Kur një libër të rrëmben, i dorëzohesh tërësisht… (Refleksione nga libri “Mendimi i Fjalës” AFORIZMA, të autorit BARDHYL MEZINI) / Nga Zyba Hysa

 

Kur një libër të rrëmben, i dorëzohesh tërësisht…

 

(Refleksione nga libri “Mendimi i Fjalës” AFORIZMA, të autorit BARDHYL MEZINI)

 

 

zyba-840x420

Nga Zyba Hysa

 

 

Kisha kohë që librat e dhuruar s’më kishin dhënë durimin për tu shkuar gjer në fund. Një libri i kushtoja vemendje, aqsa e shfletoja, një tjetri i lexoja një paragraf, apo një poezi, dikujt tjetër, nëpër fletë nga pak dhe kaq! Sot ndodhi ndryshe, nga një libër ndryshe, të një autori ndryshe nga të tjerët, në llojin e vet i rrallë në Shqipëri, marr në dorë librin “Mendimi i fjalës” AFORIZMA, të autorit Bardhyll Mezini.

Që në prekjen e kopertinës të jepte përkëdhelje të mollzave të gishtërinjve e të krijonte një ndjesi joshëse për ta përpirë faqe më faqe, sidomos kur lexon aforizmën e shkruar në kopertinë ” ATJE KU MUNGON DITURIA, ULET KËMBËKRYQ VARFËRIA” të duket që rreshtave të këtij libri do të gjesh ushqim të bollshëm për trurin dhe shpirtin për të freskuar mendjen dhe ndjesitë.

Dhe filloj të shfletoj:

“955 aforizma, redaktor, Razi Brahimi, përgatiti për botim, Nase Jani dhe kopertina, Ilir Mborja, botuar në “TRIPTIK”, Vlorë.”

Ky staf pjesmarrës në përgatitjen e këtij libri, ku dihet në epiqendër qëndron vetë autori, na krijon bindjen pa e lexuar, se vërtet “Mendimi i Fjalës” do të jetë selitur mrekullisht dhe vazhdoj më tutje: “VLETËSIME”, të cilat me thënë të drejtën nuk më ndalojnë për të lexuar më tej, se unë kam një zakon, kur shikoj shumë tituj dhe dekorata tek autori, trembem, se ka shoqata që i bëjnë vlerësimet për dekor, por s’mund të lë pa përmendur “Çmimi i parë nga revista “KUVENDI” dhe “Çmimi i parë nga revista “LITER ART”, SHBA (2010), që vërtet janë dhënë nga stafe të specializuar dhe të mirfilltë, që shërbejnë si tregues për lexuesin të mos ndalë por të ecë me vrapin e erës nëpër fletët që të ndalin hapin për të matur peshën dhe pashin e fjalëve në aforizmat e ndara sipas natyrës së mesazheve.

 

E PARA ËSHTË FJALA.

 

Në këtë kapitull radhiten 51 aforizma, ku s’merr 51 mësime, por pafundësisht mësime, se përpos mesazhit kryesor aty shpalosen si pjesë të tij mesazhe tjera. Kështu tek aforizma “Sa mend ka një njeri, e merr vesh jo vetëm kur e pyet, por edhe kur të pyet.” Mesazhi këtu ndan me fije drite dhe që ta dallosh kërkon jo vetëm mprehtësi intelektuale, por edhe intuitive. Në këtë aforizëm çdo kush mëson se si e dallon mençurinë e tjetrit, por edhe të vetes, se aqsa është në gjendje të vlerësojë, jo vetëm përgjigjen e tjetrit, por edhe pyetjen e tij, se është më lehtë të përgjigjesh se sa të pyesësh. Ai që di t’i bëjë të dyja mirë, sigurisht që është i mençur.

Përmes një aforizme si “Nuk mund të ketë mendim të qartë, ai që flet me zë të lartë.”, kërkon një analizë sa shkencore, po aq psikollogjike, se dihet, që uji i kulluar është kur rrjedh qetë, kur vjen me buçimë, uji merr para çfarë gjen dhe s’është më i kristaltë, edhe fjala e thënë ngadalë, qetë – qetë është e sigurtë, e vërtetë, s’ka pse ngre zërin për të zhvendosur vemendjen nga kuptimi i saj tek toni i zërit. Dhe nga ana tjetër shpaloset mesazhi praktik, se ata që s’kanë argument bindës janë njerëz që flasin me zë të lartë dhe jo vetëm kaq, por janë dhe të dhunshëm.

