MINA / Tregim nga Resmi Osmani

 

Resmi Osmani - 1

Tregim nga Resmi Osmani        

 

 

MINA

 

Ata ishin tre: Komandant Bredhi, Studenti dhe Sokoli. Këta Ishin emrat e luftës. Bredhi,me moshë rreth të tridhjetave, do të shkonte në Shtabin Operativ të UÇK, për të marrë komandën e brigadës. Studenti vinte nga Zvicra, kishte ndërprerë studimet dhe do t’i bashkohej luftës çlirimtare. Sokoli, djalë beratas, vinte nga emigracioni në Greqi.Këta të dy sapo i kishin kaluar të njëzetat. Të dy, ishin stërvitur shpejt e shpejt në qendrat e përgatitjes luftarake. Komandant Bredhi do t’i merrte në brigadën e tij.

Kalimi i kufirit nga Shqipëria për në Kosovë, do të bëhej në Has. Komandant Bredhi e dinte rrugën mirë, pasi ia kishte dashur puna të kishte hyrë e dalë shumë herë. Në bazën e furnizimit u veshën me uniforma dimrore: çorape të leshta, këpucë me qafa të gjata, fanella, setra me stof të trashë që kishin në krah stemën e  UÇK, pelerina me kapuç, automatikë dhe revolverë,fishekë rezërvë dhe një çantë me pajisje dhe ushqime për disa ditë, që peshonte nja njëzet e pesë kilogram  dhe që ishte një goxha barrë për atë udhëtim dimror.

-Me shëndet dhe me fitore! U pafshim në Kosovën e lirë! – uroi magazinjeri.

Ata panë njëri-tjetrin me gëzim: uniformat laramane dhe stema e bukur kuqezi me fillesat nismëtare UÇK dhe armatimin. Tashti ishin vërtet ushtarë!

Nisja u bë sapo ra errësira, në atë pjesë, që ishte më e vështirë dhe nuk patrullohej nga ushtria serbe. Kur u nisën, qielli ishte mbuluar me re të ulta, dukej kohë bore, por nuk binte. Ajo që kishte rënë ditët e tjera kishte vënë shtresë dhe vende – vende kishte ngrirë. Ecnin njeri pas tjetrit: në krye komandant Bredhi, në mes Studenti dhe në fund Sokoli. Çantat e fryra të shpinës nën pelerina i tregonin si tre gungaçë. Nuk flisnin, nuk duhej të bënin zhurmë.

Kishin disa orë që ecnin, kur filloi bora. Binte me fjolla të mëdha e të rënda. Era e fortë uturinte e fishkëllinte dhe flokët e borës ua përplaste fytyrës. Sido që rruga ishte e tatëpjetë, ata ecnin ngadalë e me kujdes që të mos rrëshqisnin. Këmbët fundoseshin në borë dhe bora e shkrifët dhe e imtë u hynte nga qafat e këpucëve dhe duke shkrirë nga ngrohtësia e trupit, po u lagte çorapet. Teksa ishin duke ecur në heshtje, disi larg njëri-tjetrit u dëgjua një e bërtitur:

– Mina! – tha studenti i lebetitur.-Kam shkelur minën!

– Ku dreqin është ajo minë? – pyeti komandant Bredhi.

– Këtu nën borë, – tha Studenti. – Poshtë këmbës sime të djathtë.

– Mos je gabim, ashtu të është dukur, – vërejti Sokoli.

– Jo, – tha Studenti. – E kam shkelur, është nën shputën e këmbës.

– Nga e kuptove?

– Se është e sheshtë ,e fortë dhe shkrehësi u ul. Kërciti, bëri krak !

– Mund të jetë ndonjë pllakë guri, – tha komandant Bredhi. – Ajo që kërciti ka të ngjarë të jetë ndonjë shkarpë.

– Jo, dreqin, jo! Është minë. E di mirë që është minë,- th ai. – Largohuni!

Jeni në rrezik.

