NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË / Nga: Xheni Shehaj

NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË

Nga: Xheni Shehaj

 

5.2. Burimi popullor te vepra e Mazhuraniqit

Autori i veprës Vdekja e Smail- Agë Çengiqit përveç elementit biblik, përdor në vepër dhe elementin folklorik. Kjo duket në përshkrimin idilik të trimit, i veshur i tëri në ar, me fesin e kuq mbi ballë, opingat e lehta, armët radhë – radhë ngjeshur në brez. Te Mazhuraniqi nuk mund të themi se ka me shumicë elemente popullore. Nëse do  rendismin tiparet popullore të pranishme në këtë vepër, renditja do vijonte si më poshtë:

  1. a) vendin e parë e zë përshkrimi i Novicës;
  2. b) rënia e yllit prej qiellit si simbol i shuarjes së dikujt;
  3. c) besa;
  4. d) figura e divit për të emërtuar trimat malazezë;
  5. e) lahuta si vegël popullore e pranishme ndër malazezë;

Siç vërehet, burimet popullore janë të pakta dhe pavarësisht faktit se përbëjnë lëndën e parë nuk janë të zhvilluara gjerësisht. Me përjashtim të a) dhe  b), elementeve të tjera u mungon fuqia shprehëse, forca që duhet të bartit tipare të tilla si; besa, divi.

“Mbi i krah dilkën ka varë,

tagan i mpreftë mu në shokë ungron

dhe pranë tij ruejnë dy patllake,

opingat të lehta në kambë i ka shtrëngue,

fesi i kuq mbi kokën e trimit.”45

 

——————————–

44 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 39.

45  Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 24.

Te ky përshkrim duket forca e shprehjes së poetit. Armët si tregues i trimërisë, këmbët e lehta si shprehës të shkathtësisë, japin tablonë e trimit sypatrembur që i bën ballë çdo prite. “Në vargjet 192 – 193 poeti shfrytëzon besëtytnitë e popullit , simbas të cilave çdo njeri ka yllin e vet dhe kur këputet ndonjë yll thuhet se dikush ka vdekë.”46

“Yll’ i fundit u zhduk nga qiella:

ishte ylli i agës së Çengiqit.”47

Përsa i përket besës, poeti sllav ndryshe nga Fishta që e shpalos me tërë forcën shprehëse, e ngjesh këtë forcë duke i dhënë nuanca diminuitive. Përdorimi i lahutës, si vegël që përdoret në Malësi për të kënduar ngjarjet historike haset dhe te Mazhuraniqi. Edhe ai ashtu si Fishta e përdor lahutën si mjet qetësimi për luftëtarët.

“Pasha besën, ti je kangtar i njoftun,

e unë i etshëm për lahut e kangtarë,

hë, këndona, dëshira të m’plotsohet!”48

Si përfundim mund të themi se poeti malazez, nuk është mbështetur fort te folklori. Ka përdorur pak elemente popullore dhe ato me një forcë shprehëse të vakët.

5.3. Tipare folklorike në eposin e Njegoshit

Përkthyesit e Kunorës së maleve kur kanë folur për përkthimin në shqip të veprës ndër të tjera kanë përmendur dhe lidhjet e saj me folklorin dhe ngjashmëritë me tonin. “Për shkak të afërsisë, përkimit të mentalitetit, shprehjeve, përshkrimit, karaktereve, të përshkruara te Njegoshi – afërsisht të ngjashëm me tipet e karkateristikat e malësorëve tanë, përshkruar me mjeshtëri në epikën tonë popullore – ne në shumë vende kemi pasur njëfarë  lehtësie.”49  Duke i vendosur tri veprat e marra në studim përballë njëra – tjetrës do vërejmë përsa i përket tipareve folklorike, se të tria e kanë të pranishme elementin popullor, kush më pak e kush më shumë por mënyra se si e kanë përdorur, se si e kanë nxjerrë nga kallëpi zanafillor për ta ripërpunuar është e ndryshme. Te Njegoshi ajo çka bie në sy është përdorimi i pamasë i fabulave të përrallave. Nëpërmjet nxjerrjes së fabulës në pah ai jep një kuptim të caktuar sipas rastit. Edhe te Njegoshi njësoj si te Fishta gjejmë lojërat popullore ku djelmuria luante nëpër lëndina. ‘Topalathi’, ‘grabikapa’, janë lojërat që malazezët luanin lur mblidheshin tok. Njegoshi ndryshe nga Fishta dhe Mazhuraniqi bën pjesë të eposit edhe fenomenet e natyrës. Që në fillim të veprës në qiell shfaqet një shenjë që sipas luftëtarëve paralajmëron diçka.