Dhe aforizma kryevepër e këtij cikli të parë, do të thosha, është “Kur përsëritet një fjalë, ajo zbehet, zhvleftësohet, veç fjalës “Të dua!” në çdo përsëritje ajo lartësohet.” E bukur! Ç’mund t’i komentoj? Po e ilustroj me disa vargje të një poezie që e kam shkruar dikur: “E di që më do e të dua, lumturohem kur shpesh atë fjalë ma thua!”

Koha ka sjellë rreth nesh e mbrenda nesh, kush më shumë e kush më pak, falsitet, i cili pak nga pak po i shndërron njerzit në aktorë skenash të përditëshme, pa lënë shenja në jetën e tyre për të pasuruar shpirtin. Ndeshemi shpesh në rrjetet socialë ku të derdhin breshëri fjalësh “të zjarrta” dhe në të vërtetë nuk kanë asnjë bazë njohje dhe ajo që vlen të përmendet, se përballë ke një fotomontazh, një lule, një frut, e asgjë të përbashkët me atë që të qëndis fjalët e bukura dhe njerzit mediokër, bien pre e tyre, ndaj aforizma e Bardhyl Mezinit “Fjalët i kanë rrënjët në zemër, ndërsa frytet në shkëlqimin e syve” është një mësim aktual për këdo të mësojë dhe për këdo që di të mësojë.

Brenda aforizmave, përpos mesazhit të përcjellë filozofikisht, apo dhe poetikisht, gjen të gërshetuar edhe humor. Nuk mund të rrishë pa qeshur në këtë aforizëm “Mos ia ndërpre fjalën atij që llomotit pa bereqet. Mënyra më e mirë është, të mendosh gjëra të bukura kur ai flet.” E mrekullueshme! Vetëm kjo më ka shpëtuar nga stresi, kur kam qënë e detyruar të dëgjoj llomotitjet e një femre, që aqsa herë takohesha, rrëfente të njëjtën histori… Asnjëherë nuk munda ta dëgjoj deri në fund, ajo fliste, unë shkoja larg…

 

PËR DASHURINË DHE XHELOZINË.

 

“E çmoj dashurinë, të pastër e mbaj, sepse edhe vetë jam pjellë e saj.” E nisa direkt me aforizmën e parë të këtij kapitulli, për të thënë që si çdo gjë trashëgohet nga geni, nga familja, edhe dashuria trashëgohet në një farë mënyre nga paraardhësit tanë. Kur në një familje ka mbizotëruar dashuria dhe harmonia, edhe fëmija kur të jetë në moshë madhore do të dijë të dashurojë e si të dashurojë. Dashuria s’është veç emocion që të nxit instiktet njerzore, por është ndjenjë, që kur e kujton partnerin të ndjesh së pari drithmën në krahëror për të pushtuar më pas kurmin tënd. Çdokush që lindi si fryt i një dashurie, do dashurojë dhe do dijë të dashurojë!

Dashuria është e pakufishme si hapësira, si koha e duke dashuruar në hapësirë dhe në kohë të pa caktuar, edhe dashuria është e papërcaktuar. Shprehjet “Do të dua gjer në vdekje!” janë shprehje metaforike, por e pse s’mbartin vërtetësi, se ne dimë çfarë ndjejmë sot, si jemi sot e s’dimë pas një çasti, pas një muaji, viti… por duke bërë betime të tilla, njeriu ushtron dëshirën ditë pas dite e kështu në mënyrë të pavetëdijëshme, ka rritur dashurinë, ka shtuar jetëgjatësinë e saj. Kush ecën me mendimin, se jeta evolon dhe duhet ndryshuar partnerë, kjo është shprehje e atyre që nuk e njohin dashurinë, apo nuk kanë kapacitet intelektual ta konceptojnë atë si zhvillim të saj në hapësirë dhe në kohë. Vetëm gjatë procesit të zhvillimit të dashurisë, njeriu zhvillon dhe rrit inteligjencën e tij dhe fiton energji të jashtëzakonëshme shpirtërore që bëjnë të mundur realizimin e veprave madhore. Një njeri i dashuruar bëhet kreativ, shenjë kjo dalluese mes tjerëve, ai bën vepra që vishen me dritë të pashtershme, vepra që mbajnë të stamposur individualitetin dhe tij e mbeten të përjetëshme.