– Kemi rënë në një shteg të minuar. Ushtria serbe i ka minuar shtigjet e brezit kufitar, – tha komandant Bredhi i dëshpëruar. Pastaj shtoi: – Mos lëviz dhe këmbës mshoji , mbaje të ngjeshur fort, me gjithë peshën e trupit. Asnjë lëvizje!

Komandant Bredhi u afrua me kujdes duke shkelur mbi borën e shkrifët, trashësia e së cilës e kalonte gjysëm metri.

-Tashti do ta shohim nëse është vërtet minë, – tha ai.

Pastaj nisi të përpushte me dorë borën rreth këmbës së Studentit, derisa e zbuloi. Dora preku sipërfaqen e sheshtë e të ftohtë të metalit. S’i mbeti pikë gjaku. Trupi iu mpi.

– E po ?

Ai e vonoi përgjigjen.

– Është minë.

– E dija, – tha studenti. – Eh ç’prapësi!

Ra një heshtje e rëndë, si një makth.

– Po tashti komandant, si i bëhet në këto raste?- pyeti Sokoli.

– Nuk ua kanë thënë instruktorët? Prisni! Do ta gjejmë një zgjidhje.

Furtuna vazhdonte të tërbohej. Era luante me flokët e borës, i sillte rrotull, formonte shtjella të bardha,  pastaj i përplaste egërsisht pas trungjeve dhe degëve të aheve. Degët e pemëve ishin veshur në të bardha, dridheshin nga të ftohtit, ndonjë gjethe e vdekur qysh nga vjeshta që mbahej ende, shkëputej dhe merrte vrapin duke fërfërirë. Era dhe bora ishin bërë njësh, nata ishte e pështjellë me pluhurizën e bardhë e të hallakatur, që përplasej në fytyrat e tre udhëtarëve, u verbonte sytë  që lotonin vetiu e s’i linte të shihnin. Vrundujt e erës zbrisnin tatëpjetë, përplaseshin në bokërrima, trandnin ahet e pyllit dhe merrnin thellë luginës e grykave. Të ftohtit dhe acari u depërtonte veshjet dhe këmbët e duart u ishin mpirë e bërë dru. Retë e zeza e kishin veshur kupën e qiellit gjithandej, por hera – herës, retë griseshin si ca lecka të ndotura e  të lagura dhe midis tyre, shfaqej hëna e zbehtë e mardhur, si fytyra e një të sëmuri dhe derdhte me kursim një dritë të mugët. Gjithsa mund të shihte syri ishte si një shkretëtirë e bardhë, e ftohtë, e frikshme si në ëndërr.

Shtegu kalonte mes një çeltire të ngushtë midis pyjeve të ahut dhe zbriste tatëpjetë. Bora që kishte vënë shtresë, nuk linte të dukej rruga e rrahur. Studenti i hodhi një sy ahishtes.Drurët e veshur me të bardha, ngrinin drejt qiellët degët që i rrihte era, si ca duar, që luteshin për mëshirë me ca pëshpëritje. Edhe atij iu duk vetja si një dru i mbjellë mes borës, i dënuar të mos lëvizte. Iu duk se nga këmba e djathtë, do të delnin ca rrënjë që do depërtonin thellë në truallin e fortë dhe ai do të kthehej në njeri-pemë. Në një pemë të çuditshme, në një dru të dëshpëruar, që mund të fliste, të bërtiste,të qante,të sokëllinte, por pa dobi,  askush nuk mund ta ndihte. Ishte, një njeri-pemë shpërthyes, mjaftonte një lëvizje. Ishte i dënuar me vdekje!

