Intervistë me autorin Agron Shele për Our Poetry Archive / Realizoi intervistën Stacia Lynn Reynolds dhe Deborah Brooks Langford

Intervistë me autorin Agron Shele për Our Poetry Archive

https://ourpoetryarchive.blogspot.be/2017/11/agron-shele_1.html?spref=fb

Stafi redaktues i Our Poetry Arvive: Stacia Lynn Reynolds dhe Deborah Brooks Langford; sinqerisht ju falënderon për kohën tuaj dhe shpresojmë se do të kemi mbështetjen tuaj të vazhdueshme.

 ***

Sa kohë keni shkruar dhe botuar poezi? Ne do të donim të dinim historitë e hershme për rritjen tuaj si poet dhe botues në përgjithësi. Kush janë poetët tuaj të preferuar? Cilat janë disa nga zhanret tuaja të preferuara për të lexuar dhe për të shkruar? Sikur të frymëzoheni më shumë, a besoni tek ky  frymëzim si një forcë udhëzuese prapa shkrimeve?

“Poetët janë paraprijës të agimeve zbardhëllim, janë muza dhe shpirti i ëndrrave shpresërim, janë fryma dhe muzikaliteti i fjalës shenjtërim, janë koloriti më i ndritshëm i qënësisë tonë qytetërim!”

Lidhja me poezinë ka qenë qysh në moshë të herët dhe fillon me impresionimin e madh pas poetëve të Rilindjes Evropiane dhe Romantizmit, si: Robert Bërns, Alexander Pushkin, Heinrich Heine, Sergej Jesenin,  por në mënyre të veçantë Charles Baudelaire. I ndikuar nga këta autorë fillova të shkruaja në poezi e në prozë dhe më pas edhe në estetikë. Aktualisht kam publikuar :  “Hapat e Klarës” (roman), “Përtej perdes gri” (roman), “Imazh i rremë” (roman) , “Pasazh i pafaj” (poezi) dhe  “Ngjyrime universale “Ese-I ”

Sigurisht poezia është muzë, është inspirim i thellë shpirtëror, është ndjesi dhe elokuencë e brendshme, prandaj hedhja e vargjeve është më shumë se një refleksion i përtejshpirtit në harmoni me gjithë elementët natyrale dhe proçesin jetësor.

Cila ka qenë kritika më e ashpër që ju është dhënë si shkrimtar dhe botues? Cili ishte komplimenti më i madh? A ndryshoi kjo në atë çfarë shkruani? Cila ka qenë gjëja më e çuditshme që ju ka kërkuar një lexues?

Në fillimet e mia letrare sigurisht që jam udhëzuar nga rregulla të rrepta kritike dhe kjo falë mësuesit tim, përkthyesit dhe eseistit Perikli Jorgoni, i cili spikati talentin tim në moshën e gjimnazit, pra në moshën 16-vjeçare dhe më udhëzonte shpesh për teknikat letrare, strukturën poetike ose strukturën e një proze, mesazhin dhe gjetjet e befta poetike. Publikimet në shumë antologji ndërkombëtare dhe çmimet letrare të fituara kanë qenë komplimenti më i madh i punës time. Në lidhje me lexuesin,  kam një kujtim shumë të veçantë. Kishte lexuar romanin “Përtej perdes gri”, sigurisht tema ishte universale ku shumë të rinj mund të gjenin veten tek personazhet e librit  dhe një lexuese mu drejtua: “Faleminderit që ke shkruajtur për mua”

Cila është poema juaj e preferuar që keni shkruar ndonjëherë? Krahasuar me fillimin e shkrimit, a keni vërejtur ndonjë ndryshim të madh në stilin tuaj të shkrimit apo si shkruani në krahasim me atëhere deri tani?