Ndaj autori do shprehej në aforizmën tjetër “Dashuria nxit inteligjencën dhe ka aftësi, në çdo moment, të krijojë dhe çlirojë energji.”

Xhelozia është tharmi që e bën dashurinë të shijshme, dhe të veçantë, por ashtu si tharmi, kur e kalojmë masën, buka nuk hahet, edhe xhelozia bëhet shkatërrimtare dhe vrastare e dashurisë…

“Dashuria dhe ndjenja e xhelozisë, rriten njëherësh si brirët e dhisë.” – Thotë autori.

Si çdo gjë që zhvillohet në bazë të ligjit të kundërtave, edhe dashuria nuk mund të konceptohet vetëm me një krah, ajo mbrenda saj ka tharmin e vet xhelozinë. Është dashuria që të zgjon xhelozinë dhe është xhelozia që rrit dashurinë, ndryshe s’kemi dashuri, thjesht momente çastore që fiken si vetëtimat që shkrepin një çast duke lënë natën edhe më të errët.

Vërtet xhelozia është tharmi i dashurisë, por katalizatori në mes tyre është sinqeriteti, ku na lind dëshira të rrëfehemi vullnetarisht, jo të presim të na pyesin, është elementi bazë i vërtetësisë së dashurisë. Të rrëfehesh si në kishë, me të mirat e të këqijat, se askush në botë s’është i përsosur dhe kur ne i dallojmë  mangësitë, kemi njohur veten tonë më shumë… Të rrëfehesh do të thotë, se dëshiron të të rrëfehet, reciprioritet në çdo fushë, në fjalë, mendim, ndjenjë, veprim… përherë krejt të lirë, pa imponim, se po mbajte sekrete, do lindin dyshimet që kërkojnë përgjigje e nëse nguron për përgjigje, do të thotë se s’ka sinqeritet…

 

PËR PUNËN

 

Sapo arrita tek kapitulli për punën më vjen në mend aforizma e Naim Frashërit “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë!” dhe këtë dritë e shikoj të shkrirë në aforizmat e Bardhyl Mezinit në formën e mirëqënies, shëndetit dhe dinjitetit që të sjell puna. “Njeriu pa punë s’ka kuletë, s’ka shëndet, s’ka dinjitet.”

Puna është motori i zhvillimit të jetës njerëzore, ndaj puna duhet respektuar dhe vlerësuar më shumë se ato që na sjell ajo dhe autori e shpreh bukur.” Kur tjetri të jep lekët për punën që ke bërë, falënderoje për punën që të dha, jo për lekët.” Kjo nënkupton se s’kanë vlerë lekët sa vlen puna, se lekët fitohen edhe pa punë e kur fitohen pa punë, përveç lekut nuk siguron as shëndet të mirë dhe as dinjitet.

Njeriu që të punojë, duhet ta dojë punën, duhet të ketë në gjak edukatën e punës, të dijë të vlerësojë veten, të krijojë personalitetin e tij vetëm përmes punës së vazhdueshme. Vetëm puna të jep dinjitet, ndryshe do të jesh gjithë jetën në hije të tjerëve duke u servilosur e duke u përdorur nga të tjerët për punë që nuk ti japin të tre komponentet që jep puna, ndaj njerzit që merren me punë të pista, janë më të pa moralshëmit, pa dinjitet dhe të pa dëshirueshëm në shoqëri.

Kësaj tematike autori do t’i kushtonte 61 aforizma, ku do të veçoja: “Kush punon me dëshirë është zot i vetes, kush punon me detyrim është rob i punës.”, “Njeriu punëtor lutet për shëndet, të tjerat ai i zgjidh vetë.”, “Të bëhet një punë me cilësi, veç vullnet duhet dhe zgjuarsi”, “Njeriu punëtor nuk e shikon orën kur e fillon punën, por kur e mbaron atë.”

Ajo që vërehet në disa aforizma këtu, është se i vë theksin që edhe puna si çdo gjë tjetër ne jetë, nuk duhet bërë me tepri, por të koordinuar që puna t’i shërbejë njeriut në tre komponentet e saj, jo t’i cënojë ato. Punë me vullnet, me zgjuarsi, por dhe duke lënë kohë për të vënë paranë në shërbim të vetes. “Kur puna bëhet me tepri, vjen një ditë dhe të sjell mërzi.”, “Kur burri lodhet sa më s’ka, fle me gruan si moter e vëlla.”