Ai nisi ta ndjente vdekjen. Ishte aty, poshtë, te këmbët. Këmbët iu djersinë, u mpinë, pastaj ajo nisi të ngjitej ngadalë sipër, i kapi dhe i trazoi rropullitë, i shpeshtoi të rrahurat e zemrës. Dora e saj mizore kthetramprehtë dhe e ftohtë e mbërtheu  për fyti e i pengoi frymëmarrjen, që ia ktheu në dihatje, ndërsa në gojën pështymëmpiksur,kishte idhësirë. Edhe pse ftohtë e acar, atë e thyen djersë të ftohta, që ia bënë trupin akull. Ajo s’kishte arritur ende në tru, siç duket e kishte lënë për në fund. Mendimet ishin ende të qarta e të kthjellta. Ato luftonin me vdekjen. Vdekja! Atij i erdhën parasysh përfytyrimet e njerëzve për të: një shtrigë, me zgavrat e thella të syve në eshtrat e fytyrës, e mbuluar me kapuç, që mbante në dorë kosën me të cilën korrte jetët. E kishin gabim. Vdekja ishte kudo, edhe aty ku nuk shihej, poshtë  këmbës së tij të djathtë, në kutinë e çeliktë e të rrunbullakët të minës. Priste vetëm një lëvizje, pastaj një “Bum” dhe ai do të hidhej në erë i kthyer në një lëmsh mishi e kockash. Ajo ishte  në atë plumbin e vogël të fishekut, në granatën e dorës, në tehun e një kame…Njeriu kishte krijuar aq shumë mundësi e mjete që vdekja të merrte jetën. Ju kujtua që Kaini e kishte vrarë të vëllanë Abelin me një nofull gomari.

-Komandant Bredhi! – thirri ai.- Lehtësomani ngarkesën!

Komandant Bredhi u afrua me kujdes duke shkelur në gjurmët e mëparshme. I hoqi pelerinën dhe ia shkundi nga bora, pastaj çantën e rëndë të shpinës, i hoqi automatikun nga supi  revolverin dhe dy granata nga brezi. Deshi t’i hiqte dhe rripin.

-Jo rripin se më mbledh e shtrëngon belin, – i tha ai. – Më nxir nga çanta edhe një shishe konjak ”Skënderbeg” dhe hiqja tapën.

Pastaj ai ia veshi pelerinën dhe kokën ia mbuloj me kapuç.

-Tashti je më i lehtë, besoj ndjehesh më mirë

-Mirëzeza! Ç’të mirë mund të ketë një i dënuar me vdekje? Të lutem, largohu tani, dil jashtë rrezes së rrezikut. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.

-Mbaje veten. Mos u ligështo, sa ke jetë ka dhe shpresë. Ke për të parë, do t’ia hedhim. – i dha zemër ai.

Era vërshëllente si gjarpër. Flokët e borës ishin si ca lodra  zbavitëse në duart e saj, dridheshin, përsilleshin, përplaseshin dhe në fund binin përtokë. Retë e dendura e të zeza sterrë po dyndeshin drejt lindjes.

Studentit djersa i ishte ftohur, po mërdhinte dhe  e zunë të dridhurat.  Piu një gllënjkë konjak. Pija i ra rëndë në lukth dhe i shkaktoi një djegësirë, por ndjeu që në trup iu përhap ngrohtësi. Ktheu dhe disa hurba të tjera dhe e ndjeu veten më mirë. Piu herë pas here, derisa ndjeu që koka iu rëndua dhe iu morën pak mendtë. Boll, i tha vetes dhe e flaku shishen. I bëhej ujët e hollë. Përmori. Currili i hollë që ra mbi borë, nxori një fjollë avulli, e shkriu atë , u formua një gropëz dhe te vendi  mbeti një  njollë e verdhë. U ndje i çliruar nga ai siklet.

Nuk e dinte sa kohë kishte që rrinte ashtu si pemë, i ngulur mbi minën që vetëm priste një lëvizje të gabuar për të shpërthyer. Ai kishte ndërprerë studimet në Universitetin e Gjenevës, i ishte përgjigjur thirrjes së Atdheut për ta çliruar Kosovën nga robëria dhe barbaria serbe. E dinte, e kishte menduar që edhe mund të vdiste, në përpjekje, në fushën e luftës, por jo kështu : pa zbrazur një fishek, pa një ndeshje, pa vrarë një armik, pa derdhur një pikë gjak, pa u hakmarrë për krimet e përbindshme. Pa parë prindërit, pa përqafuar motrat dhe vëllezërit. Pa gëzuar ditën e lirisë. Kjo ishte sa tragjike aq dhe  banale. Thjesht, të ishe një viktimë. “U vra nga një minë”, kaq do thoshin për të.  Ishte për të vënë kujen.