Fillimet e mia nisën me poezi klasike, vargje të kuadratuara me rima të puthitura, për të kaluar më pas tek vargu i lirë dhe format hermetike. Poezitë e shkruara nuk mund ti identifikoj dot se cila është më e preferuar, por motivet lirike  dhe ato filozofike më bëjnë të ndihem mirë dhe i plotësuar me artin tim. Stili letrar krahasuar me fillimet ka ndryshim të madh, pasi nga ato klasiket sot orientimi im është drejt heremetizmit, surrealizmit madje drejt absurdit. Gjithësesi për mua një poezi nuk është një rregull i caktuar, por një strukturë ku çdo fjalë përbën një botë dhe një botë përbën një qytetërim.

Cila ka qenë pjesa juaj e preferuar për të qenë poet ose autor? Cili ka qenë më i preferuari juaj?

Unë udhëtoj përmes poezisë dhe prozës dhe ata që më inspirojnë më shumë është vetë forma jetë, konceptet dhe iluzionet e saj, magjia dhe mistizmi që e vesh, por dhe elemntët e natyrës, ngjyra e stinëve, bukuria e një lule të çelur në pranverë, apo ndjesia që përcjell rrëzimi i një gjethe në vjeshtë, një muzg i perënduar apo rilindja e një dielli në mëngjes.  Kaq të thella bëhen këto gjurmë sa simbolizuar përmes natyrës njerëzore, trup e shpirt, imponojnë tek mua emocion por dhe muzë krujuese për artin tim në tërësi dhe vijimësinë më pas. Autorët që tek mua mbeten përherë magjikë dhe që i rilexoj shpesh janë Charles Baudelaire e T. S. Eliot  për artin poetik dhe Stefan Cvajg e Dan Broun në prozë.

A keni menduar për të lënë punën tuaj dhe të bëheni një shkrimtar dhe botues, ose keni ende një punë dhe shkrimi dhe botimi është diçka që jue  bëni për argëtim?

Përkushtimi im i plotë është arti i të shkruarit, realizimi i gjithë projekteve të Lidhjes Letrare, ATUNIS, pasqyrimi i gjithë  informacionit më të fundit letrar në gati 10 gjuhë të ndryshme në faqen zyrate ATUNIS, bashkëpunimet me shumë lidhje letrare, koferencat letrare,  aktivitetet ndërkombëtare si dhe publikimi i Revistë Letrare ATUNIS. Sigurisht unë po përgatitem të publikoj së shpejti një tjetër vëllim poetik, librin “ESSE- 2” dhe po punoj dhe me mbylljen e romanit të radhës. Nuk mund ta ndaj artin me përditësinë punë, por sa herë që jam i lirë ose në fundjavë, i përkushtohem plotësisht shkrimeve të mia dhe publikimeve online të autorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, ose punët për përgatitjen e numrit të radhës së Revistës letrare.  Çfarë përfaqëson letërsia për mua?  Është përsosmëri që nuk njeh limite dhe kufij, por si vetë ndjesia e thellë shpirtërore dhe e trazuar nga regëtimat e kohës dhe ngjyrimeve jetë, përçap drejt përkryerjes, njerëzores dhe rrugëve plot dritë universale të së nesërmes!

Përveç shkrimit dhe botimit, cila është gjëja juaj më e preferuar për të bërë? Çfarë zhanri keni më të preferuar  për të eksploruar gjatë karrierës tuaj të shkrimit? Pse?

Ajo që më inspiron më shumë është pafundësia e botës dhe ngjyrimeve estetike e letrare që vijnë nga autorë të ndryshëm. Në gjithë këtë larmi letrare mua më duket sikur lexoj gjurmëkohën që përherë është e alternuar mes mitikës, mistizmit dhe modernes e kështu i endur përmes tyrë duket sikur deshifroj botën sipas mendësisë time.  Autorët bashkohorë vendas si Agron Tufa, Entela Kasa, Visar Zhiti, Elida Rusta, Luan Rama, Flutura Açka, Hasije Selishta Kryeziu, Fatos Kongoli, Jeta Vojkollari apo autorët Ndërkombëtarë Tersinka Pereira, Roula Pollard, Pavol Janik, Maria Miraglia, Epitacio Tongohan, Terane Turan Rehimli, Nuri Can, Alicia Minjarez Ramírez, Claudia Piccinno, Muhammad Shanzar, Luz María López, Dino Koubatis, Duska Vrhovac, Dorin Popa, Alicja Kurbeska, Patrik Samut, Kinga Fabo, Tatjana Debeljacki,  apo përkthyesit Peter Tase, Aristidh Ristani, Petro Çekrezi, etj  janë pjesë angazhuese dhe promotorrët e gjithë lëvizjeve letrare dhe një arti gjithmonë e në lëvizje.   Gjithashtu lumturohem shumë që arrij të ndihmoj shumë kolegë përmes shkrimeve estetike dhe prezantimit sa më elokuent para kritikës letrare por dhe lexuesve, e kjo përmes redaktimit dhe shkrimit të parathënieve letrare në veprat e tyre.

