dridhje dëshirimi…
Ndoshta vdekja e ëmbël…,
A ndoshta harrimi…
DASHURIA ËSHTË…
Dashuria është mënyra si më lëndon
Si më thua më pas më fal…
Mënyra se si ti më gëzon
Me një prekje të lehtë, me një fjalë.
Dashuria është mënyra, si më afron
Mënyra, se si ti më largon…
Edhe kur më mos të afrohesh
E di sërish, që je kaq pranë.
Dashuria është mënyra si më flet
Mënyra, si papritur ti hesht…
Edhe kur të mos flasësh
Zërin prapë unë e dëgjoj!
Dashuria është mënyra si ikën
Mënyra si, sërish ti vjen…
Dhe sikur më të mos kthehesh
Prapë me ty do të jem!
Dashuria është liria ime
Dhe qielli pafund, që s’ më mungon!
MË TRISHTON O MBRËMJE
Më trishton o mbrëmje
Më trishton kur vjen
Më trishton kur bie
Si ëndërr
Dashurie…
E s’ di si të të them
E s’ di si të të kem
E di, s’ do më besosh
Ëmbël nëpër fletë
Do më thuash lehtë
Ti s’ di të dashurosh…
A thua se s’ kam dritë
S’ kam dritë me të vërtetë
Që mbrëmjes së të shtunës
Nuk dita ti jap jetë…
Shoh hapa përmbi gjethe
Ndjej tinguj nëpër erë
Një dorë tundet së largu
Pranverë…
Pranverë…
Dhe endem ëndrrandezur
Mbi qiej
Kthjelltësi
Me kupën mbushur yje
Me zemren
Arrati…
Më pret
E mbrëmja ndritet
S’ më flet
E dhembja
Rritet…
Më trishton o mbrëmje
Më trishton kur vjen
Më trishton kur bie
Si ëndërr
Dashurie…
NËSE NUK RRITEM…
Nuk rritem dot nëse harroj
Gjithë çfarë një çast më nuk e kthen
Një pështjellim me njëmijë pse
Një bosh që ikën e më nuk vjen…
Nuk rritem dot nëse s’ kuptoj
Si ndizen zjarre në borë e shi
Në qiej mbushur plot me rrufe
Në njemijë rrugë për tek ti…
Nëse nuk rritem edhe harroj
Nese s’ kuptoj e nisem kot
Ti gjoksin hape bëje fole
Ta bëj liqen mbushur me lot.