Mesazh i thjeshtë, por që shumica e njerzve nuk e konceptojnë dot që është çelësi i suksesit dhe i mirëqënies. “Natyra ka gjithshka dhe nuk t’i jep, as nuk t’i shet. Eja, – të thotë, – me punë merri vetë.” apo “Suksesi nuk arrihet duke menduar, por duke punuar.”

Ky kapitul, është si kod pune për këdo që ka dëshirë të ketë një jetë me mirëqënie, shëndet dhe dinjitet në shoqëri, ndaj kam të drejtë të them, se aforizmat japin mesazhe të përafërta me librat e shemjtë, ku jepet kodi i moralit shoqëror, për një shoqëri të denjë njerëzore, ku bota sot ka nevojë më shumë se kurrë.

 

DITURIA

 

Në se ka fund Universi, po aq ka fund dituria. Të dishë, do të thotë të njohësh botën që të rrethon, të njohësh botën, do të thotë, që aqsa më shumë mëson, prapë të duket sikur s’di asgjë dhe përherë mbetesh i etur si mes shkretëtirës. Përderisa njeriu mbetet përherë i etur për dije, do të thotë se kurrë nuk ka njeri me dije të plota. Të diturit i gjen përherë në kërkim të dijes dhe kurrë nuk krenohen me çka dinë, por përqëndrohen në çka duhet të dinë.

Dituria e laton njerinë në mendime, në sjelllje, në paraqitje… Një njeri i ditur, pa e ditur se është i ditur, dallon që nga paraqitja, nga komunikimi, nga thjeshtësia dhe urtësia e fjalës… Njeriu i ditur, kërkon të mësojë nga cilido, edhe nga fëmija, edhe nga i riu, edhe nga i moshuari, por më shumë nga librat e mendimtarëve të shekujve… Dija është veli hyjnor që e vesh njeriun dhe i jep tipare fisnike, (në veshjen e tij me virtyte), “Zemrën e zbut mirësia, shpirtin e zbut dituria.” Por ajo që vlen të theksohet, se i jep mundësi atij që jetën ta konceptojë dhe ta jetojë krejt ndryshe. “Sa më pak të dishë, aq më shumë dyshon, nga gjërat e bukura, mos dija të privon.” I dituri është i priviligjuari i shoqërisë, ndaj ai duhet të lërë pas dritën e dijes, dritë që kurrë nuk fiket.

Krahas virtyteve që kalitëen në kurdhën e diturisë, dalin në pah veset nga pa dija. “Lumi dhe njeriu kanë diçka të përbashkët. Kur janë të cekët, janë të rrëmbyeshëm.”

“Kur bëhen bashkë i padituri dhe i nxituari, janë si eshka dhe urori.”, “Njeriu i pa nxënë, është si nata pa hënë.”

Në shoqërinë tonë shqiptare ndjenja e të vetquajturit “i ditur” është kthyer në fenomen, kjo është e frikshme, sepse njerëz të tillë s’kanë etje të vazhdueshme për dije e kjo edhe nëse diçka kanë mësuar, koha do i shterojë. “Njeriu pa mend kërkon ta njohin njerzit, njeriu me mend kërkon të njohë njerzit.”, “Ai që hiqet sikur nuk di, di shumë.”

Kur njeriu nuk pajiset me dije, çdo gjë e mat me rrezen e syrit si gjithë gjallesat e tjera, i dituri shikon me sy mendje dhe shpirti, pra dija e dallon nga gjallesat e tjera… “Njeriu lind me dy sy, ai që ka mendje të hollë, dy të tjerë, i merr në shkollë.”

Aqsa më shumë dimë, aq më pranë Zotit jemi dhe Zoti bëhet pjesa jonë mbrenda mendjes dhe shpirtit tonë. Vërtet më befason me disa aforizma, të cilat kanë mesazhe universale dhe shumë the holla në të konceptuarit të autorit të problemeve apo fenomeneve njerzore. Ai arrin në përfundim, të cilin edhe unë aty kam qënë dhe jam, se Zoti është vetvetja. Kush e kupton këtë, ka marrë njohuri dhe zgjidhjet nuk i pret nga qielli, por thërret vetvetes për të marrë guxim e fuqi për të përballuar sfidat e jetës. “Sa më shumë njoha Zotin brenda vetes, aq më pak i lutem Zotit për ndihmë.”