-Sa është ora?- pyeti ai.

-Tre pas mesnate. Për një orë fillon agu.- I tha Sokoli.

Koha kish ngecur në tollovinë e borës, shkulmet e erës, të ftohtit, acarit dhe minës. Minutat dukeshin orë dhe orët vite. Pas asaj pritje,  që i dukej e gjatë, pa fund dhe  e  ankthshme, si një natë e përjetshme, nga lindja nisi të fekste me droje,  si t’i trembej natës, një dritë e zbehtë, e mugët, e ftohtë, që kapi majëmalet dhe i dha dritë shkretëtirës së bardhë të tokës borëmbuluar. “Ditë e bardhë, por fat i zi”, – mërmëriti dëshpërueshëm studenti.

Komandant Bredhi, i gjendur ngusht,(më ngusht s’ishte zënë në jetën e vet), mendoi se kishte ardhur koha të merrte një vendim. Ishte komandanti, përgjegjës  për jetën e dy të tjerëve, që ia kishin besuar. I takonte të gjente një zgjidhje. Ai e dinte se s’ka situatë apo rrethim që s’mund të çahet, por këtu armiku ishte tinëzar, djallëzor. Ai nuk shfaqej ballas, fshihej nën dhe, s’hynte në punë trimëria, duhej thirrur në ndihmë mençuria. Bashkë me Sokolin, u afrua te Studenti. Tashmë gjithçka dukej qartë. Shtegu i kalimit, nën vendin ku gjendej Studenti, zbriste menjëherë tatëpjetë me pjerrësi të theksuar, pastaj vinte një shesh i shtruar dhe rruga vazhdonte lakadredhas midis ahishtes.

– Ka vetëm një zgjidhje, – tha ai. – Ti do të bësh një kërcim të hovshëm në drejtim të pjerrësisë, por duhet të jesh më i shpejtë sesa shkrehësi që do godisë ndezësin. Forca e goditjes dhe copërat e shpërthimit nuk do të kapin. Ato shkojnë horizontalisht dhe lart. Ty do të mbrojë ledhi. S’kemi asnjë mundësi tjetër. Si thua, e bën dot?

– Do ta bëj, – tha ai zëshuar, duke nxjerë Nxori nga xhepi i setrës dokumentat dhe ia dha komandantit. – Sido që të jetë, në çantën e shpinës ke fotografi të miat dhe një dhuratë për nënën. Të lutem shko në Burojë të Skënderajt, takoi prindërit dhe u thuaj si vdiqa dhe që i kam dashur shumë.

– Nuk do të jetë nevoja. Ke për të parë, do të shkojë mirë. Prindërit do t’i takosh vetë. Ne po zbresim poshtë. Do të numuroj deri në tre, duke filluar nga njëshi. Te treshi ti do të bësh kërcimin.

Ai i përcolli me sy komandat Bredhin dhe Sokolin që zbritën tatëpjetë. E mblodhi veten. Ishte çasti që çdo nerv, çdo muskul, çdo tejzë të ishin të tendosura. Truri të ishte i kthjellët, zemra t’i jepte forcë, besim, trimëri e guxim. Ai iu lut organeve të trupit të tij që të mos e linin në baltë. Aty ishin jeta dhe vdekja, por dashuria për jetën luftonte egërsisht me vdekjen, flaka e saj regëtinte në çdo ind e qelizë. Për një çast mendimet iu turbulluan dhe si në jerm iu shfaq figura e nënës që kishte hapur krahët e përmalluar dhe u turr që ta rrokte në gji. Shkundi kokën fort. Duhet ta kem nga pija, mendoi. Vegimi u tret dhe i la vendin shkretëtirës së ashpër, të ftohtë e të bardhë si qefin. Era  uturinte si të qante një të vdekur.

– Gati? Po nis të numëroj- thirri fort komandant Bredhi, që zëri të dëgjohej.

