Poezi nga Agron Shele
Ikja e poetit
Zogu e pushoi këngën në korie
dhe gjethet e pemëve më nuk fërshfërijnë
tisi i hirtë qiellin ka mbërthyer
në të errtën ditë,
ku fjalët veç mërmërijnë
e gjurmët e stinës përhumbin ngadalë
përëndimit të diellit, pa kthim.
S’ ka memoriale,
as bujë, e as zhurmë,
veç ligështim për atë që shkoi,
dhe një qiri,
që të fundit ditë fytyrën i ndriçoi,
për atë që yjet për çdo natë i ndizte,
për atë që harqe ylberësh ngrinte,
për atë që prekte sofra perëndish,
për atë që vjeshtës lotët i fshinte,
për atë që digjej e dashurish rilindej.
Një jetë u fik
zbehtësisë ditë larguar vagëllim
veç fjalë, të përshpirtjes mbetur
regëtimë e shpirtit të lirë fluturim
qiellit të bardhë, ngjyrim krahë engjëjsh
e shpirtit që mbi trupa sfinksash frymon,
e përmendoresh ,
që të nesërmen e tyre të zgjojë.
Anija velat i mblodhi dhe rrëshqet ujdhesës
Mbi krye ngrihet shkëmbi gri, si i vetmi kujtim
I lundrimeve dhe përplasjes mes dallgësh,
të një beteje
për jetë a vdekje
triumfalisht
për gjurmët kohë ngjyruar,
gjer në të fundit ditë amshim.
@sheleagron
Fate të trazuara
Shtjellat e së shkuarës prekin të sotmen,
rrëmbyer nga foltoret e shtrëngatës kohë,
të perëndive që zbrisnin nga fronet më të larta,
a hyjneshave përmendore me sy smeraldi
drejtuar egzaltimit
të qiejve “zeus”
shkrepëtimë vetëtimash
bindjesh,
a besimesh të përkora
të fateve trazuar jetëve të njeriut!
Qiejt psherëtimë lëngojnë prangimin
e yjeve të fshehur territ më të zi
e shpresash të thyera luftrash të reja
demonësh përplasur gjer në herezi
demonësh që mure kudo kanë ngritur
në tokë,
në dete
dhe kupë të qiellit.
Pas tyre, duar
… e duar që stërgjaten
kufijve më të fundit errëtisë
Diku,
dikush zemërimin shpërtheu
pse ngjyrat e kohës koloritë ndryshojnë,
pse bota ndan kryqëzime të largëta
e faqe meridianësh përskuqen nga gjaku,
pre e ithtarëve ngritur marrëzi,
…dhe turmave rrëzuar e shndërruar në fli.
@sheleagron
Te dy poezite shume te bukura, ndertuar me mjeshtri dhe thellesisht te ndjera.
Pergezime Agron!
Flm Kolec! Ju uroj shume suksese!