A mendoni se literatura apo poezia është thelbësore në jetën tonë? Nëse po, pse? Si lidhet me historinë e përgjithshme të njerëzimit?

Kjo është pyetje interesante. Nëse nuk do ishte gjuha e shkrimit, nuk do egzistonte poezia apo proza, nuk e di si do arrihej shkalla e lartë e emancipimit shoqëror apo të lexohej historia jonë njerëzore. Është mitologjia greke, romake ajo që hedh dritë se si ka qenë rruga përshkuese e rendjes së njerëzimit, është Dante Aligeri, Shekspiri e Volter që na tregojnë se si lulëzonte jeta mesjetare, për të kaluar më pas tek klasicizmi e romantizmi evropian dhe format më moderne të shoqërisë,  të cilat numërojnë zhanre të ndryshme, por që në konceptin psikologjik dhe filozofik përbëjnë memorien e gjithë kulturës që na orienton drejt të sotmes dhe një të nesërme më humane dhe më të mirë.

Lexuesit tanë do të donin të dinin përvojën tuaj personale në lidhje me rëndësinë e letërsisë dhe poezisë në jetën tuaj.

Kur isha fëmijë isha i apasionuar pas leximit të letërsisë fantastike dhe humbisja në magjinë e tyre. Më vonë lexoja gjithçka që më binte në dorë deri sa fillova të bëja klasifikimin se ku mund të gjeja veten. Ëndërroja të bëhesha shkrimtar dhe kur botova romanin e parë nuk mund ta besoja. Kjo më kurajoi të ecja përpara, drejt përsosjes dhe krijimit të stilit tim letrar, mes hermetizmit dhe surrealizmit në poezi dhe përshkrimit të shpejtë narrativ të një ngjarje, ku lexuesi duhet të lexojë çdo kapitull me një frymë e të mistizohet deri në konkluzionin përfundimtar të kësaj vepre, që shpesh e lë të hapur dhe debat mes lexuesve në prozë. Sa  depërtuse  është letërsia sot për mua? Nuk e di, se kufijtë e saj janë pa mbarim, por nuk do e konceptoja dot të bukurën e kësaj bote pa artin dhe shijen e vërtetë të saj, pa prekur fletët e një libri.

A mendoni se njerëzit  shqetësohen për letërsinë në përgjithësi? A mendoni se kjo botë konsumiste po e kthen njeriun mesatar nga literatura serioze?

Për zhvillimet e artit janë të interesuar së pari autorët e më pas lexuesit, të cilët orientohen drejt formave të vetë modaliteteit jetë. Unë do thoja se letërsia e mirë ose elitare për kohezionin përjetues mund të mos jetë shumë asimiluese dhe mund të ketë numër më të pakët leximi, kjo për format e ardhura dhe metafizikën e fjalëve dhe kuptimeve, por ky lloj arti kapërcen përherë të nesërmen dhe mbetet memorie e gjithë zhvillimeve dhe profeksionit të vetë njeriut në tërësi e qytetërimit që produktohet nga këto vizione e ide të mëdha në përgjithësi.  Në diskutim me kolegët e mi kam dëgjuar shpesh shprehje të tillë, si për shembull poezia është në krizë dhe ka pak lexues.  Ndoshta poezia mund të ketë pak lexues, por poezia është përherë elitare dhe kërkon lexues të përzgjedhur, është përmbledhje e gjithë koncetrartit dije dhe është fëshëfërimë që grish veshë shumë të mprehtë e mendje shumë të hapur, ndërsa fluiditeti saj është kaq i brishtë dhe kaq grishës sa mahnit e të magjeps përherë.