 

—————————————–

46  Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 59.

47  po aty,  f. 25.

48  po aty, f. 50.

49  Petar Petroviq Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, Shtëpia botuese “Rilindja”, 1981, f. 25.

“A e pat shejin edhe mrekullin

dy vetima se si u kryqzuen?”50

Figura e qyqes është prezente dhe në eposin njegoshi-an. “Sipas legjendës popullore, bijat e Knjazit Llazar, i cili ra në Luftën e Kosovës, qanë, kukatën aq shumë pas vdekjes së të jatit, sa u kthyen në qyqe. Së këndejmi rrjedh dhe besimi popullor se qyqet s’është mirë t’i vrasim.”51

“Mos, o Drashko, pash at jetën tande!

sepse qyqet kurr s’asht mirë me i vramun;

a nuk po din, he mos t’gjetë e liga,

se qyqet janë bijat e Llazarit?”52

Një element tipik popullor është dhe figura e shtrigës. Këtë figurë e gjejmë dendur në veprën e Njegoshit. Autori përdor besëtytni pagane, tepër arkaike. Populli beson se në muajin mars e tetor, kur ndryshon koha më fort se kurrë çohen shtrigat. Këto besëtytni i japin veprës një karakter përrallor. Mjedisi (Llovqeni) ku mblidhen personazhet, vallja që këndon, lojrat në natyrë, paraqesin një tablo idilike, që ka brenda butësinë dhe forcën. Kreshnikët janë rritur bjeshkëve, majave të thepisura por ata janë ushqyer gjithashtu me dashurinë për lëndina, përrejt ku lahen Zanat. Personazhet e Njegoshit janë sa të fortë aq dhe të butë, të ndjeshëm. Nuk tremben nga përleshja me turqit por nga ana tjetër i frikësohen besëtytnive, fenomeneve natyrore. Mesa duket kjo është mendësia e popujve ballkanas.

“Gjithnji po m’kap njifarë ankthi i keq,

sa m’ze gjumi, nuk m’len me frymue.”53

Këtu është fjala për ‘morën’, sipas besimit popullor është një shtrigë që i shtrëngon njerëzit në gjumë duke u zënë frymën. Malësorët e Njegoshit, mbajnë me vete hajmali për të larguar shtrigat. Kjo bie disi në kontrast me fuqinë e tyre.

“E pra mue ma pruni shpirtin n’fyt;

gjithherë e mbaj nga pak rrikë me veti

dhe majën e ferrës ndër petzime.”54

 

———————————-

50 Petar Petroviq Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, Shtëpia botuese “Rilindja”, 1981, f. 45.

51 po aty, f. 181.

52  po aty, f. 46.

53  po aty, f. 89.

54  po aty, f. 89.

Njegoshi fut në vepër elemente të cilat kryejnë funksionin e lajmëtarit. Të tilla si; cingërimi i veshit, pluhërimi i syrit, krrokrratja e korbave, etj. Këto dukuri i lajmëronin trimat për ardhjen e luftës. Nga gjithë sa u tha, dalim në një konkluzion: elementi popullor jo vetëm që është përdorur në të tria eposet por është përdorur më funksione të parapërcaktuara. Kjo e bën atë jo vetëm funksional por dhe të rëndësishëm në vepër.

 

Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s