Kur dija ka kaq rëndësi, deri ta quajmë Zot, pse njerzit nuk rendin të gjithë drejt dijes? Po dija nuk është një dhuratë që ta vendosin në tavolinë dhe veç ta marrësh e ta mbash në xhep dhe kaq, dija është privilegj i njerzve të zgjuar, të vendosur, këmbëngulës, duke mos u ndarë kurrë nga të kërkuarit të dijes, ashtu siç nuk mund të rrimë pa ushqim për stomakun, s’mund të rrimë pa ushqim për trurin. “Etja për dije kërkon këmbëngulje, ndërsa këmbëngulja vetë kërkon karakter.”

 

VLERËSIMI

 

Tepër interesante 68 aforizma të këtij kapitulli, të cilat japin mundësi që një popull i dalë nga një diktaturë e egër, ku mbi të gjitha ishte Partia, ku vetvetja s’përfillen nga vetja jonë në radhë të parë e jo më nga tjerët që nuk ndodhte, ku secili nga ne ngjante me një, Njeriun e Ri Komunist, ndaj kur nuk vlerësonim veteveten, si do të vlerësonim tjetrin? Atëherë qemë thjesht robotë të “arkitekteve” komunistë. “Kur ti veten nuk e vlerëson, për të tjerë s’të bëhet vonë.” apo “Nuk pretendoj përsosmëri tek vetja, ama, dua, që si unë, të jem vetëm unë.”, “Buzëqeshi gjithmonë atij, që buzëqeshjen ta vlerëson” e kështu me radhe, saqë s’di kë të marrësh e kë të lëshë.

Nuk pretendoj të analizoj të 955 aforizmat e këtij libri, që do të thosha është kod i moralit shoqëror, kod profetik ku kaliten virtytet dhe dënohen veset e shoqërisë, të paraqitur mjeshtërisht nga një krijues i veçantë në llojin e vet, si fabulist i mprehtë që shpalos talentin e tij fuqishëm edhe në aforizmat e mrekullueshme, ku lexuesi ka çfarë të lexojë e të mësojë, por dua të përmend pak dhe kapitujt e tjetrë për të nxitur kurreshtjen e lexuesit për gamën e gjërë të tematikave të lëvruar në këtë libër interesant, ku shpasohen me 11 euforizma për SHPRESËN, të cilën e cilëson “Shpresa është gënjeshtra më e ëmbël, por dhe më besnikja, sepse na shoqëron gjithë jetën.”, apo “Shpresa është kripa e jetës” , “Kush mban në dorë tespihet e shpresës, di t’i bëjë ballë mbijetesës”.

Pasohet më pas më 22 aforizma për KOHËN, ku do të veçoja “Në do të mësosh sa vlerë ka një njeri, analizo kohën si e harxhon ai.”, “Kush abuzon me kohën, abuzon me jetën, pasi vetë jeta është e shtrirë në kohë.”, “Shpresa të pret, koha nuk të pret.”

Dhe më pas 27 aforizma për FËMIJËN, ku e pse asnjë nuk mund të veçohet, për kënaqësi të lexuesve po veçoj “Tek fëmija mos u kënaq me zhvillimin trupor, vrojto dhe kënaqu me zhvillimin mendor.”, “Fëmija kur është i vogël, qan, kur rritet të bën për të qarë.”, “Të gjitha gratë lindin fëmijë, por jo të gjitha bëhen nëna.”, “Fëmijët nuk duhet vetëm t’i këshillojmë, por edhe t’i pyesim, çfarë ata mendojnë.”

Vijnë me radhë kapitujt PASURIA, E VËRTETA GËNJESHTRA, PËR JETËN… e deri tek kapitulli i fundit DREJTËSIA PADREJTËSIA. Do ta mbyllja këtë shkrim simbolik në respekt të këtij libri të mrekullueshëm nga autori, Bardhyl Mezini,  duke i uruar suksese, se siç e nisa në fillim e rrëmbyer terësisht prej mrekullive që lexoja, do më duhej shumë ditë e shumë fletë për t’i mbushur. Faleminderit Bardhyl për kënaqësinë që më sollët, se vërtet më shkëputët sot nga çdo gjë e kjo më ndodh shumë rrallë! Ja: KUR NJË LIBËR TË RRËMBEN, I DORËZOHESH TËRËSISHT…

 

Tiranë, 14 korrik 2016 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s