Nëse njerëzimi përpiqet të kuptojë traditën dhe modernizmin; a mendoni se literatura mund të luajë një rol të rëndësishëm në marrjen e të kuptuarit? Nëse po, si? Përsëri, si mundet një shkrimtar individual të lidhet me traditën dhe modernizmin?

Nietzsche ka thënë: “Bota mund të konsiderohet si një vepër arti që gjeneron vetveten.”

Pra konkluzioni është se gjenerimi i gjithë percepetimeve për atë se çfarë përfaqësojmë dhe se si duhet të shkojmë përpara është dhe mbetet arti. Si do të ecim ne drejt të nesërmes nëse nuk dimë nga kemi ardhur, çfarë shtigjesh kemi kapërcyer, si kemi mbrritur këtu ku jemi dhe çfarë idesh e qëllimesh kemi për të nesërmen, nëse nuk do bëhej një altërnim i asaj përvoje të shkuar me  traditën sot. Pra është e pashmangshme ndërthurja midis të shkuarës dhe të sotmes, për të konsoliduar hapat shoqërorë e artistikë drejt universalizimit të gjithë vlerave, si unifikim shpirtëror, por dhe filozofik drejt vizualiteteve të reja dhe modernizmit.  Letërsia mbetet primare në gjithë transformimin e madh të një kulture ose tradite, sepse është kjo zanafillë shkrimi që konsolidon gjuhën, përshkon etapat kohore, shemb e ngre kultet e ngritura të vetë njeriut dhe rend e rend përherë drejt artikulimit më të pasur, por dhe në sfidë me vetë kornizat që prodhohen në paskohë.

 

A mendoni se shoqëria është një faktor në formësimin tuaj  si poet, ose poezinë tuaj krejt?

Do mendoja të kundërtën pasi unë besoj në kultin e individit. Kjo nuk nënkupton teorinë e njëshit, kthyer në dishepull dhe ndjekur verbërisht, ku turmat vdesin e ringrihen, por tek  gjenialiteti i njerëzve të mëdhenj, filozofëve, poetëve dhe shkrimtarve  që kanë ndryshuar mentalitete shoqërore dhe e kanë bërë botëm më të drejtë e më humane. Përgjegjësia e artit është  përgjegjësi  intelektuale, por më së shumti është dhe një mison që duhet të udhëheqë mendimin e pavarur e koherent, për të mbjellë paqe e harmoni tek njerëzit, për të ngritur të tjera harqe ylberësh në qiejt e shoqërive që i përkasin dhe shndritur atë me ngjyrime shprese. Unë besoj në një shoqëri më të liberalizuar, më të hapur ku gjithësecili gjen veten e vet dhe të gjithë duhet të kontribojnë për të ardhmen e tyre. Fokusi im përmes poezisë apo prozës ka në vetvete këtë qëllim dhe si idealist mendoj se e nesërmja mund dhe duhet të jetë më e  mirë dhe më e dlirë.

Ne do të donim të dinim për ndonjë ndikim që ka frymëzuar poezinë dhe shkrimet tuaja.

Fillimet e mia sikurse të çdo autori kanë ndikim nga letërsia vendase apo dhe ajo e huaj , kjo e dukshme kryesisht në fillimet e para krujuese deri sa u konsolidova dhe krijova stilin tim letrar. Nuk mund ta fsheh se autorët vendas si: Ismail Kadare, Diana Çuli apo Petro Marko kanë lënë gjurmë të thella në formimin tim, por dhe poetët si Lasgush Poradeci, Fatos Arapi dhe Azem Shkreli gjithashtu më kanë mistizuar me ngjyrimin e tyre poetik, lakonizmin dhe fuqinë e madhe të fjalës shprehur. Ndërsa leximi më pas nga letërsia botërore do më mbante përherë nën qerthullin e Baudelaire përsa i përket poezisë dhe Stefan Cvajk apo tedencat e Teodor Drajzer dhe Erik Segal në prozë.

