Poezi nga Delo Isufi

delo isufi

Poezi nga Delo Isufi 

 

 

NDARJA

 

Gjithçka lindi, u rrit edhe vdiq,
Si të ndodhte brenda një nate,
Dhe kur agimi ditës i vu sytë,
Dielli e dogji si flakë kashte.

Miq mbetëm, më shumë se më parë,
Paçka në zemër, ç’ruajtëm, s’e dimë,
Vargjet i dënuam, i futëm në hapsanë,*
Kurrë nuk folëm më për dashurinë.

Për këtë u deshën shumë përpjekje,
U deshën netë të tjera pa gjumë,
Premtimi do mbetet gjer në vdekje,
Ndjenja do rritet dhe më shumë.

Rëndësi ka që Ti të jesh e lumtur,
Buzëqeshja të të kthehet në sy,
S’do të flas më për sytë e bukur,
As vargjet nuk do t’i lexoj më Ty.

Do e kujtoj atë ditë kur u ndamë,
Sytë e Tu të mjergulluar e padritë,
Kur të pëshpërita :”Të kam xhan”,
E me mendje të putha të dy sytë.

Pra, ky ishte fillimi dhe mbarimi,
I një ëndrre çmendurisht të bukur,
Pra, kjo ishte lindja dhe perëndimi,
I asaj magjie që më pate futur.

 

* Hapsanë, f.sh.vjet – Burg. Ra në hapsanë.

Delo Isufi, botuar tek libri “Magjia e syve”

 

 

 

NA SHAU ME DEGË E RRËNJË

 

Trokiti në zyrë një ditë pushimi,
Isha zhytur i tëri në poezi,
Nuk prisja klientë, as orë takimi,
Nuk kisha lënë me as njeri.

“Koleg jam, ju kam parë në kafe”,
U drejtua thjesht,si të ishim miq,
Si të ishim vllezër me dy barqe,
Në buzë i lëvizte lehtë një trikë.

E afruam djalin ,rritur në moshë,
E mbajtëm afër si qengj manar,
Nuk them kokën e kish fare bosh,
Por e kish magazinë pa iventar.

Dhe iku kolegu ,nuk qendroi gjatë,
Miqesinë e ktheu në mllef e tënjë,
Vetëm vrer volli poshtë e lart,
Kudo na shau me degë e rrënjë.

 

Delo Isufi,botuar 1996

 

 

 

MOSHA IME

 

Sa më pëlqen mosha që kam,
Dhe pse kam ndonjë merak,
Dua të jem po ky që jam,
Fëmijë, mesoburrë e plak.

 

 

 

Sa bukur koka më rri

 

Sa hoqi e ndjera nënë,
Ditën që u linda unë,
S’dola me kokë, por me këmbë,
Dhe koka e madhe shumë.

Vonë , nisa të ecja,
Se koka më merrte zvarrë,
Kërriç, më dukej e madhe,
Tamam e kam si gomar.

Kudo e mbajta me vete,
Kungullin pa një farë,
Fati në jetë më ndriti,
Askush s`më tha pun’e mbarë.

I veshur me pushtet tani,
Sa bukur koka më rri.

 

Delo Isufi, botuar ne librin “Kur lahet Hëna”

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s