Studenti nuk  përgjigj menjëherë. Ndoshta ishin fjalët e fundit që do të dilnin nga goja e tij. Hodhi edhe një herë shikimin rrotull, deri larg në horizont, atje ku ishin fshatrat dhe qytetet e Kosovës së dashur. Deshi të ikte me pamjen e tyre në sy. Frymoi thellë. “Tani”, – i tha ai vetes.

-Po, jam gati, – tha ai dhe era i mori me vete fjalët e tij si një jehonë dhe një pohim për triumfin e jetës.

-Një!

“ Ky është fillimi I luftës për jetën”, – mendoi vetëtimthi studenti  dhe nis te shputa e këmbës dhe ngjitet ngadalë lart. Por sa të gjata këto sekonda!

– Dy!

Zemra u shtrëngua, rrahu fort, gjaku pulsoi vrullshëm deri te kapilari I fundit, muskujt u forcuan, tejzat dhe dejet u tendosën sa mund të këputeshin. Ishte një pritje e ankthshme , një ulurimë, si një brurimë e brendshme luani.

-Tre.

Ky ishte fundi ose shpëtimi. Truri vuri ethshëm në punë gjithë atë që ishte organizmi i tij i ri dhe i fuqishëm. Mbylli sytë, pjerrësoi trupin në anën e poshtme dhe bëri një kërcim të beftë si të ishte një sustë, një mekanizëm. Trupi u rrokullis tatëpjetë. Shpërthimi, me një flakë të verdhë e të ndritshme, me tym të bardhë e të athët, u shoqërua me krismë buçitëse aq, sa korbat u ngritën fluturim nga kurorat e drurëve. Në ajër fluturoi një shatërvan bore.

Komandant Bredhi dhe Sokoli u sulën  rrufeshëm drejt vendit, ku ishte rrokullisur trupi. Ai nuk lëvizte. Fytyra ishte e zbehtë si fytyrë meiti. Komandant Bredhi i kapi pulsin. Dora ishte si e pajetë, por e ngrohtë. Pulsi rrihte ngadalë. I vuri veshin mbi zemër. Rrihte me ritëm të çrregullt.

-Gjallë, është gjallë! – gati  klithi ai.

E kontrolluan me kujdes në gjithë trupin. Nuk kishte plagë. Vetëm se i kishte rënë të fikët. Kishte ndodhur mrekullia! I fërkuan fytyrën dhe gjoksin me borë. Ai u drodh, rënkoi, hapi përgjysmë sytë dhe u përmend. Sokoli midis lotëve dhe gëzimit nuk pushonte së thëni:

– Gjallë, gjallë, i gjallë ! Vëllaçko, ia dole. Fituam!

Ata filluan të përqafoheshin dhe t’i shprehnin njeri- tjetrit fjalë të dashura e miradie.

Studenti, kur bëri të ngrihej, ndjeu një dhimbje therëse dhe mpirje të këmbës së majtë deri te gjuri.

-Nuk mundem, – tha ai. – Më është plagosur këmba e majtë.

I  kontrolluan me majat e gishtave kërcirin. Nuk kishte as plagë as thyerje. I zhveshën këpucën dhe çorapen. Te zogthi, këmba ishte nxirë dhe enjtur. Kyçi kishte dalë nga vendi. Ata ja pllakosën me borë dhe ca më pas ja  fashuan, por kur u ngrit ai se shkelte dot këmbën.

Bënë një barrelë, e shtrinë dhe vijuan udhën.

-Kur të mbërrijmë në Rahovec, do të lemë aty që të të kujdesojnë sa të të shëndoshet këmba,- i tha komandant Bredhi. – Kemi edhe dy dit rrugë sa të mbërrijmë në Shtabin Operativ. Shpresojmë që më e keqja kaloi. Së shpejti do vish në brigadë dhe do zesh vendin në frontin e luftës.

Dhe ata vazhduan të ecin midis borës dhe furtunës dimërore. Rruga drejt lirisë ishte e mundimshme.

 

     Janar 2014.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s