Ne gjithashtu do të donim të dinim; si i lidhni tendencat aktuale letrare me trashëgiminë letrare të vendit tuaj?

Vendi im ka një traditë letrare të  ndikuar përmes kulturave dhe mitologjisë më të lashtë, por dhe orientimeve orientale dhe atyre perëndimore. I vendosur në një kryqëzim të tillë gjurmët e të gjitha zhvillimeve të kohës kanë mbetur të freskëta dhe këto kanë përbërë dhe lëndën kryesore të ndërthurjes së asaj të shkuare me te gjitha zhvillimet moderne sot. Do shtoja se tek poezia  vijnë ato imazhe dhe ato portrete që kanë mbajtur të mbërthyer gjithë mitizmin e kohës, diku ndeshemi me Olimpin, diku me një Afërditë, diku tjetër  me zemerimin e Erenive, apo portave të ferrit tek Dante Aligeri e më pas tek ajo muzë e sëmure e Bodlerit gjer në letërsinë më bashkëkohore sot,  kufijve të absurdit e formave eksperimentale.

A besoni se të gjithë shkrimtarët janë produkt i kombësisë së tyre? A është një nxitje apo pengesë për t’u bërë një shkrimtar ndërkombëtar?

Mendoj se shkrimtarët kanë një bazament të fortë të kulturës që përfaqësojnë dhe ata janë produkt i kulturës së vendit të tyre deri sa arrijnë masën e pjekurisë më të lartë artistike, ndërsa më pas kufijtë e veprës së tyre kur e kapërcejnë këtë traditë bëhet universale, pra unifikim më i gjerë i një vlere kulturore ndërkombëtare dhe gjurmë e përpjekjes për të deshifruar kohën dhe paskohën e diversitetit të një arti ndryshe, të një tradite të re dhe sa më intrigues për mbarë lexuesit. Një shkrimtar është kozmopolit, qyetar i çdo lloj kulture dhe vendi, për aq kohë sa ai është integruar në botën e tyre letrare e kulturore dhe ka arritur që përmes veprës së vet të ndikojë tek masa e lexuesve, por dhe në forminin e tyre mental e shoqëror. Idetë, vizionet dhe mesazhi filozofik janë ato që një autor e bëjnë të dashur dhe të kërkuar, pa dallim e përkatësie, duke e ndërkombtarizuar emrin e tij, por dhe ngritur akoma më lart prestigjin e vendit që përfaqëson.

Çfarë do të përdorni për të përshkruar veten brenda 7 fjalëve?

Autor që kërkon simbolikën e estetikës fjalë.

A ka ndonjë gjë tjetër që ju dëshironi të ndani ose t’u thoni atyre që do ta lexojnë këtë intervistë?

Magjia e fjalës është artikulimi më i bukur i sintezës dhe simbiozës memorie dhe kur fjalët ngrihen në art atëherë fuqia e shprehur prek kulme dhe përmasa të një tjetër dritësie njerëzore. Letërsia me magjepsjen dhe mistizmin e vet ka tërhequr gjithmonë pas vetes shpirtra të trazuar, shpirtra të ringritur mbi flirtin e bukurisë krijuese, bukurisë jetë, bukurisë natyrë dhe si e tillë ajo është shndërruar në pasqyrë e aspiratave, vlerave dhe mendimit më puritan për mbarë njerëzimin. Kjo shkallë e lartë vitaliteti njerëzor, ku fjala shndërrohet në mit dhe miti në produksion të gjenialitetit të qenësisë , ka deshifruar dhe deshifron figurshëm dhe pareshtur vetë qytetërimin tonë.”

Ndërsa për raportin njeri- art – autor do theksoja:

Njeriu jeton përbrenda hapësirës kohore të vetëjetëgjatësisë, ndërsa shkrimtari jeton përbrenda hapësirës kohore të veprës së tij!”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s